E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre kryetarë bashkie shkelin ligjin

MARRËVESHJA/ Kryebashkiakët e Pogradecit, Ohrit e Strugës kanë vendosur të sfidojnë qeveritë përkatëse

Një traget do të kalojë pas pak ditësh “ilegalisht” nëpër liqenin e Ohrit, për të lëvizur strukturat shtetërore

POGRADEC – Bëhen pothuajse katër vjet që një marrëveshje mes Maqedonisë dhe Shqipërisë për vendosjen e një trageti pasagjerësh për linjën Pogradec – Ohër, mbetet në letër. Nisur nga një fakt i tillë, krerët bashkiakë të tre qyteteve që lagen nga ky liqen, në të dy shtetet fqinje, kanë vendosur që, për të vënë në lëvizje strukturat shtetërore përkatëse, të kryejnë shkelje të ligjit: të kalojnë me traget nga Ohri në Pogradec me gjithë administratën e tyre dhe me gazetarë rajonalë. Një nismë e tillë është ndërmarrë nga kryebashkiaku pogradecar Artan Shkëmbi, kryebashkiaku i Ohrit Aleksandër Petrevski dhe kryebashkiaku i Strugës Ramiz Merko.

Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Maqedonisë për vendosjen e tragetit u nënshkrua kohë më parë. Megjithatë, deri më sot ajo ka mbetur në letër vetëm për masa administrative. Lidhur me këtë fakt, nga pala maqedonasë është deklaruar se marrëveshja duhet të ratifikohet nga Ministria e saj e Jashtme!!! Ndërkohë, mungesa e një trageti të tillë që do të lidhte qytetet do të ishte pozitive për rritjen e turizmit në dy vendet fqinje, për shkak se fluksi i madh i turistëve në Manastirin e Shën Naumit do të “zbarkonte” edhe në Pogradec, çka do të rriste shumë mirëqenien e këtij qyteti. E njëjta gjë do të ndodhte edhe me qytetet maqedonase, që do të përfitonin nga turistët e mbërritur në Shqipëri. Nga ana e palës tonë, në fakt janë marrë masa që përveç krijimit të sportelit të doganës të qytetit, të krijohet edhe portali ku do të ankorohet trageti.

Lidhur me zvarritjet që tashmë po bëhen kryetarët e bashkive të Pogradecit, Ohrit e Strugës, së bashku me nënpunësit e tyre dhe njerëzit e medias kanë gjetur një lloj mënyre shumë “origjinale” për ta vënë në lëvizje shtetin. Me moton se edhe “peshqit lëvizin të lirë nga njëra anë e liqenit në tjetrën dhe kjo gjë duhet të ndodhë edhe me njerëzit”, Artan Shkëmbi, kryebashkiaku i Pogradecit, në bashkëpunim me homologët e tij ka marrë vendim dhe pas pak ditësh “do t’i bëjnë një sfidë kësaj zvarritjeje të pafund burokratike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›