Gjendet e vdekur në dhomë gruaja 57-vjeçare
Gjendet e vdekur në dhomën e saj të gjumit një 57-vjeçare nga qyteti i Beratit. Policia po heton rreth shkaqeve që kanë çuar në vdekjen e parakohshme të saj. Naxhie Selimaj, nënë e një fëmije, banore e qytetit të Beratit është gjetur pa shenja jete nga bashkëshorti i saj, rreth orës 03.00 e mëngjesit të djeshëm. Burri është alarmuar dhe menjëherë ka kërkuar ndihmën e autoambulancës së spitalit rajonal. Disa minuta më pas, 57-vjeçarja Selimaj është gjendur në duart e mjekëve beratas, por pa asnjë shpresë për jetën. Burime të spitalit thanë dje për gazetën, se 57-vjeçarja ka pasur vdekje klinike gjatë kohës që ka qenë në shtëpinë e saj. Mjekët e urgjencës kanë njoftuar policinë, e cila ka shkuar menjëherë në spital. Burime zyrtare të policisë thanë se kufoma e gruas i është nënshtruar autopsisë për të zbuluar shkaqet që kanë çuar në vdekjen e saj. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar rreth shkaqeve të vdekjes së papritur të gruas, por dyshimet janë për vdekje natyrore, pasi në trupin e saj nuk janë konstatuar shenja dhune.