Grindja e çastit, djali masakron me kosore babanë 77-vjeçar
Disa orë pas vrasjes, policia e Mallakastrës ka bërë të mundur arrestimin e autorit të ngjarjes, i cili është një person me probleme mendore
MALLAKASTËR Një zënkë mes të birit dhe babait ka përfunduar me masakrimin e këtij të fundit. Ndërsa autori i ngjarjes, 53-vjeçari Shefqet Pashaj, është arrestuar pak orë pas vrasjes dhe nuk e kishte kuptuar ende se përse e kishte kryer një veprim të tillë. Babai i tij Selman Pashaj ka humbur jetën për shkak të plagëve të shumta që kishte marrë në trup nga kosorja që kishte përdorur i biri.
Ngjarja
Gjithçka ka ndodhur larg syve të pjesëtarëve të tjerë të familjes, kur të dy at e bir, Selman dhe Shefqet Pashaj, përkatësisht 77 dhe 53 vjeç, ishin nisur në drejtim të tokave të tyre. Të dy, atë e bir, janë nisur nga shtëpia e tyre që ndodhet në fshatin Bejar, komuna Fratar, në drejtim të tokës që kanë në pronësi, tokë bujqësore të përfituar sipas ligjit 7501, e cila ndodhet në vendin e quajtur “Lugina e fshatit Ninsh”.
Selmani, babai, ka nisur të punojë tokën duke e prashitur, ndërsa djali i tij Shefqeti ka qenë duke u përpjekur të pastrojë disa pjesë me ferrishte dhe shkurre të mbira në këtë tokë. Sipas burimeve nga të afërm të tyre, i moshuari i ka kërkuar të birit që të nxitonte në pastrim për t’i hapur front pune atij që të prashiste. Në fjalë e sipër djali është nxehur nga kërkesat e babait dhe këmbëngulja e tij se duhej të punonte për të jetuar dhe ushqyer
Në këtë çast, në gjaknxehtësi e sipër, ai e ka goditur atë me kosore, një mjet prehës që përdoret në këtë zonë, kryesisht për të prerë shkurre të vogla. Goditja ka qenë e fortë. Më pas djali nuk ka hezituar ta godasë sërish, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.
Autori
53-vjeçari i tmerruar për atë që ka parë është larguar nga vendi i ngjarjes nëpër luginë dhe ka qëndruar i fshehur në disa gëmusha. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të policisë të komisariatit Mallakastër. Pasi janë njohur me dëshmitë rreth krimit dhe kanë marrë njoftim për vendin se ku kish ndodhur krimi, ata janë vënë në kërkim të 53-vjeçarit, i cili rezultonte të ishte i biri i viktimës dhe vuante prej shumë vitesh nga një sëmundje mendore. Uniformat blu kanë nisur kërkimin për 53-vjeçarin Shefqet Pashaj dhe pas rreth dy orësh kërkimi në luginë Shefqeti është arrestuar rreth dy km larg vendngjarjes, duke mos bërë asnjë lloj rezistence ndaj forcave të rendit. Bashkëmoshatarë të viktimës dhe autorit kanë pohuar se autori është fëmija i madh i viktimës. Ai vuante prej vitesh nga sëmundje mendore dhe për këtë arsye mjekohej prej bluzave të bardha. Viktima ka 13 fëmijë, shumica prej të cilëve të rritur dhe që kanë krijuar familjet e tyre, ndërsa autori banonte me të atin në të njëjtën shtëpi.