E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangoset durrsaku i dënuar në Itali për drogë

Ndonëse pesë vjet më vonë është kapur në Itali për të shlyer borxhet me drejtësinë e këtij vendi, ndonëse kishte ndryshuar identitetin, emigranti durrsak nuk ka mundur t‘i shpëtojë prangosjes. Me një mbiemër dhe pasaportë të re të siguruar në Shqipëri, kishte mundur të rifutej në Itali dhe të ndërtonte jetën e tij të re atje, edhe pse prej vitesh kërkohej për të kryer dënimin. "Ndonëse me vonesë, dyert e burgut janë hapur për 34-vjeçarin nga Durrësi S.A.", raportohet nga përtej detit mbi fatin e shqiptarit që u kap në fundjavë në Zimela, provincë e Veronës. Ky shtetas ishte shpallur fajtor dhe dënuar në vitin 2004 me 4 vjet e 11 muaj heqje lirie për shpërndarje lëndësh narkotike. Në çastin e ndalimit që e çoi drejt dënimit, i ishin gjetur 2 kilogramë kokainë në zotërim. Më pas dënimi i tij ishte reduktuar në 2 vjet burg dhe Prokuroria e Përgjithshme e Bolonjës kishte nxjerrë një mandat ndalimi për të. I dënuari ishte ndaluar në nëntor të vitit 2003 në një provincë të Bergamos, por më pas ka arritur të largohet pa gjurmë dhe t‘i shpëtojë drejtësisë italiane. Dyshohet se ai ishte kthyer në atdhe, ku dhe ka mundur të bëjë ndryshimin e identitetit e ta pasqyrojë atë në dokumentet e identifikimit. Ai ka zëvendësuar mbiemrin e tij me një tjetër, duke fituar inicialet S.K., por kjo nuk e ka shpëtuar nga burgu. Identifikimi i 34-vjeçarit u mundësua edhe falë bashkëpunimit të autoriteteve italiane me zyrën e Interpolit shqiptar, e cila bazuar në kërkesën e departamentit investigativ pranë Komandës Rajonale të Karabinierëve në Bergamo ka bërë komunikimin e identitetit të ri të shqiptarit. Mbi këtë provë është bërë lokalizimi i emigrantit që kishte hyrë në Itali me një identitet e pasaportë të re dhe kishte nisur një sipërmarrje të vogël autotransporti në provincën e Veronës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›