E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekuestrohen në Kakavijë 108 kg marihuanë

ZBULIMI/ Policia kufitare arriti të shquante e më pas të tentonte të ndalonte tre shtetas që kishin me vete lëndë narkotike

Zbulimi i tre trafikantëve të drogës nga ana e unifomrave blu u realizua përmes të kamerave termike në kufi

GJIROKASTËR- Kapet me drogë një student i degës së Ekonomikut në qytetin e Gjirokastrës, ndërsa dy persona të tjerë ndaj të cilëve është ngritur e njëjta akuzë, kanë mundur që t’u shpëtojnë uniformave blu. 108 kilogramë është sasia e lëndës narkotike që tre personat tentuan të kalonin në anën tjetër të kufirit, ndërsa arritën të zbuloheshin nga kamerat termike. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se tre personat u panë rreth 1 kilometër larg kufirit grek, ndërsa po përfitonin nga zona e gjelbër. Ndërsa u prangos një 24-vjeçar, vazhdojnë hetimet për zbulimin e dy personave të tjerë bashkëpunues në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Arrestimi

Siç ndodhi edhe tri ditë më parë, ku persona, një pjesë ende të paidentifikuar, tentuan që nëpërmjet vijës së gjelbër të kufirit të trafikonin lëndë narkotike drejt Greqisë, situate u përsërit dje. Zbulimi fillestar i personave u bë nga njësiti i policisë kufitare, të ndihmuar edhe nga kamerat termike. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Gjirokastrës, “policia kufitare e Kakavijës, gjatë kryerjes së shërbimit, duke vëzhguar me kamera termike, përballë një pike karburanti, rreth një kilometër larg pikës së kalimit kufitar, konstatoi 3 persona. Secili prej tyre kishte nga një çantë të madhe shpine dhe po lëviznin në drejtim të kufirit jeshil me shtetin grek”. Një fakt i tillë ka bërë që tek uniformat blu të lindin dyshimet, çka e çuar njësitin e policisë kufitare t’u afrohet në distancë dhe t’u bëjë thirrje tre të dyshuarve të ndalojnë. Por, reagimi i tyre ka qenë i kundërt. Tre shtetasit nuk i janë përgjigjur thirrjes së policisë, por kanë hedhur çantat përtokë dhe janë larguar me shpejtësi në thellësi të tokës shqiptare, duke përfituar nga errësira dhe nga mjegulla e dendur që kishte mbuluar një pjesë të zonës. Sipas policisë, pas kësaj është kryer rrethimi i vendit dhe në një largësi jo shumë të madhe është kapur njëri prej këtyre shtetasve dhe pikërisht 24-vjeçari Klodian Basha, lindur dhe banues në Qesorat të rrethit Tepelenë, student në vitin e tretë, në Fakultetin Ekonomik në universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër.

Hetimet

Grupi hetimor i cili këqyri vendngjarjen konstatoi 3 çanta shpine të mëdha me ngjyrë të zezë, të hedhura në një kanal në mes të fushës. Mësohet se në secilën çantë kishte nga 3 pako në formë katrore të mbështjella me letër natriban të tejdukshme, me peshë 12 kilogramë secila, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar si marihuanë dhe në total janë sekuestruar 108 kilogram drogë. Ky është rasti i dytë brenda dy ditëve, kur trafikantët e lëndëve narkotike kanë përdorur të njëjtën skemë. Aktualisht për këto dy ngjarje janë në kërkim gjashtë vetë, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur për arsye hetimi. I vetmi i arrestuar deri tani, 24- vjeçari Klodian Basha, do të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›