Përplasjet në FRESSH, ja si dështoi protesta kundër Bashës
Tiranë- Të rinjtë e forumit eurosocialist kanë zhvilluar dje një protestë para Ministrisë së Brendshme, për të kërkuar largimin e ministrit Lulzim Basha, por duket se strategjia e tyre për një protestë deri në mesnatë është “djegur” në momentet e fundit. Burime nga FRESSH bëjnë me dije se organizata rinore përgatitej prej pesë ditësh për këtë protestë, por situata ka dalë jashtë parashikimeve. Zyrtarisht, kryetarja e FRESSH-it, Elisa Spiropali ka deklaruar se arsyeja e anulimit të protestës deri në mesnatë ka qenë fakti se ata nuk kishin qëllim të “provokonin” policinë, e cila sipas saj u kishte bërë të ditur se nuk do të lejonte një tubim 24 orësh. Por në fakt, përtej arsyeve zyrtare, anulimi i kësaj proteste maratonë ka më shumë lidhje me përplasjet e brendshme në forumin rinor të socialistëve. Disa nga organizatorët kryesorë të protestës, që kërkonte largimin e ministrit Basha, të pranishëm dje përpara Ministrisë së Brendshme, një orë pas fillimit të protestës kanë ikur të parët, duke shkaktuar një “reaksion zinxhir” dhe te protestuesit, që kishin ardhur aty të orientuar prej tyre. Nga ana tjetër mësohet se një pjesë e konsiderueshme e përfaqësuesve të FRESSH-it, nga disa rrethe të jugut, nuk kanë qenë aspak aktivë ditët e fundit në organizimin e kësaj proteste, për shkak të divergjencave dhe problemeve që kanë pasur me lidershipin e organizatës eurosocialiste në Tiranë, të drejtuar nga Elisa Spiropali. Burime nga forumi eurosocialist kanë bërë të ditur se, pas shpërndarjes së papritur të shumicës së pjesëmarrësve, rreth një orë pas fillimit të tubimit, organizatorët e djeshëm, në fillim janë përpjekur t’i mbajnë ende para Ministrisë së Brendshme, por më vonë janë detyruar të shpallin largimin dhe përfundimin e protestës. Në fillim të protestës, kryetarja e forumit, Elisa Spiropali deklaroi për televizionet prezente se protesta do të zgjaste të paktën deri në mesnatë dhe se protestuesit e rinj do të qëndronin aty gjithë natën, duke theksuar se ata ishin të vendosur për ta kryer këtë protestë maratonë. “Jemi të vendosur të qëndrojmë derisa ministri të largohet, pasi është përgjegjës për vrasjet e 21 janarit", - janë shprehur drejtuesit e FRESSH-it gjatë fillimit të protestës. Protesta ishte parashikuar të niste në orën 12:00, por nisi rreth orës 13:15 minuta. Motoja e protestës ishte drejtuar direkt për ministrin Basha, me moton “Ik vrasës, ik” dhe ishte vendosur që të bëhej 24 orë. Dhjetëra eurosocialistët, të grumbulluar para ministrisë, kanë thirrur dhe hedhur parulla kundër ministrit Lulzim Basha. Ata mbanin në duar fotografi të vogla të ministrit Basha, ku ishte shkruar “Wanted”. Policia nga ana e saj ka rrethuar me një shirit të kuq zonën e sigurisë. Pas më shumë se 40 minuta nga fillimi i protestës, kanë nisur të ikin dhe protestuesit e parë, ndërsa në këto momente, drejtuesja e FRESSH-it, Spiropali ka deklaruar për mediat se ishin të interesuar në gjetjen e mirëkuptimit me policinë për oraret e kësaj proteste të parashikuar si maratonë dhe të projektuar për t’u zhvilluar prej të paktën pesë ditësh. Në fakt kjo protestë e eurosocialistëve, u paralajmërua fillimisht nga vetë Kryeministri Berisha, në mbledhjen e qeverisë katër ditë më parë. Berisha ka deklaruar se Partia Socialiste ishte angazhuar në planifikimin e protestave, nëpërmjet forumit të saj rinor para Ministrisë së Brendshme, pasi mendonte se ministri aktual, Lulzim Basha do të ishte kandidati i kësaj partie për zgjedhjet vendore të 8 majit në Tiranë. Zyrtarisht, FRESSH-i ka deklaruar se arsyeja e vetme që ky forum proteston para Ministrisë së Brendshme ka lidhje me ngjarjet tragjike të datës 21 janar. Drejtuesit e FRESSH-it pretendojnë se ministri i Brendshëm, Lulzim Basha është përgjegjës direkt për ekzekutimin e katër protestuesve të Partisë Socialiste dhe për këtë arsye ata kërkojnë largimin e tij pa kushte.