E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vështirë për njohje

Enver Hoxhaj, në një intervistë për Express, pranon se përmbyllja e njohjes së pavarësisë është një punë e vështirë. Ai thotë se në lobim janë përfshirë edhe miq të Kosovës në baza vullnetare, por nuk i tregon emrat e tyre. Për Behgjet Pacollin ka veç fjalë të mira. Por, Kryediplomati kosovar pohon se në diplomaci duhet të ketë konfidencë Nga Shpend Limoni më 25 qershor 2011 në ora 08:14

Express: Jeni nga ministrat e paktë që nuk mbajtët konferencë për 100-ditshin e punës. Pse? A nuk keni pasur çka të raportoni?
Hoxhaj: Vetëm nëse konferencën për 100 ditësh do ta mbaja nga një pjesë e botës dhe nëse do t’i ftoja mediat në një vend ku kam qenë për vizitë. Unë gjatë tre muajve të fundit kam fluturuar në mënyrë shumë intensive. Kam vizituar vende të ndryshme të botës, kam marrë pjesë në takime të ndryshme, vende që e kanë njohur Republikën e Kosovës, vende që s’e kanë njohur. Kam marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare, rajonale prandaj edhe bilanci që mund të nxirret është edhe bilanc që mund ta nxjerrin qytetarët e Kosovës, ose që mund ta nxjerrin mediat. Por, jo një bilanc që unë do t’ia bëja punës sime. Ka qenë pothuajse e pamundur që ta organizojë konferencën, meqë kam lëvizur në mënyrë permanente.

Express: Çka konsideroni si suksesin më të madh që prej se drejtoni Ministrinë?
Hoxhaj: Qëllimi im ka qenë që në MPJ të fokusohemi në tri gjëra. Së pari, ta promovojmë dhe ta prezantojmë interesin shtetëror të vendit, së dyti t’i përfaqësojmë interesat politike dhe ekonomike të Kosovës dhe së treti t’i përfaqësojmë interesat e qytetarëve që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës. Interesi shtetëror i Kosovës nënkupton që ne duhet të fokusohemi fuqishëm në mbajtjen e kontakteve në vizita dhe në marrëdhënie bilaterale me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. Unë gjatë kësaj kohe, përveç takimit të parë me Zëvendëssekretarin e Shtetit, Steinberg kam takuar edhe Ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, z. William Hague, Ministrin e Jashtëm të Francës, Alain Juppe, të Gjermanisë, z.Westervelle. Kam takuar edhe disa ministra të tjerë të punëve të jashtme, të vendeve të BE’së. Është një listë e gjatë e ministrave që i kam takuar në tre muajt e fundit. Më 7 korrik jam në Romë, në vizitë Fratinit. Përveç kësaj, kam qenë skajshmërisht i fokusuar në rritjen e numrit të njohjeve. Gjatë kësaj kohe, ka ndodhur edhe njohja nga Andorra, e cila njohje pa dyshim ka qenë e rëndësishme dhe vitale, meqë është një vend i cili shtrihet mes Francës dhe Spanjës. Në të njëjtën kohë, ne kemi ndierë se mund të ketë edhe vende të tjera që do të lëvizin drejt njohjes dhe kjo ka ndodhur falë hartimit të Strategjisë për njohje që kemi bërë në 100-ditshin e parë. Tek interesat politike dhe ekonomike ne kemi nënshkruar një mori marrëveshjesh me shumë vende të BE’së.

Express: Veç një njohje ka ardhur gjatë kësaj kohe, nga Andorra. Edhe pse ishit korrektë t’ia atribuoni njohjen miqve të Kosovës, megjithatë një njohje është shumë pak për këta muaj të punës suaj.
Hoxhaj: Edhe unë mendoj se është pak. Por qëllimi ynë kryesor është që ta anëtarësojmë Kosovën në OKB, dhe ne mund ta bëjmë një gjë të tillë kur ne marrim sa më shumë njohje nga sa më shumë shtete që janë anëtare të OKB’së. Prandaj, edhe njëri prej prioriteteve tona është me çdo kusht ta rrisim numrin e shteteve që e kanë njohur Kosovën. Deri më tash, kam takuar një numër të madh të ministrave të punëve të jashtme të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, kam vizituar disa vende që nuk e kanë njohur Kosovën. Dhe pres që në të ardhmen të ketë rezultate të prekshme, të matshme. Por nuk jam prej atyre që paralajmërojnë njohje, nuk jam prej atyre që flas në emër të qeverive të vendeve të tjera dhe nuk jam prej atyre i cili operon me shifra se sa vende mund ta njohin Republikën e Kosovës. Por mundohem që të punoj maksimalisht që të kemi sa më shumë njohje.

Intervisten e plote mund ta lexoni ne numrin e sotem te Express.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›