E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza politike, Topalli dhe Dade, betejë deklaratash



Ndonëse kriza politike në vend ka zgjeruar hartën ndërkombëtare të shqetësimit, shihet qartë se të dyja forcat kryesore politike në vend nuk janë të gatshme të lëshojnë pe. Duke marrë shkas nga letra që kongresisti amerikan, Bill Delahunt, i dërgoi dy ditë më parë kryeministrit Sali Berisha, nëpërmjet së cilës i kërkonte këtij të fundit që të hapte kutitë me qëllim normalizimin e jetës politike dhe institucionale në vend, sekretarja për Politikën e Jashtme në Partinë Socialiste, Arta Dade, i bëri thirrje kreut të qeverisë që të reflektojë ndaj kërkesës së SHBA-ve. Por, si për të baraspeshuar efektin politik që shkaktoi deklarata e kongresistit amerikan, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila, në një prononcim për mediat, e ka komentuar deklaratën e bërë nga KiE në favor të maxhorancës, duke shkëputur një pasazh të kësaj deklarate që opozita të kthehet në Kuvend. Gjithsesi, ajo që është e qartë nga deklaratat e ndërkombëtarëve, përtej velit të interpretimeve të të dyja zonjave të PD-së dhe PS-së, është fakti se në Shqipëri ka një krizë serioze politike, e cila, nisur nga qëndrimet e sipërpërmendura, nuk ka gjasa që të zgjidhet në një të ardhme të afërt.
Topalli
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka falënderuar dje Këshillin e Europës për deklaratën e dhënë nga Byroja e Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni. Topalli këtë deklaratë e ka cilësuar pozitive, në të mirën e Shqipërisë, e cila kërkon që opozita të jetë pjesë e punimeve parlamentare, në komisionet parlamentare, në seancat parlamentare, në punën e ligjvënësit, e ligjbërësit, në funksionin e tyre të kontrollit parlamentar dhe në të gjitha detyrimet që jep mandati i tyre në shërbim të popullit. Kryetarja Topalli e ka ftuar opozitën që ta lexojë me sinqeritet deklaratën e KiE-së. “Është një deklaratë që është në të mirën e Shqipërisë, e cila kërkon që opozita të jetë pjesë e punimeve parlamentare, në komisionet parlamentare, në seancat parlamentare, në punën e ligjvënësit, e ligjbërësit, në funksionin e tyre të kontrollit parlamentar dhe në të gjitha detyrimet që jep mandati i tyre në shërbim të popullit”, - deklaroi Topalli.

Dade
Nga ana tjetër, deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, ka reaguar dje ndaj letrës së kryetarit të Nënkomisionit për Europën në Komisionin e Politikës së Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kongresistit Bill Delahunt, i cili dy ditë më parë ia ka dërguar kryeministrit Sali Berisha lidhur me zgjidhjen e krizës politike. Sipas saj, bindja e tij se kriza do të zgjidhet duke bërë transparencën e plotë të procesit elektoral, përfshirë hapjen e kutive nga komisioni hetimor parlamentar është në përputhje me atë që opozita e ka kthyer në kauzën e saj. “Partia Socialiste e Shqipërisë vlerëson letrën që kryetari i Nënkomisionit për Europën në Komisionin e Politikës së Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kongresisti Bill Delahunt i ka dërguar kryeministrit Berisha lidhur me zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale që ka mbërthyer Shqipërinë prej tetë muajsh”, - tha Dade, duke nënvizuar se “transparenca zgjedhore është e domosdoshme edhe për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit zgjedhor, i cili nuk mund të bëhet pa bërë vlerësimin e saktë të asaj që ka ndodhur në zgjedhjet e fundit parlamentare”.

Letra
Kryetari i Nënkomitetit për Europën në Komisionin e Politikës së Jashtme të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, kongresisti Bill Delahunt, përmes një letre drejtuar kryeministrit Sali Berisha ka shprehur shqetësimin për krizën politike që po kalon Shqipëria që pas zgjedhjeve të 28 qershorit. “Sidoqoftë, duke pasur parasysh shembullin e fundit në lidhje me legjislacionin mbi shërbimin e inteligjencës, të cilin ju e tërhoqët nga Parlamenti nën presionin e aleatëve të NATO-s, si dhe ngërçin politik që pasoi zgjedhjet parlamentare të vitit që shkoi, Shqipëria duhet të vazhdojë të konsolidojë institucionet e saj demokratike dhe të forcojë sundimin e ligjit. Jam në dijeni se një delegacion i kohëve të fundit i Këshillit të Europës ka propozuar një zgjidhje të krizës politike bazuar në parimet e mëposhtme, parime që janë të bazuara te korniza kushtetuese e Shqipërisë: Krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009, të kryesuar nga një përfaqësues i opozitës dhe në të cilin opozita do të ketë një maxhorancë efektive; amendime të Kodit Elektoral, të përgatitura nga komisioni hetimor dhe në përputhje me rekomandimet e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë, si dhe me Rezolutën 1709; dhe dhënien opozitës një pjesë të drejtë të kryesive të komisioneve parlamentare. Për më tepër ju nxis juve që të hapni kutitë e kontestuara të votimit, në kuadrin e hetimit parlamentar të propozuar. Ky veprim është në përputhje me një përkushtim të fortë ndaj procesit demokratik të lirë e të ndershëm dhe do të mundësonte një vlerësim të qartë në funksion të përmirësimit të sistemit elektoral në të ardhmen. Nga zgjedhjet e besueshme dhe institucionet e forta demokratike në Shqipëri nuk do të përfitonte vetëm populli shqiptar, por do të forcoheshin më tej edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së, si dhe pozicioni i Shqipërisë në NATO dhe Europë.

Këshilli i Europës
Byroja e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës shpreh shqetësimin për vazhdimin e krizës politike në Shqipëri. KiE u bën thirrje liderëve politikë që të mundësojnë rivendosjen e dialogut politik në Parlament dhe të fitojnë mbështetjen e popullit për proceset demokratike në vend. Të gjitha forcat politike duhet të marrin pjesë në mënyrë aktive dhe me baza të përhershme në punën e Parlamentit. Institucionet demokratike të shtetit duhet të funksionojnë pa asnjë vonesë, në mënyrë të tillë që të kapin me urgjencë reformat e nevojshme për integrimin e vendit në BE. Për më tepër, Byroja përsërit sugjerimin, të cilin e ka bërë edhe gjatë vizitës së Komitetit Presidencial, që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë t’i kërkojë një opinion Komisionit të Venecias për qëllimin kryesor të komisionit hetimor parlamentar për çështjen e hapjes apo jo të kutive të votimit.

Topalli: “Parlamenti është i hapur për t’i dhënë përvojë Kuvendit të Kosovës”

Parlamenti Shqiptar mbetet i hapur në dhënien e përvojës parlamentare për të gjithë deputetët, por edhe administratën e Kuvendit të Kosovës. Kjo është deklarata që ka bërë dje kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, gjatë takimit me deputetë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë që në një kohë kaq të shkurtër kryetari i Kuvendit të Kosovës, ministri i Jashtëm, deputetë të Komisionit të Ligjeve dhe të Komisionit të Sigurisë kanë pasur takime intensive në komisionet reciproke në Shqipëri, me ministra dhe përfaqësues të politikës shqiptare. Kjo vizitë ka marrë një rëndësi të veçantë për faktin se Komisioni i Sigurisë i Kuvendit të Kosovës është krijuar vetëm prej gjashtë muajsh, për faktin se vetë institucionet e sigurisë në shtetin e ri të Kosovës janë në formim e konsolidim. Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës patën një takim edhe në Komisionin për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë.

28 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›