E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasja e fundit Obama-Mekein, temë kryesore kriza financiare



Dy kandidatët për president të SHBA-ve, Barak Obama dhe Xhon Mekein me një ton agresiv dhe komunikim të drejtpërdrejtë kanë zhvilluar debatin e tretë dhe të fundit mes tyre. Një sërë akuzash u shkëmbyën mbi një numër të madh çështjesh, që nga politikat e parashtruara në përgjigje të krizës financiare e deri te taktikat e përdorura në fushatën presidenciale. Tema kryesore e këtij debati ishte kriza financiare në një kohë kur ajo ka prekur jo vetëm bursën amerikane, por edhe tregjet e aksioneve duke tronditur besimin e investitorëve dhe konsumatorëve. Në prezantimin e fundit të zhvilluar në Universitetin Hofstra në Nju Jork, dy kandidatët parashtruan politikat e tyre për të nxitur ekonominë, në mënyrë që të kapërcehet kjo krizë. Që në minutat e para të debatit, rivalët presidencialë u përfshinë në replika të ashpra lidhur me taksat. Senatori republikan nga Arizona, Xhon Mekein akuzoi zotin Obama se po zhvillon luftë ndër-klasore me propozimin e tij për t’ua rritur taksat shtresës më të pasur të popullsisë. Ndaj akuzës të rivalit republikan u përgjigj kandidati demokrat Obama i cili nënvizoi se të dy kandidatët duan të ulin taksat, megjithëse ka një dallim të madh mes segmentit të popullatës që do të përfitonte nga këto shkurtime taksash, duke e akuzuar zotin Mekein se synon të favorizojë amerikanët e pasur. Zoti Mekein tha se amerikanët po vuajnë dhe njëkohësisht janë të zemëruar si rezultat i gjendjes aktuale ekonomike. Ligjvënësi republikan nga Arizona fajësoi për krizën shpenzimet pa kriter në Uoll Strit dhe Uashington. Obama me këtë rast tha se plani i shpëtimit që ai dhe zoti Mekein kishin mbështetur në Kongres është një hap i parë i rëndësishëm në përgjigje të krizës. Por ai shtoi se nuk kishte parë ende ndonjë plan që kishte për synim të ndihmonte klasën e mesme amerikane. Tema tjetër e trajtuar ishte edhe toni që ka marrë fushata presidenciale, e cila gjithnjë e më shumë po shoqërohet me nuanca negative. Të dy kandidatët shprehën synimin për të zhvilluar fushata që përqendrohen tek çështjet që kanë rëndësi për amerikanët. Dy kandidatët paraqitën disa nga politikat e brendshme që mendohet të ndiqen. Senatori Obama nënvizoi se një administratë nën zotin Mekein nënkuptonte 8 vjet të tjera me të njëjtat politika si administrata e Presidentit Bush, kur është fjala për çështjet thelbësore. Mekein i hodhi poshtë këto fjalë duke u shprehur se poitikat e tij nuk kishin asnjë ngjashmëri me poitikat e ndjekura nga presidenti Bush.
Në lidhje me çështjet ekonomike, senatori Obama premtoi të eliminonte programet e panevojshme qeveritare për të ndihmuar kalimin e krizës financiare, ndërsa zoti Mekejn tha se do të pezullonte shpenzimet qeveritare.

17 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›