E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS e PDK, kundër Topallit për shkarkimin e Biberajt



Gjatë ditës së djeshme, kundër kërkesës së Topallit kanë reaguar edhe përfaqësues të tjerë të politikës shqiptare. Në emër të PS-së ka reaguar një nga anëtarët e delegacionit shqiptar në KE, deputeti Kastriot Islami. Ai ka bërë të ditur se kërkesa për shkarkimin e Biberajt tregon konfliktet brenda Partisë Demokratike. Islami shtoi gjithashtu se në letrën e kryeparlamentares Topalli drejtuar KE-së shprehej se Biberaj nuk e kishte mbrojtur mirë ligjin e dosjeve. Islami shtoi se do të kërkojë takim me Topallin për të marrë sqarime në lidhje me këtë kërkesë dhe gjithashtu do ta diskutojë këtë çështje edhe me kryeministrin Berisha. Gjithashtu, Islami tha se shkarkimi i Biberajt dëmton imazhin e Shqipërisë në KE. Edhe Partia Demokristiane është shprehur kundër kërkesës së Topallit për shkarkimin e Biberajt. Ata e kanë cilësuar kërkesën për shkarkim, xhelozi të Topallit dhe Berishës për karrierën politike europiane të Biberajt. PDK bën thirrje që kryetarja e Kuvendit të tërhiqet nga ky qëndrim, ndërsa ka vlerësuar rolin e Biberajt si zëvendëspresident të Asamblesë Parlamentare të KE-së.

24 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›