Përplasjet për emrin e Maqedonisë në Hagë
Maqedonia ka filluar procedurën gjyqësore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër Greqisë, për bllokimin që i bëri ajo anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.
Arsyeja për këtë vendim, sipas Ministrit të Jashtëm të Maqedonisë, Antonio Milloshovski, është shkelja nga ana e Greqisë e Marrëveshjes së Përkohshme mes Shkupit dhe Athinës, e firmosur në vitin 1995.
Maqedonia thotë se kjo marrëveshje parashikon që Greqia të mos pengojë anëtarësimin e Maqedonisë në organizata ndërkombëtare.
Marrëveshja, e cila është regjistruar si e tillë edhe pranë OKB-së, konsiderohet si akt ndërkombëtar dhe prandaj për shkeljen e saj mund të ngrihet procedurë gjyqësore, thotë qeveria e Maqedonisë.
Sipas saj, qëllimi i këtij hapi është të mbrohet marrëveshja dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë do të kërkohet verifikimi i shkeljes të bërë nga ana e Greqisë me bllokimin e anëtarësimit në NATO, në samitin e Bukureshtit.
Do të kërkohet që Greqia dhe zyrtarët e saj të ndërpresin bllokimin e anëtarësimit të Maqedonisë në institucione ndërkombëtare.
"Aplikimi për fillimi e një rasti të tillë, do të duhet të përfundojë me një vendim përfundimtar, i cili do të jetë obligativ për të dy palët", tha ministri i Jashtëm Antonio Milloshovsi.
Ai gjithashtu shpjegoi se procedura gjyqësore nuk duhet të lidhet me negociatat për çështjen e emrit që bëhen me ndërmjetësimin e OKB-së, pasi Gjykata e Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë nuk trajton çështje politike.
Hapat e Maqedonisë, sipas tij kanë të bëjnë vetëm me shkeljen e marrëveshjes mes dy vendeve.
Ende nuk ka pasur reagime të tjera, por mendohet se këto hapa të qeverisë në Shkup do të ngadalësojnë dukshëm mundësinë e gjetjes së një kompromisi për çështjen e emrit me Greqinë.
OKB-ja ka caktuar Matthew Nimetz si të ngarkuarin special për diskutimet për emrin, por propozimet e deritanishme nuk kanë sjellë pajtueshmëri mes palëve.
Në fillim të vitit, Greqia vuri veton ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.
Greqia deklaroi kohët e fundit se mund të ripërdorë veton për anëtarësimin e Maqedonisë në BE.