Komandot ankohen te Avokati i Popullit: Nuk na është komunikuar shkarkimi
TIRANE – “Ministria e Mbrojtjes na ka mbyllur derën dhe nuk na ka komunikuar shkarkimin nga detyra”. Kjo ka qenë ankesa që kanë bërë 29 komandot që kanë shërbyer në Afganistan, gjatë një takimi që kanë zhvilluar dje. Ata janë takuar me inspektorin e Avokatit të Popullit, Iliaz Çeço, me të cilin kanë diskutuar për motivet e shkarkimit dhe pretendimet e tyre gjatë kohës së shërbimit në misionin paqeruajtës. Sipas tyre, Ministria e Mbrojtjes ka shkelur kontratat që ka nënshkruar me ta. Gjatë bisedës që kanë zhvilluar me zotin Çeço ata kanë mohuar faktin e janë rebeluar.
Takimi
28 komando nga Forcat e Armatosura të liruara së fundi nga detyra i janë drejtuar Avokatit të Popullit për shkelje të të drejtave të tyre nga Ministria e Mbrojtjes për largim të paarsyetuar. Duke qenë se ish-ushtarakët me gradë “Nënoficer” u ankuan përgjatë misionit të tyre në Afganistan se u ishte shkelur kontrata që firmosën me shtetin, ky reagim i tyre është motivuar si turpërim i atdheut jashtë vendit dhe rebelim ndaj institucionit.
Gjatë takimit që komandot kanë pasur me inspektorin e Avokatit të Popullit, Iliaz Çeço, ata kanë shpjeguar se nuk u është komunikuar asnjë vendim me shkresë zyrtare, ndërkohë që janë informuar nga roja e institucionit se nuk mund të lejoheshin të hynin pasi ishin përjashtuar nga ushtria. Po kështu, në pretendimin e tyre thuhet se ata nuk janë rebeluar, sikurse cilësohet nga zyrtarët, por kanë reaguar për shkeljen e kontratës së firmosur në gusht 2009, përpara se të niseshin për në Herat të Afganistanit. Në dokumentin në fjalë nënoficerët kanë firmosur se do të paguheshin 60 dollarë dita, por kjo shumë u është tatuar dhe ata kanë marrë vetëm 54 dollarë. Sipas tyre, kjo ka qenë arsyeja që ata janë ankuar në grup përmes një kërkese që kanë bërë në muajin dhjetor në Ministrinë e Mbrojtjes.
Reagimi
Ministria e Mbrojtjes ende nuk ka dhënë një sqarim publik për shkarkimin apo uljen në detyrë të 29 komandove shqiptarë. Sipas mediave, ky institucion ka deklaruar se në strukturat e Ushtrisë nuk “lejohet ankesa dhe reagimi në grup, pasi kjo gjë konsiderohet rebelim. Zyrtarë të Forcave të Armatosura mbajnë qëndrimin se përgjatë muajit dhjetor, kur komandot ishin me mision në Herat dhe Shinad, kanë braktisur misionin duke mos pranuar të dalin me shërbim dhe kjo, sipas tyre, quhet turpërim i vendit me aleatët. Pas ndëshkimit nga Ministria e Mbrojtjes, ushtarakët kanë nisur procedurat ankimore, ku dje kanë paraqitur pretendimet e tyre te zyra e Avokatit të Popullit.
Trupat paqeruajtëse shqiptare në misionet jashtë vendit renditen ndër më të keqtrajtuarit, krahasuar me ushtarakët e tjerë të vendeve të NATO-s. Ata kanë pasur ankesa të vazhdueshme për kushtet e këqija në shërbim, pajime, apo edhe paga. Në muajin janar qeveria miratoi rritjen e pagave për ushtarakët shqiptarë në misionet paqeruajtëse, duke e kategorizuar sipas shkallës së vështirësisë së shërbimit.
Lezhë, katër të plagosur në dy aksidente
LEZHË - Sërish përgjakje rrugësh për shkak të aksidenteve në qarkun e Lezhës. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë ndodhur dy aksidente me pasojë plagosjen e katër personave. Burimet zyrtare pohojnë se ngjarja e parë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së hënës, në aksin Lezhë-Shkodër. Automjeti tip “Benz”, me targë LE 5015 A, u përplas me një furgon pasagjerësh, me targë LE 076 A. Si rezultat mbetën të lënduar drejtuesi i benzit, Gac Fani, 65 vjeç dhe Brunilda Nodhi, pasagjere në furgon. Sipas policisë, shkak i aksidentit ka qenë një veprim i gabuar i automjetit tip “Benz”. Ndërsa mbrëmjen e së dielës ndodhi një tjetër aksident në këtë rreth. Burimet policore sqarojnë se dy të rinj kanë mbetur të plagosur rëndë si pasojë e përplasjes mes një makine tip “BMV///” me targë TR 86 99 G dhe një autoambulance. Dy të lënduarit janë drejtuesi i automjetit Fatjon Ndoji, 21 vjeç dhe pasagjeri Ermir Kola, 19 vjeç, të cilët ndodhen në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Sipas policisë, shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e mjetit me të cilin udhëtonin ata duke bërë që drejtuesi të humbte kontrollin, duke u përplasur me murin rrethues të një banese dhe më pas me autoambulancën e parkuar pranë saj.
Box 1
Identifikohet viktima që përplasi treni
TIRANË – Meje Hodo është shtetasja që mori goditjen fatale nga treni të dielën në mbrëmje, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Burimet zyrtare bënë të ditur dje se është identifikuar personi që mbeti i vdekur në aksidentin e ndodhur dy ditë më parë në afërsi të rrugës “Jordan Misja” në kryeqytet. Makinisti i trenit nuk arriti të shmangë aksidentin për shkak të ndërhyrjes se papritur të shtetases Meje Hodo. Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e plote të ngjarjes.
Autoboti me naftë merr flakë, bllokohet aksi Tepelenë-Gjirokastër
GJIROKASTËR – Një defekt teknik është bërë shkas për përmbysjen e një autoboti që transportonte naftë dhe për pasojë mjeti është përfshirë i gjithi nga flakët, duke shkaktuar bllokimin e aksit Tepelenë – Gjirokastër për rreth 45 minuta. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi dje, rreth orës 09:45, në vendin e quajtur Subash. Sipas saj, automjeti tip “Benz” bot, me traga TR 63 44 H, me drejtues shtetasin Dritan Ahi, 37 vjeç, nga Tirana, i shoqërisë “Braka sh.p.k., Tiranë, është batuar dhe për pasojë ka marrë flakë. Drejtuesi i automjetit ka mundur të dalë nga mjeti pa pësuar dëmtime fizike, ndërsa automjeti është përfshirë i gjithi në flakë në mes të rrugës. Flakët u shpërndanë në një sipërfaqe të madhe, pasi nafta u derdh nga boti. “Dy automjete të Repartit zjarrfikës të Gjirokastrës, më vonë edhe një automjet zjarrfikës i Tepelenës, përreth 30 minuta kanë mundur të vënë flakët nën kontroll dhe ta shuajnë plotësisht duke shmangur shpërthimin e automjetit”, - thotë zëdhënësi i Policisë, Gentian Mullai. Si pasojë e flakëve automjeti është djegur plotësisht. Mullai sqaroi se “grupi hetimor, në përfundim të veprimeve, ka konstatuar se shkaku i batimit të mjetit dhe më pas përfshirja nga flakët ka qenë një defekt teknik në sistemin e drejtimit”.
23 Mars 2010