E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasjet e brendshme, KSHC rrezikon shpërndarjen

Autori i Lajmit: Suela Topi
Komisioni i Shërbimit Civil rrezikon të shpërbëhet nëse brenda 10 ditëve nuk arrin të paraqesë në Komisionin e Ligjeve raportin për punën e bërë gjatë vitit 2008. Përplasjet e brendshme të anëtarëve të këtij komisioni kanë bërë që të mos gjendet konsensusi për të miratuar raportin vjetor. Në këtë situatë kryetarja e KSHC-së, Mimoza Hysenaj, ka dorëzuar në Kuvend një raport të miratuar vetëm prej saj, çka është shkelje e ligjit për organet kolegjiale. Mungesa e firmave të të gjithë anëtarëve është kritikuar nga deputetët e Komisionit të Ligjeve, të cilët e quajtën raportin jo të ligjshëm. Deputeti socialist Besnik Dervishi pohoi, madje, se vihet në dyshim puna 1-vjetore e KSHC-së. Ndërsa për republikanin Arjan Madhi raporti i paraqitur është i njëanshëm dhe nuk mund të merrej në shqyrtim. Puna e KSHC-së ka marrë kritika dhe nga Shërbimi i Monitorimit të Institucioneve të Pavarura, organ ky pranë Kuvendit. Në një memo të këtij shërbimi vihet theksi te kalimi i afateve ligjore për shqyrtimin e ankesave. Pas gjithë kësaj problematike, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i la KSHC-së 10 ditë afat për të paraqitur një raport të plotë për punën 1-vjeçare të tij, në rast të kundërt do të informohet Kuvendit për mosfunksionimin e tij.
Debatet
Paraqitja e raportit të Komisionit të Shërbimit Civil vetëm me firmën e kryetares ka sjellë debate në Komisionin e Ligjeve. Ndërkohë që socialistët kanë paraqitur vërejtje dhe për informimin me vonesë lidhur me përfundimet e nxjerra nga Shërbimi i Monitorimit të Institucioneve të Pavarura i ngritur pranë Kuvendit. “Shërbimi i Monitorimit është pranë Kuvendit pra është një nëpunës që na ndihmon ne që të verifikojmë në bazë të Kushtetutës punën e institucioneve të pavarura apo kur ato raportojnë në Kuvend. Nuk kam vërejtje për çfarë thuhet në memon e këtij shërbimi, por ne duhet ta kishim marrë atë 24 orë para”, - tha Fino, i cili kërkoi mendimin e kryetares së KSHC-së për vërejtjet e ngritura nga ky shërbim. Mimoza Hysenaj tha se ishte e befasuar nga këto përfundime, ndërsa pohoi se përfaqësuesi i Shërbimit të Monitorimit, Artur Baku, nuk mund të nxirrte konkluzione kur nuk e ka ndjekur sa duhet punën e KSHC-së. “Është e vërtetë se Artur Baku na është prezantuar si monitorues. Po desha të bëj një sqarim, ai mund të ketë ardhur në aktivitetin e KSHC-së të paktën 3 herë për 10-15 minuta. Nuk mendoj se në ato pak minuta ka parë problematikën e këtij komisioni. Me mua personalisht ai nuk ka folur asnjëherë për problemet që shtrohen. Unë befasohem nga këto vërejtje”, - tha ajo. Ndërkohë që deputeti socialist Pandeli Majko vlerësoi punën e Shërbimit të Monitorimit, por ndërkohë kërkoi sqarime pse mungonte në raport firma e anëtarëve të tjerë të KSHC-së. Hysenaj rishpjegoi se edhe pse kishte thirrur 5 herë mbledhjen e komisionit, nuk ishte arritur të diskutohej për raportin dhe si rezultat nuk ishte mundur të gjendej konsensusi. “Raporti i KSHC-së, i përgatitur nga grupi i punës u është dorëzuar komisionerëve më 2 shkurt. Nga kjo datë janë thirrur 5 mbledhje me temë diskutimi i raportit, por në të 5 mbledhjet komisioni nuk ka arritur t i hyjë këtij shqyrtimi për arsye të ndryshme që bllokonin mbledhjen. Të tërë ishin të përgjegjshëm që afati ishte i shkurtër, më 16 duhej dorëzohej raporti, por përsëri nuk u diskutua”, - sqaron ajo. Këto sqarime të Hysenajt nuk kënaqën aspak anëtarët e Komisionit të Ligjeve. Deputeti demokrat Sali Shehu vuri në diskutim zhvillimin e mbledhjeve gjatë një viti pune, ndërsa deputeti Dervishi vuri në diskutim vendimet e KSHC-së. “Mendoni se derisa nuk arrini të paraqisni raportimin e punës suaj për vitin 2008, nuk jeni në gjendje të miratoni një raport, keni punuar në vitin 2008, ka punuar KSHC-ja?”, - tha ai. Pas këtyre diskutimeve, Rusmali i caktoi KSHC-së 10 ditë afat për të paraqitur raportin. “I kërkoj KSHC-së që brenda 10 ditëve të zhvillojë mbledhje për raportin. Do t i kërkoja departamentit të monitorimit të asistojë këtë mbledhje. Në përfundim të 10 ditëve ne duhet të kemi vendimin e KSHC-së, cilido qoftë vendimi që të marrin në shqyrtim raportin, në të kundërt do të informojmë Kuvendin për mosfunksionim të KSHC dhe t i bëjmë propozimet përkatëse”, - tha ai.

Vërejtjet e Shërbimit të Monitorimit
Shërbimi i Monitorimit pranë Kuvendit gjatë monitorimit të punës së Komisionit të Shërbimit Civil ka vënë re një sërë problemesh, për të cilat ka paraqitur në Kuvend vërejtjet përkatëse. Sipas memos së paraqitur nga ky shërbim, në raport nuk ka informacion se sa nga këto ankesa kanë dalë jashtë afateve procedurale të ankimit 30-ditor që cakton ligji. Sipas tij, 40 për qind e ankesave kishin dalë jashtë afateve procedurale të animimit, çka nuk është reflektuar në raport. Gjithashtu, në raport mungojnë të dhënat për ecurinë e vendimeve të tij pas ndjekjes së tyre në Gjykatën e Shkallës së Parë. Shërbimi i Monitorimit thekson gjithashtu se në raport mungon pasqyrimi i bashkëpunimit institucional si dhe nuk është mbikëqyrur si duhet zbatimi i vendimeve të KSHC-së në institucionet e administratës.

KSHC, Ministria e Transporti më me probleme
Në Komisionin e Shërbimit Civil për vitin 2008 janë paraqitur plot 139 ankesa. 61 ankesa janë mbartur nga viti 2007. 7 prej ankesave janë mbartur për vitin 2009. Në bazë të këtyre të dhënave, numri total i ankesave të shqyrtuara ka qenë plot 193. Ankesat kryesore janë bërë nga institucionet e administratës publike të nivelit qendror, plot 78, ndërsa 44 janë bërë nga institucionet vendore. Ankesat më të shumta kanë qenë nga nëpunës të MPTT-së. Nga këta nëpunës janë bërë 16 ankesa, ndërsa 12 ankesa nga Ministria e Brendshme, 10 nga Ministria e Jashtme dhe 40 nga ministritë e tjera. Problematike ka qenë dhe administrata tatimore, nga e cila janë paraqitur 37 ankesa.

Ky lajm është publikuar: 18/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›