Kosova i kërkon GJND-së status të barabartë me Serbinë
Ndërsa Serbia kërkon mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, shteti më i ri në botë, Republika e Kosovës i ka kërkuar kësaj gjykate status të barabartë me Serbinë. Kjo kërkesë erdhi nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi. “Kërkesa e bërë nga ministri i Jashtëm, është që Kosova të pranohet si palë e barabartë në qasjen ndaj gjykatës. Ne do të reagojmë pavarësisht nga vendimi i Gjykatës, por mendoj se duhet të ketë një përfaqësim korrekt dhe adekuat”,- ka thënë Kuçi pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës. Nisma serbe kundër pavarësisë së Kosovës u miratua disa ditë më parë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së me 77 vota pro, 6 vota kundër dhe 74 vota abstenime. Shumica e vendeve në OKB-së dhanë miratimin e tyre për të kaluar këtë projektrezolutë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë edhe pse autoritetet kosovare bënë thirrje që kërkesa e Serbisë të mos merrej parasysh. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç e ka konsideruar këtë një fitore të Serbisë, ndërsa i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Prishtinës Zyrtare e cila ka deklaruar se do të vazhdojë në punën e pas për njohjen e Kosovës edhe nga shumë shtete të tjera.
Tadiç: “E pranojmë EULEX-in me tre kushte”, kundërshton Koshtunica
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç ka deklaruar se vendosja e EULEX-it në Kosovë do të pranohej me tre kushte: që në Kosovë ky mision të vendosej me një vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që ai të jetë neutral përsa i përket statusit dhe të mos zbatohet plani Ahtisari. Sipas presidentit Tadiç, deputetët europianë nuk kanë pasur ndonjë vërejtje për kërkesën e Beogradit që EULEX-i të jetë neutral përsa i përket statusit, që të jetë nën kujdesin e Këshillit të Sigurimit dhe të mos zbatohet plani i Ahtisarit. Në një intervistë për gazetën serbe “Veçernje Novosti”, Tadiç është shprehur se nuk ka asnjë kundërshtim që SHBA-të të marrin pjesë në misionin EULEX, por as nuk janë kundër pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Rusisë në të. Më i ashpër ka qenë ish-kryeministri i këtij vendi, Vojisllav Koshtunica i cili e ka vlerësuar pranimin e EULEX-it nga qeveria si “thikë mbas shpine ndaj serbisë dhe luftës për mbrojtjen e interesit shtetëror dhe kombëtar”. Ai u shpreh se ishte demagogji fakti që Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe Rusia ta pranojnë EULEX-in e më pas Serbia. ”Këshilli i Sigurimit dhe Rusia do ta pranojnë EULEX-in vetëm nëse për këtë pajtohet Serbia”,- ka thënë Koshtunica.
17 Tetor 2008