E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mali i Zi, konkurrencë e fortë mes shqiptarëve

Për dy komuna garojnë plot 9 parti të 7% të popullsisë

Malazezët dhe shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi u janë drejtuar dje kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit vendorë të komunave. Qendrat e votimit janë hapur në orën 09.00 të mëngjesit dhe kanë qëndruar të hapura deri në orën 21.00. Mali i Zi ka një popullsi prej 650 mijë banorësh, me 440 mijë votues dhe ndarja territoriale, qyteteve dhe fshatrave është një ndarje në bazë komunash dhe konkretisht janë 21 komuna ku dy prej tyre quhen komuna urbane (që praktikisht janë minibashki). Dy komunat në Mal të Zi, Ulqini dhe komuna urbane e Tuzit ka një popullsi me shumicë absolute shqiptare që aktualisht drejtohen nga kjo etni.

Pavarësisht se procesi zgjedhor është zhvilluar i qetë, mes partive politike shqiptare ka pasur një garë të ashpër. Në Ulqin ku janë 18 mijë e 200 votues shihet një garë e fortë mes drejtuesve aktualë të komunës, Unionit Demokratik Shqiptar që përfaqësohet nga kreu i komunës, Gëzim Hajdinaga, dhe “Forca e Re Demokratike” e përfaqësuar me Nazif Cungun. Në këto zgjedhje Unioni Demokratik i Shqiptarëve ka hyrë në koalicion me PDS Partinë Demokratike të Socialistëve që drejtohet nga Kryeministri Gjukanoniç, por sipas Unionit Demokratik ky koalicion është bërë me malazezë me kusht që pas zgjedhjeve qeveria e Podgoricës të njohë Komunën e Tuzit jo si minibashki urbane, por me të drejta të plota. Pas votimit, Gëzim Hajdinaga, kandidati i Unionit Demokratik Shqiptar është shprehur se “jam i sigurt në fitore, pasi puna që ne kemi bërë në Komunën e Ulqinit është përkrahur nga i gjithë komuniteti, kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi përkrahjen e banorëve të Ulqinit, por gjithashtu, jemi të gatshëm të krijojmë lidhje dhe të pranojmë në stafet tona dhe kundërshtarët politikë, pasi jemi një parti e hapur. Ne kemi një moto: “Të vazhdojmë së bashku”. Ndërsa rivali kryesor i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Nazif Cungu që përfaqëson partinë “Forca e Re”, është shprehur pas votimit se “Ulqini është në krizë ekonomike dhe forca jonë politike do ta nxjerrë këtë qytet nga kriza, sot kemi shumë probleme dhe ne kemi marrë përsipër të ndryshojmë gjendjen ku ndodhet qyteti ynë. Ndërkohë, garë e fortë mes shqiptarëve shihet dhe në Komunën Urbane të Tuzit, e cila popullohet nga shumicë absolute shqiptare, pasi ka 9200 votues, por në ndryshim nga Ulqini, në Tuz ka një koalicion më të madh të partive shqiptare që njihet me emrin “Koalicioni për Malësinë” IQ-ASH-LD – Lëvizja Qytetare, Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike me përfaqësues Vasel Sinishtaj. Një forcë e re politike dhe pretendente kryesore për të marrë drejtimin e Komunës urbane Tuz është dhe forca politike “lista për Tuzin” e përfaqësuar nga Muhamet Gjokaj. Sipas ligjit malazez, kryetarët aktualë do vazhdojnë të jenë në drejtim dhe një vit pas votimit, që do thotë se votimi i djeshëm njeh fituesin si kryetar të komunës vetëm pas një viti, ndërsa përbërja e këshillave të komunës do të ndryshojë menjëherë pas votimit në varësi se cila parti do fitojë. Shqiptarët në Mal të Zi përbëjnë 7% të popullsisë. Në referendumin e mbajtur për ndarjen e Malit të Zi nga Serbia ku dihet se 32% e votuesve në Mal të Zi janë serbë, votat e shqiptarëve ishin vendimtare që çuan në krijimin e shtetit të pavarur të Malit të Zi. Ajo që bie në sy në këto zgjedhje është përçarja e madhe e faktorit shqiptar ku 35 mijë votues shqiptarë që ka i gjithë Mali Zi do votojnë për nëntë parti shqiptare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›