Përplasja me motor, në gjendje të rëndë dy të rinj
Një tjetër aksident i rëndë automobilistik në Durrës. Dy 18- vjeçarë janë duke luftuar me vdekjen, pas përplasjes së motoçikletës me të cilën udhëtonin, me një automjet të tipit "Golf". Ngjarja rrugore ndodhi rreth orës 14.15 të së dielës në rrugën automobilistike Manëz-Maminas, rrugë që lidh superstradën Durrës-Tiranë me plazhet e Gjirit të Lalzit. Mësohet se dy të plagosurit rëndë nga ky aksident janë Fabjan Bodinaku dhe shoku i tij Amarildo Jashari, të cilët lëviznin me një motor me targa të Tiranës. Dy të rinjtë janë përplasur me automjetin tip "Golf" me targa DR 9100 D të drejtuar nga shtetasi Fatbardh Osmani, 35 vjeç. Dy mjetet motorike lëviznin përballë njëri-tjetrit dhe shpejtësia në drejtim nuk ka mundur ta evitojë përplasjen mes tyre. Burime të policisë nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se përplasja mes motorit dhe automjetit ka qenë e fortë dhe dy personat që udhëtonin në të janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ata janë dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Durrësit, ku i janë nënshtruar ndërhyrjes mjekësore, por mjekët tregohen të rezervuar për të dhënë detaje mbi ta. Mosha e re mund t‘i sfidojë goditjet e marra, ndërkohë që inspektorët e policisë në vendngjarje kanë shoqëruar në ambientet e komisariatit drejtuesin 35-vjeçar të "Golfit" për të dhënë sqarimet e rastit mbi ngjarjen, ndërkohë që po kryhen edhe veprimet e para për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësitë e këtij aksidenti. Pasditen e vonë të së shtunës, një djalë 10-vjeçar, Marsel Deda, humbi jetën ndërsa lëvizte në rrugën e fshatit të tij në Maminas, nga përplasja e një makine që qarkullonte në atë çast në rrugë.