E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama kërkon të maskojë humbjen e partisë së tij me kontestimet që i bën procesit”

15/07/2009  Kryeministri Sali Berisha komenton situatën pas zgjedhore në një intervistë për “Zërin e Amerikës”

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha në një intervistë për "Zërin e Amerikës" se zgjedhjet e përgjithshme janë një fitore e rëndësishme për të vazhduar projektin e Shqipërisë europiane. Zoti Berisha tha se ende nuk kanë filluar negociatat me LSI-në për qeverinë e re dhe se në bashkëpunimin mes këtyre dy forcave mbizotërojnë projekte të qarta për integrimin europian të Shqipërisë. Kryeministri Berisha komentoi edhe marrëdhëniet me Partinë Socialiste dhe situatën ekonomike të vendit.

- Do tju pyesja në fillim për atë që është lajmi i fundit. Cili është komenti juaj për rezultatet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nxori për Fierin, po diskutimet për Beratin?

- Unë nuk kam asnjë koment. Siç dihet, jam shprehur se rezultati përfundimtar del nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili, me sa shoh unë, ka bërë një punë shumë serioze dhe në zbatim të plotë të ligjit. Ndaj dhe institucionet e vlerësimit të rezultatit, si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor, janë institucione që do të bëjnë punën e tyre pa asnjë lloj presioni. Natyrisht, në qoftë se ekspertët tanë nuk bien dakord, kanë Kolegjin Zgjedhor për tu drejtuar. Kjo është për të gjitha partitë politike, ndaj unë nuk kam ndonjë koment të veçantë.

- Sot jemi dy javë pas zhvillimit të zgjedhje dhe rezultati përfundimtar zyrtar nuk ka dalë ende. Ndërkohë socialistët kërkojnë numërim edhe në zona të tjera. A e shihni me shqetësim këtë vonesë të nxjerrjes së rezultatit?

- Në qoftë se vlerësojmë tërësinë e ankesave, këto kanë qenë më minimalet në historinë e zgjedhjeve. Ka pasur një problem në këto zgjedhje, që ishte jashtë parashikimit të ligjbërësve dhe ligjvënësve: ishte numri i sallave të numërimit. U përcaktuan 66 salla, të cilat e bënë procesin e numërimit të zgjatur dhe të lodhshëm. Ishte një mbingarkesë, çështë e vërteta. Mendoj se në zgjedhjet e tjetra sallat duhet të dyfishohen.

- Pra, ju shikoni vetëm numrin e vogël të grupeve të numërimit si problemin kryesor të zgjedhjeve? Kam parasysh se vëzhguesit ndërkombëtarë e kanë pasur gojën shumë të hidhur në të dy raportet që kanë nxjerrë: edhe në raportin menjëherë pas zgjedhjeve, edhe raportin para disa ditësh. Ata kanë bërë shumë kritika për mënyrën se si është numëruar dhe për mënyrën se si është votuar. Çfarë përgjegjësish mban qeveria për gjithë këto kritika të vëzhguesve ndërkombëtarë?

- Qeveria do të mbante përgjegjësi në qoftë se do të bënte përpjekjen më të vogël për të ndikuar në rezultatin. Qeveria ka bërë përpjekjet më të mëdha për të ngritur infrastrukturën më moderne. Nuk ka ndonjë infrastrukturë më moderne sesa kjo e Shqipërisë. Kjo ishte ana e qeverisë. Së dyti, qeveria bashkë me opozitën, se Kodi Zgjedhor është konsensual, por parashikimi për kaq e aq qendra numërimi mbase qe i gabuar. Sigurisht, qeveria mban pjesën kryesore të përgjegjësisë, por sigurisht një pjesë e mban edhe opozita, sepse Kodi u bë bashkërisht. Edhe paracaktimi me ligj se rezultati i zgjedhjeve duhej të dilte të nesërmen ora kaq apo aq nuk ishte realist.

- Socialistët po ju akuzojnë edhe për ndikime mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe dëmtim të numërimit.

- Unë nuk jam prononcuar për Komisionin Qendror të zgjedhjeve, por gjer tani, po të analizohet veprimtaria e tyre, mendoj se janë komisionerët socialistë ata që i kanë lejuar vetes të përdorin dy standarde. Dhe në asnjë rast e në asnjë rrethanë komisionerë përfaqësues të shumicës nuk kanë përdorur dy standarde, nuk kanë bërë dy interpretime të ligjit. Kjo ka ndodhur në mënyrë të përsëritur nga komisionerët e Partisë Socialiste, por unë kam treguar mirëkuptim, meqenëse përfaqësojnë opozitën. Por në tërësi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka funksionuar me një maksimum konsensusi. Kurse vlerësimi i përgjithshëm i zgjedhjeve është një vlerësim universal se këto zgjedhje ishin më të mirat të zhvilluara ndonjëherë. Standardet? Mendoj se nuk ka vend në botë ku zgjedhjet nuk vuajnë për standarde.

- Zoti Berisha, si i keni pritur ju deklaratat e Partisë Socialiste se nuk do të njohin zgjedhjet nëse nuk rinumërohen disa zona. Është një gjë e pazakontë që një opozitë të deklarojë se nuk do të njohë zgjedhjet.

- Absolutisht pa asnjë lloj impresioni.

- Si, nuk keni asnjë impresion kur opozita thotë se nuk do të njohë zgjedhjet?

- Jo, nuk mund të kem impresion unë nga presione të tilla. Në qoftë se zoti Rama përpiqet që me deklarata të tilla të maskojë përgjegjësinë që ka për humbjen, ajo është përzgjedhja e tij. E rëndësishme është një gjë: qysh ditën e parë, sot e në vazhdim unë kam kërkuar dhe kërkoj të zbatohet ligji, ligji dhe vetëm ligji. Nuk mund të ketë imponime; as unë nuk mund tu imponoj gjë atyre dhe as ata nuk mund të imponojnë. Mendoj se institucionet e vlerësimit të rezultateve duhet të punojnë jashtë presioneve. Në qoftë se zoti Rama një herë gjen kutinë e Beratit, pastaj kutinë e Fierit, pastaj këtë, pastaj atë për tu mbrojtur nga rezultati që nuk arriti, ky është problem i tij, është përzgjedhje e tij, nuk është imi fare, nuk ka të bëjë me mua.

- Zoti Berisha, edhe ju nuk i arritët ato rezultate që prisnit nga zgjedhjet. Ju bëtë një fushatë shumë entuziaste, premtuat se do të kishit një fitore të thellë pas rezultateve shumë të mira të qeverisjes, sidomos në infrastrukturë. Megjithatë, rezultati i zgjedhjeve doli shumë i ngushtë. Si e komentoni ju këtë dyzim të popullatës? Si më 2005-n, edhe këtë radhë është pothuajse një barazim midis dy partive më të mëdha.

- Në fakt, koalicioni im është koalicioni fitues. Kjo është e tëra.

- Për rezultatin e ngushtë e kisha fjalën.

- Më fal, kam vetëm një shpjegim. Fitorja, e madhe apo e vogël, është si diamanti: shkëlqen. E dyta, a kam unë zemërthyere për këtë rezultat? Absolutisht jo. Pse? Në natyrën time unë gjithmonë punoj me koalicion. Këtë e kam bërë edhe në 2005 dhe gjithmonë. Mendoj se rezultati i këtij votimi ka imponuar kësaj radhe një koalicion realisht të dobishëm për vendin. Kështu që unë shoh një katërvjeçar me një qeverisje të qëndrueshme dhe me një opozitë të fortë në Parlament. Një katërvjeçar ku në tryezë janë me qindra e qindra projekte të asaj që unë premtova në fushatën elektorale: Shqipëria europiane. Pra, jam i bindur se do të jetë katërvjeçari i rezultateve më të mëdha.

- Më lejoni, ju lutem, tju bëj një pyetje për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ju gjatë gjithë kohës keni kritikuar ashpër LSI-në, pastaj i keni marrë mbrapsht ato duke thënë se ato akuza ishin limonada elektorale. Nga ana tjetër, LSI-ja ka bërë kundër jush një fushatë po aq kritikuese me parullën “Berisha ik!”. Ka shumë njerëz që e shikojnë me dyshim këtë bashkëpunim tuajin të ri.

- Së pari, ky bashkëpunim bazohet mbi një marrëveshje politike, që Sali Berisha nuk i ka shkelur kurrë. Pra, të gjitha ato që thoni ju shuhen për shkak të marrëveshjes. Së dyti, Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë e majtë tmerrësisht e persekutuar me ligj nga Partia Socialiste dhe jo nga Partia Demokratike, asnjëherë dhe në asnjë rast. Jo se ne kishim një intension postelektoral, por persekutimi dhe përdorimi i pushtetit për të përjashtuar një forcë politike është i papranueshëm për parimet që ne mbajmë. Dhe Lëvizja Socialiste për Integrim është e vetëdijshme për këtë. Le të marrim praktikën europiane dhe botërore. Kundërshtarët, kur për interesa më të mëdha, bëjnë marrëveshje, jam i sigurt se ata në arkivat e tyre kanë të njëjtat shprehje që ekzistojnë në arkivin e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim gjatë fushatës.

- Mirë, por pyetja konsiston në këtë: sa serioz është ky bashkëpunim? Shumë analistë dhe qytetarë mendojnë se ky është thjesht një bashkëpunim për të mbajtur pushtetin, pra jo një bashkëpunim lidershipi për një të ardhme më të mirë.

- Jo, jo. Ky është një bashkëpunim për projektin e madh të Shqipërisë europiane. Ky është një bashkëpunim që diktohet nga rezultati i votimit. Ky bashkëpunim nuk bëhet për ti bërë një favor Ilir Metës ose Sali Berishës. Jo. Në rast se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të ekzistonte sot, absolutisht unë do të kërkoja koalicion me Partinë Socialiste, sepse kjo është një praktikë konstante. Sot nuk shkohet më në zgjedhje për rezultatin e tyre, shkohet në zgjedhje kur koalicionet e krijuara nga zgjedhjet nuk funksionojnë. Në rast se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të ishte një forcë në këto përmasa, unë gjënë e parë që do të bëja do ti kërkoja Partisë Socialiste koalicion. Dhe në rast se unë do të isha koalicion i dytë dhe jo i parë, pas dorëheqjes sime, do të ishte rekomandimi i koalicionit tim për të bërë një koalicion me Partinë Socialiste. Këto janë rregulla të cilat Shqipëria dhe shqiptarët duhet ti ndjekin, sepse janë rregulla që praktikohen sot në një sërë vendesh, si në Gjermani, Austri dhe vende të tjera. Ky është diktati që vjen nga sovrani.

- Ndërkohë ju me siguri keni filluar të vizatoni, të projektoni kabinetin e ri qeveritar. Cilat do të jenë, sipas jush, ata sektorë, ato ministri që janë të panegociueshme, që Partia Demokratike do ti mbajë vetë dhe çfarë keni menduar të ndani me Lëvizjen Socialiste për Integrim?

- Në një koalicion negociohet gjithçka. Por me Lëvizjen Socialiste për Integrim kam një marrëveshje: meqenëse Kushtetuta imponon se nuk mund të krijohet qeveri e re të paktën gjer më datën 28 gusht, në mënyrë që të paraqitet brenda dhjetë ditëve në Parlament programi – është një përcaktim shumë strikt kushtetues – unë vazhdoj punën intensive me këtë qeveri. Dhe nuk do të bëjmë negociata, nuk po bëjmë negociata për karrige, për poste, sepse kjo në mënyrë të panevojshme mund të krijonte një lloj çmobilizimi në administratë dhe e vërteta është se administrata po punon me kapacitet të plotë. Së dyti, po hartojmë buxhetin dhe është e domosdoshme që ky buxhet të hartohet brenda këtyre dy muajve dhe Parlamenti i ardhshëm në shtator të ketë mundësinë ta marrë dhe ta shqyrtojë. Do të ketë për të gjitha ndryshimet dhe për të gjitha propozimet. Pra, është pikërisht ritmi i punës ai që na ka obliguar që të mos merremi me portofole dhe me karrige.

- Cilat janë ato poste dhe ata sektorë që ju nuk keni ndër mend tia lini Lëvizjes Socialiste për Integrim, p.sh. diplomacia, ekonomia?

- Ska. Nuk mund të vihen kushte në një koalicion. Por një gjë është e sigurt: Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë politike me kapacitete reale njerëzore. Të jemi realistë. Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë politike që gjatë këtyre viteve në opozitë ruajti gjithnjë alternativa. Ana më pozitive e këtij koalicioni është se të dyja këto forca – ne si qendër e djathtë dhe ata si forcë politike e majtë – janë të angazhuara për procesin e integrimit. Së këtejmi vjen edhe emri i tyre: Lëvizja Socialiste për Integrim. Sepse kishte një lloj konfuzioni për procesin e integrimit nga Partia Socialiste, ndaj edhe doli kjo forcë për integrim. Lideri i saj, Iliri Meta, është një personalitet politik, i cili që në angazhimin e tij në Partinë Socialiste ka qenë për integrimin. Edhe kur ajo parti më bënte mua rezoluta kundër bashkëpunimit me NATO-n, zëri i Ilir Metës, Pandeli Majkos dhe ndonjë tjetri në atë parlament ishte pro. Ishin vitet 1993–1994.

- Zoti Berisha, ju lutem edhe një pyetje të fundit për ekonominë. Ju e përmendët pak buxhetin më parë. Ka vështirësi ekonomia, kriza botërore po ndikon mbi ekonominë e vendit. Ndërkohë autoritetet ende nuk e kanë pranuar ekzistencën e një krize në ekonomi, apo se ka një platformë për tu përballur me të. Cilat do të jenë angazhimet tuaja për përmirësimin e ekonomisë së vendit? Po marrëdhëniet me Fondin Monetar Ndërkombëtar cilat do të jenë, a do ti riktheni ato në nivele të larta? Banka Qendrore e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë bërë parashikime skeptike për ekonominë e gjysmës së dytë të vitit.

- Unë të garantoj se në këtë vend nuk ka krizë. Dhe këtë mund ta faktoj me të gjithë treguesit ekonomikë. Sigurisht, rritja nuk do të jetë 8 apo 10 për qind, do të jetë diçka më e vogël, por do të jetë qartësisht më e madhe se ajo që ne kemi shpallur pas fillimit të krizës. Kam të gjithë treguesit dhe ata janë secili me optimizmin e vet. Unë, zotëri, nuk mund të bëj mala dimaginere. Kjo ekonomi ka treguesit e vet. Le të urdhërojë kush të dojë ti shohë. Ka një rënie të lehtë eksportesh, është e vërtetë. Ka një rënie të lehtë të kreditit, por krediti aktualisht është në rritje dhe kursimet janë në rritje. Urdhëroni performancën fiskale. Ka një rënie në dogana për shkak të çmimit botëror të naftës dhe të grurit, pjesa tjetër po realizohet, por ka një realizim të plotë në tatime. Do të dalin treguesit. Ju garantoj se ky ka qenë deri tani dhe do të jetë një vit fare i mbarë. Nuk mund të them se nuk do të ketë ndikim nga bota, por ne i rritëm rrogat dhe ata që menduan se do të boshatisej buxheti dolën të gabuar.

- Fushata, për shembull, a ndikoi mbi ekonominë?

- Po të marrësh performancën, tatimet kanë punuar në mënyrë të shkëlqyer. Investimet kanë vazhduar. Nuk mund të them se nuk ka pasur një hezitim në vendimmarrje. Vetë qeveria ka pasur një hezitim në vendimmarrje. Investitorët kanë pasur një hezitim në vendimmarrje. Një sërë anijesh kanë qëndruar në radë në det për të pritur rezultatin e zgjedhjeve, se kushedi pala tjetër u kishte bërë një premtim. Pra, nuk është se nuk ka pasur ndonjë ndikim, por nuk është se ka krizë. Po të kishte krizë, unë do ta pranoja i pari. Me Fondin Monetar Ndërkombëtar sigurisht që do të kooperojmë ngushtësisht në kuadrin e Artikullit 4. Nuk jemi ne që kemi shpallur bashkëpunimin në kuadrin e Artikullit 4, por është Fondi Monetar Ndërkombëtar. Sepse Shqipëria u zhvendos nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta në grupin e vendeve me të ardhura mesatare. Dhe kjo është një praktikë standarde automate e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Çfarë po bëjmë ne? Ne po zbatojmë rigorozisht ato që kemi rënë dakord me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe do të kemi bashkëpunim në kuadër të Artikullit 4. Të gjitha komentet e tjetra janë të pajustifikuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›