E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmet, koalicioni “Aleanca për Qytetarin” prezanton Kujtim Hoxhën

PËRMET Koalicioni “Aleanca për qytetarin” prezantoi dje në Përmet kandidatin për kryetar bashkie, Kujtim Hoxha, përfaqësues i LSI-së. Në prezantimin e kandidatit të mazhorancës ishte i pranishëm Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deputetët e qarkut Genc

Ruli dhe Vangjel Tavo, si dhe drejtues të tjerë të partive pjesë e këtij koalicioni. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi dje se kandidatura e Hoxhës do të justifikojë besimin e të gjithëve. “Ne e dimë se të gjithë kanë dëshirë të kandidojnë, jo thjesht për karrierë personale, por edhe për të bërë diçka më shumë për qytetin e tyre, për komunitetin e tyre. Megjithatë, unë dua të siguroj të gjithë qytetarët e Përmetit se kandidatura, e cila tashmë është e të gjithë “Aleancës për Qytetarin”, pra kandidatura shumë e nderuar e Kujtim Hoxhës, na jep një mundësi që jo vetëm të bashkohemi për të fituar, por edhe të bashkëqeverisim me qytetarë, me transparencë Bashkinë e Përmetit, në mënyrë që ky qytet dhe banorët e tij të hedhin hapa më të sigurt në të ardhmen, në përmirësim të jetës së tyre, të shërbimeve ndaj tyre, të mirëqenies në luftën kundër varfërisë, e cila duhet të vazhdojë, në mundësitë në rritje për të shtuar punësimet përmes bashkëpunimit më të ngushtë të Bashkisë me qeverinë por dhe sipërmarrjet private”, tha Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›