E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla, Integrimi: “Qeveria harron kritikat e BE-së”

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste kritikon Qeverinë lidhur me procesin e integrimit. Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Taulant Balla, pohoi dje se në nëntor të vitit të kaluar, kur Komisioni Evropian bëri publik progres raportin për vitin 2008, Sali Berisha deklaronte me papërgjegjshmëri se ky raport vlerësonte pozitivisht punën e Qeverisë, megjithëse kryefjala e këtij raporti ishte fakti që “korrupsioni në Shqipëri mbetet një problem veçanërisht serioz e masiv”, pra që nuk të jep asnjë shkak për të folur për suksese. “Vetëm Sali Berisha, njeriu mbi të cilin rëndon tërësisht përgjegjësia morale dhe politike e tragjedisë së Gërdecit, njeriu që e ka kthyer qeverinë në mjet pasurimi për të familjen e tij dhe oborrtarët e tij, njeriu që është paturpësisht sekseri një Serbi, njeriu që na turpëron çdo ditë në sytë e gjithë botës me pisllëqet dhe mbërtheckat e tij, ka papërgjegjshmërinë që sot katër muaj pas publikimit të progres raportit, nuk ka marrë edhe një hap të vetëm për adresimin e kritikave që burojnë nga ky Raport”, - tha ai. Balla kujtoi se më 6 nëntor Sali Berisha deklaronte se Raporti duhet kthyer në një axhendë pune, por kjo axhendë nuk u bë asnjëherë. Ai pohon se Qeveria duhet të kishte ardhur në Kuvend brenda muajit shkurt, sipas ligjit për Rolin e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, për të informuar Kuvendin, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në këto katër vjet. “Kuvendi i Shqipërisë, për shkak të papërgjegjshmërisë së Sali Berishës dhe axhendave turistike të Jozefina Topallit, është shmangur plotësisht nga roli drejtues që duhet të ketë në procesin e integrimit”, - tha ai. deputeti socialist pohoi se në takimin e fundit të Task-forcës konsultative Shqipëri-BE, pala shqiptare u kritikua sërish në sektorë si sistemi gjyqësor, korrupsioni, vizat, kontrolli kufitar, migracioni, pastrimi i parave etj. Pas deklaratës së tij kanë reaguar demokratët. Zëdhënësi i selisë blu, Gerti Bogdani, pohoi se “Mr. 15% apo tashme edhe Mr. Dosja, me zëdhënësin e tij të ri, një njeri që është ndaluar në kufijtë e vendeve fqinj, sepse ka nxjerrë viza dhe ka trafikuar me makinën e tij vajza të reja; një njeri që ka ndërtuar pasuritë e tij mbi trafikun e tyre, foli sot nga selia e Partisë Socialiste, me një gjuhë të një rrugaçi ordiner, në një deklaratë të diktuar nga z. Dosja, duke trilluar, mashtruar dhe dezinformuar qytetarët shqiptarë lidhur me progres- raportin e Bashkimit Evropian”.

Ky lajm është publikuar: 18/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›