E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet ndërtimi i banesave sociale, kriteret për të përfituar

Hapet drita jeshile për ndërtimin e 200 banesave sociale për të pastrehët e Tiranës. Këshilli i Rregullimit të Territorit në Bashkinë e Tiranës ka miratuar kërkesën për ndërtimin e banesave sociale për të pastrehët, në ish-Uzinën e “Fonder-Mek” (Kombinati i Autotraktorëve). Ndërtimi i këtyre banesave vjen në kuadër të programit 10-vjeçar të strehimit social në qytetin e Tiranës, në bazë të të cilit bëhet trajtimi për të pastrehët nga Bashkia e Tiranës.

Banesat

Janë piketuar disa pika në kryeqytet që do të shërbejnë si vende për ndërtimin e banesave sociale për të pastrehët. Në kuadër të programit 10-vjeçar të strehimit social për qytetin e Tiranës, bashkia, përveç ndërtimit të banesave të reja, do të ndërtojë edhe banesa sociale që do të jepen me qira ose do të shiten me kosto të ulët për qytetarët e pastrehë, të cilët kanë kërkuar të trajtohen sipas programit të parashikuar në këtë ligj. Sipas burimeve pranë këtij institucioni, kjo do të mundësohet nëpërmjet identifikimit dhe studimit të plotë të ndërtesave, banesave, të cilat rezultojnë të paprivatizuara, pjesë e Listës së Inventarit të Pronave të Paluajtshme e që do të përshtaten në banesa sociale në ndërthurje me planet e veprimit trevjeçare dhe studimet urbanistike pjesore.

Seleksionimi do të bëhet për çdo trevjeçar, ku disa objekte me destinacion tjetër do të kthehen, tërësisht ose pjesërisht në banesa, duke zbatuar projektet e duhura për transformimin e objekteve të sipërpërmendura, të cilat mund të jenë ndërtesa të vogla, të pajisura me kritere kursimi energjetik dhe kosto të ulëta mirëmbajtjeje. Trevjeçari i parë (2007–2009) i programit do të përbëjë bazën nga e cila do të mund të arrihen objektivat e para konkrete dhe do të projektohen objektivat afatmesme (2010–2012) dhe afatgjate (2013–2017).

Kriteret

Bashkia e Tiranës ka vendosur disa kritere që duhen të plotësohen për t’u klasifikuar, për t’u trajtuar me programet sociale të strehimit. Me vendim të Këshillit Bashkiak, klasifikohen për t’u trajtuar me një nga programet sociale të strehimit familjet që nuk kanë në pronësi një banesë; zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike, ku bëjnë pjesë këto familje; kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore. Gjithashtu, ndër kriteret e përzgjedhjes së përfituesve kanë përparësi individët dhe familjet që klasifikohen për t’u trajtuar me programet sociale, të miratuara me vendim të Këshillit Bashkiak dhe që kanë këto specifika; familjet ku kryefamiljari është grua e ve ose e divorcuar, familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë; të moshuar që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesit shoqëror etj.

Kriteret për të përfituar banesë sociale

a) Nuk kanë në pronësi një banesë

b) Zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike, ku bëjnë pjesë këto familje

c) Kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore

Kriteret e përzgjedhjes së përfituesve

1) Familjet, të cilat vërtetojnë se nuk kanë përfituar nga ligji nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”.

2) Familjet, ku kryefamiljari është grua e ve ose e divorcuar.

3) Familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë.

4) Të moshuar që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesit shoqëror.

5) Individët me aftësi të kufizuar, të cilët gëzojnë statusin e të verbrit të grupit të parë, të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të invalidit të punës dhe të invalidit të Luftës Nacionalçlirimtare.

6) Familjet me shumë fëmijë.

7) Çiftet e reja me moshë totale deri në 55 vjeç.

8) Familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi.

9) Individët me statusin e jetimit që nga çasti i daljes nga jetimoret ose nga qendrat e përkujdesit e deri në moshën 30 vjeç.

Studimi

Popullata diskriminon të sëmurët mendorë

“Në popullatë ka jo vetëm mungesë informacioni lidhur me aspektet e shëndetit mendor, por dhe paragjykime që vështirësojnë jetën dhe integrimin në shoqëri të personave me probleme të tilla”, - konstaton studimi në nivel kombëtar “Qëndrimi i popullatës mbi shëndetin mendor në Shqipëri”, i realizuar nga Qendra e Zhvillimit të Shëndetit Mendor, mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Studimi u prezantua nga përfaqësuesja e QZHSHM-së, Erestina Boku, gjatë ekspozitës me punime pikture të personave me probleme të shëndetit mendor.

Sipas saj, studimi konstaton se "stigma dhe diskriminimi janë shkaqe kryesore të izolimit të personave me probleme të shëndetit mendor dhe arsyeja kryesore e mosmarrjes së shërbimeve shëndetësore të përshtatshme".

Në këtë studim u përfshinë 520 persona të rritur të moshës mbi 18 vjeç, bazuar në kuotat demografike, në rrethet Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Elbasan, Berat, Vlorë, Korçë dhe Sarandë.

Nga studimi rezulton se rreth 93 për qind e të intervistuarave kishin dëgjuar ose lexuar më parë rreth shëndetit mendor nëpërmjet emisioneve televizive (60%), edicioneve informative (51%), gazetave (33%), librave (17%), revistave (15%) dhe mjete të tjera 10%. Bazuar në studim, rreth 96% e të intervistuarve mendojnë se numri i personave me probleme të shëndetit mendor është rritur së tepërmi gjatë 20 viteve të fundit dhe vetëm 1.6% mendon se numri i personave me probleme të shëndetit mendor është 1 në 4. Ndërkohë, rreth 60% e popullatës mendon se ky numër është më i vogël se 1 në 50.

Problemi më i përhapur i shëndetit mendor në Shqipëri është stresi (41%), depresioni (33%) dhe abuzimi me substancat (8%). Ndërkohë, nga studimi rezulton se shkaku kryesor për shfaqjen e problemeve të shëndetit mendor janë ato ekonomike dhe papunësia (66%), stresi (14%) dhe problemet familjare dhe sociale (11%).

Anastas Duro

Prezantohet ministri i ri i Punës

U zhvillua dje ceremonia e prezantimit të ministrit të ri të Punës, zotit Anastas Duro. Prezantimi u bë nga zv.kryeministri, Genc Pollo dhe në ceremoni merrnin pjesë edhe ish-ministri, Kosta Barka, si dhe stafi i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe drejtuesit e institucioneve të varësisë. Zv.kryeministri Pollo vlerësoi arritjet e Ministrisë së Punës nën drejtimin e “kolegut Barka” dhe shprehu besimin se edhe nën drejtimin e ministrit të sapoemëruar ministria do të realizojë objektivat katërvjeçarë të qeverisë në fushën e mbrojtjes sociale. Ish-ministri Barka, duke i dorëzuar detyrën pasardhësit të vet, falënderoi të gjithë stafin e ministrisë për bashkëpunimin, duke vlerësuar se në tre vjet u arrit të vendosen bazat e ndërtimit të një mbrojtjeje sociale të qëndrueshme, nëpërmjet draftimit dhe miratimit të dokumenteve politike më të rëndësishme në këtë fushë. “Shpreh bindjen se puna e nisur do të çohet përpara dhe do të vazhdohet me hartimin e akteve ligjore dhe nënligjore të nevojshme në mbështetje të këtyre dokumenteve, si dhe me forcimin e strukturave zbatuese të tyre”, - vazhdoi Barka, i cili në fund uroi pasardhësin Duro për detyrën e re. Ministri në detyrë, Anastas Duro, falënderoi të gjitha strukturat partiake dhe kushtetuese për besimin që shfaqën në përzgjedhjen e emrit të tij në detyrën e ministrit të Punës dhe shprehu angazhimin e vet për ta justifikuar këtë besim. Duke iu drejtuar stafit të Ministrisë së Punës, ministri Duro i konsideroi ata bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë dhe se “vetëm falë bashkëpunimit dhe angazhimit të gjithsecilit prej jush, së bashku do të arrijmë të përmbushim të gjitha detyrimet tona dhe të realizojmë me sukses objektivat e qeverisë në të gjitha fushat që mbulon ministria”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›