E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefektura: Burimet e ujit të pijshëm, në rrezik

PROBLEMI/ Sipas ligjit, është e ndaluar që në zona që përbëjnë brezin e rreptësisë të kryhen ndërtime

VLORË - Burimet e ujit të pijshëm janë në rrezik. Alarmi tashmë është përcjellë deri te kryeministri i vendit dhe te strukturat e larta qeveritare, të cilave u është komunikuar se uji i pijshëm në Vlorë rrezikohet seriozisht nga ndotja. Shkak për këtë janë ndërtimet pa leje të kryera në një prej zonave të Ujit të Ftohtë dhe pikërisht atyre që ndodhen mbi burimet e ujit të pijshëm. Kërkesa është përpiluar nga një mbledhje e fundit në prefekturën e Vlorës, ku është diskutuar gjerësisht çështja e këtyre burimeve. Heqja e mbrojtëses së krijuar natyralisht te burimet dhe ndërtimet e kryera në këtë vend janë vlerësuar mjaft të dëmshme për të ardhmen e tyre. Gjendja e krijuar në zonë nuk është pa problematika. Pas prishjes së kurorës së ullinjve dhe portokalleve, pemë të cilat krijonin kurorën mbrojtëse të burimeve, rezultojnë ndërtime të cilat nuk kanë rrjetin e duhur të kanalizimeve të zeza, një rrezik ky që cënon kaptazhet e ujit. Në fakt, një gjë e tillë është përcaktuar me një udhëzim ministror, ku thuhet se “brezi i rreptësisë i cili rrethohet dhe bëhet i pakalueshëm, ky brez përfshin të gjitha veprat e marrjes së ujit, si kaptazhe, depo uji, stacione pompimi, vaska grumbulluese e klorifikimi; në këtë zonë ndalohet çdo ndërtim, përveç atyre të domosdoshme për nevoja të ujësjellësit”. Pasi është diskutuar disa herë në struktura brenda vendorit, pa gjetur dot zgjidhje, përfaqësues të bashkisë, ujësjellësit dhe prefekturës i janë drejtuar strukturave të qendrës për ndihmë. Rishikim të ekzistencës së disa ndërtimeve është ajo çka kërkohet për të ruajtur ujin e pijshëm nga ndotja. Zona kodrinore e Ujit të Ftohtë është mbushur thuajse tërësisht me ndërtime, ndërtime të cilat presin të hyjnë në procesin e legalizimit. Ende nuk ka një përgjigje zyrtare se si do të veprohet me këto ndërtime.

Presioni i OSSH-së dhe “holandezëve”, ujësjellësi nis prerjet

VLORË - Të detyruar për të vepruar jo vetëm nga nivelet e arkëtimeve, por edhe nga kompania holandeze që po ndjek investimet në ujësjellës, si dhe struktura të OSSH-së, administrata e ndërmarrjes së ujësjellësit është gjendur dje në terren duke nisur prerjet te debitorët e ujit të pijshëm. Drejtori i ujësjellësit Viron Hysi pohon se holandezët kërkojnë nivele të kënaqshme arkëtimi për ecurinë e mëtejshme të projektit që ata po zbatojnë në Vlorë dhe, gjithashtu, OSSH-ja kërcënoi se do të ketë prerje të energjisë në pompat e ujësjellësit, nëse kjo ndërmarrje nuk i shlyen detyrimet. Rënia e nivelit të arkëtimeve të ujit të pijshëm, si dhe ky presion që indirekt ka ndërmarrja në fjalë, ka konkretizuar dje në terren aksionin në shkallë të gjerë për prerjet masive ndaj debitorëve të ndërmarrjes së ujësjellësit. Përfaqësues së ndërmarrjes së ujësjellësit, me në krye drejtuesin e institucionit, i janë drejtuar sot zonës së 7 pallateve në Ujë të Ftohtë, ku edhe furnizimi është 24 orë, por pagesat janë në nivele të ulëta. Edhe pse fatura që i duhet paguar ujësjellësit, vlerësohet me një peshë të vogël për buxhetet familjare, gjithsej 540 lekë të rinj në muaj, madje edhe ndër më të voglat në shkallë vendi, kjo nuk ka mundur të ndikojë te arkëtimet. Së bashku me debitorët, nga prerjet e nisura tek ta, do të preken edhe një masë popullate që realisht është e rregullt. Kjo për shkak të mënyrës së furnizimit të ujit të pijshëm, një fakt ky që e detyron ndërmarrjen ta shohë këtë prerje si të vetmen masë për të mbledhur detyrimet. Prerjet do të vijojnë të shtrihen në të gjithë qytetin, duke nisur fillimisht te ato zona ku numri i debitorëve është më i lartë. Paralelisht me aksionin e nisur, vetë ndërmarrja i ka nisur një kërkesë strukturave nga varet, për të rritur tarifën e vendosur për ujin e pijshëm, çështje kjo për të cilën nuk është marrë ende një vendim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›