E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasje për Namaz

Policia e Kosovës është përleshur me qytetarë të Prishtinës, derisa ata po e falnin Namazin e Xhumasë në mes të rrugës - në shenj proteste për mosndërtimin e një xhamie. Një person u arrestua, kurse dy të tjerë pësuan lëndime trupore. Protestuesit thanë se kërkesa është për xhami, e jo për pasurim apo tenderë. Nga Lirita Halili më 25 qershor 2011 në ora 08:16

Vazhduan të falen në rrugë. Por kjo e premte, besimtareve myslimanë nuk u shkoi si ajo e kaluara. Përveçqë e falën Xhumanë, për çka edhe ndodheshin aty, xhematlinjve kësaj radhe, iu desh të merren edhe me policinë.

Kështu, derisa këta besimtarë po kryenin këtë rit fetar, ka ndërhyrë Policia e Kosovës, duke tentuar ta lirojnë rrugën, e cila ishte bllokuar për vetura. Por, tentimi i PK-së nuk përfundoi aty. Pasi xhematlinjtë kanë kundërshtuar urdhrin e policisë, ka nisur edhe një konfrontim mes tyre dhe ruajtësve të rendit.

Pjesëtarët e policisë kanë filluar të përleshen me besimtarët, duke e ndalur kështu namazin në gjysmë. E, në ndihmë të tyre, kanë ardhur edhe Njësiti Special i Policisë së Kosovës, të cilët nuk u kthyen në stacion duarthatë. Ata morën me vete edhe një person, i cili u arrestua gjatë përleshjes.

E, më i zhgënjyeri nga kjo ngjarje mbeti Arsim Krasniqi, kryetari i lëvizjes “Bashkohu me ne”, e cila është organizatore e protestës. Ai thotë se një ditë para protestës, ai dhe organizatat e tjera kanë bërë një kompromis me policinë. Prandaj, sipas tij, policia sikurse javën e kaluar, edhe kësaj here ka qenë e njoftuar që rruga do të jetë e zënë për pak kohë.

“Kur erdhën në kohën kur falet namazi, na thanë që nuk bën ta bllokojmë rrugën, qoftë edhe vetëm për tre minuta sa ishte kërkesa jonë”, sqaron Krasniqi për Express.
“Sepse në namaz kanë ardhur shumë njerëz dhe ishte e pamundur që të ktheheshim prapa”, tregon ai.

Por kompromiset dhe lutjet drejtuar policisë, Krasniqi thotë që ishin të kota. “Duke mos pas alternativë tjetër, ne qëndronim ulur, kurse policia nisi ta provokojë xhematin”, rrëfen Krasniqi. “Provokonin me fjalë, shanin, shtynin turmën me këmbë duke e penguar kështu edhe faljen”, pohon ai.

Prandaj, Krasniqi thotë se turma, e cila ishte në pjesën e rrugës, që të çon kah Xhamia e Llapit, për të mos krijuar probleme më të mëdha, vendosi ta lirojë njërën pjesën e rrugës. “Por prapë, provokimet nuk ndalonin dhe kështu filluan përleshjet. Madje, kanë përdorur edhe gaz lotsjellës”, tregon kryetari i “Bashkohu me ne”.

Ai thotë i bindur se asnjëri nga xhematlinjtë nuk ishte iniciator të përleshjes. “Prej neve, nuk ka sulmuar askush. Policia ishte ajo që filloi sulmin”, thotë i bindur Arsim Krasniqi. Sipas tij, përveçqë nuk ka sulmuar, turma as nuk ka provokuar policinë.

Sidoqoftë, Krasniqi thotë se policia nuk ka nevojë që të shqetësohet më për bllokim të rrugës. Kjo pasi, sipas tij, kjo e premte ishte hera e fundit që besimtarët falin namazin e Xhumasë në udhëkryqin që është afër Trekëndëshit në Prishtinë.

“Javën e ardhshme, ne nuk do të dalim më këtu, nuk do ta bllokojmë komunikacionin. Do të gjejmë një vend tjetër që ta përfundojmë qëllimin për të cilin po mblidhemi”, pohon Arsim Krasniqi.

Kurse Fuad Ramiqi, duke folur para xhematit, ka thënë se kjo është një kërkesë për dinjitetin e shqiptarëve myslimanë, e jo kërkesë, as për pasurim, as për rritje pagash, apo luftë për pushtet. “Ne nuk po kërkojmë tenderë, as punë, apo rritje pagash. Ne nuk po kërkojmë që të pasurohemi. Ne vetëm po kërkojmë dinjitetin tonë. Të jemi shqiptarë”, tha Ramiqi.

Por ndryshe nga kryetari i lëvizjes, Agim Krasniqi, thonë zyrtarë policorë. Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se organizatori i protestës ditë më parë ka kërkuar leje nga policia, për bllokimin e rrugës. “Por policia e ka njoftuar organizatorin se nuk mund të bëhet bllokimi i rrugës. Por kemi thënë se jemi të gatshëm t’i përkrahim në një lokacion tjetër”, tregon Kelani për Express.

Prandaj, sipas Kelanit, policia është dashur të reagojë, në mënyrë që të lirohet rruga për qarkullimin e automjeteve. “Gjatë reagimit, policia ka hasur në një rezistencë nga disa protestues, ku si rezultat i pengimit të punës në detyrë zyrtare, njëri nga protestuesit është shoqëruar në stacionin policor”, sqaron zëdhënësi Kelani. “Ndërkaq, dy persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore, njëri prej tyre qytetar, kurse tjetri zyrtar policor”, tha ai.

Falja e namazit në rrugë nga besimtarët myslimanë është një lloj proteste, përmes së cilës po kërkohet të ndërtohet një xhami në qendër të Prishtinës, pasi komuniteti mysliman konsideron se nuk kanë hapësirë për të praktikuar fenë e tyre. Kjo është e premtja e dytë, që besimtarët myslimanë kanë bërë faljen e Xhumasë në rrugë, në shenjë proteste.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›