E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: Vetëm zgjedhjet e parakohshme zgjidhin krizën

Kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, deklaroi dje nga Fieri se, “nëse zgjedhjet lokale do të imponohen, nuk mund të pranohen zgjedhje lokale në këtë situatë”. Sipas tij, zgjedhjet lokale nuk mund të zgjidhin krizën në të cilën është futur vendi dhe politika shqiptare, ndaj duhen zgjedhje të parakohshme për të larguar këtë qeveri dhe këtë Kryeministër. “Nuk mund të zgjidhet një krizë me këtë qeveri që ka nën akuzë Presidentin e Republikës, që ka nën akuzë institucionin e Prokurorisë, që ka nën akuzë Shërbimin Informativ Shtetëror. Ajo është në konflikt me këto institucione legjitime”, u shpreh Gjinushi. Deklarata e kreut të PSD-së u bë gjatë një takimi që ai mbajti në qytetin e Fierit me përfaqësuesit dhe simpatizantët në këtë rreth. Gjinushi akuzoi qeverinë Berisha si një qeveri të korruptuar dhe vrasëse. Sipas tij, 21 Janari i vuri kapakun gjithçkaje dhe se kryeministri Berisha është strumbullari i kësaj situate. “Protesta me gurë, tha ai, bëhen në çdo vend të Europës, në Greqi, Francë, Kroaci etj. Por atje nuk përdoren armët, ndërsa ato përdoren në një diktaturë Por edhe po u përdorën në diktaturë, diktatorët bien”, tha ai. Nëse nuk dënohesh për viktimat e Gërdecit, konstatoi ai, nëse nuk ka të dënuar për vrasjen e katër demonstruesve, të urdhëruar nga Kryeministri dhe ministri i tij i Brendshëm, Shqipërisë u duhen patjetër zgjedhje të parakohshme. “E drejta e shqiptarëve fitohet vetëm nëse ikën kjo qeveri”, tha kryetari i PSD-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›