E Diel, 1 Nëntor 2026

Përralla qeveritare për shëndetësinë

Është i njohur fakti, që në sistemet shoqërore diktatoriale ose gjysmë demokratike, vlerësimi i jetës në vend vizatohet nga dy realitete, njëri është realiteti virtual i përshkruar me ngjyra të ndezura, të bukura, plot dritë e begati, i parë me syrin e qeverisjes aktuale dhe realiteti tjetër, ai i vërtetë, i ndjerë deri në palcë nga qytetarët e atij vendi, që është i zymtë, i vështirë, i mbushur plot varfëri e dhimbje.
Edhe ne shqiptaret kemi “fatin” në këto vite të provojmë këtë çudi, pra të jetojmë në dy realitete. Më shumë se kudo kjo diferencë vlerësimi ndeshet në vlerësimin e gjendjes shëndetësore të popullatës e për pasojë të sistemit tonë shëndetësor. E parë me sytë e qeveritarëve të sotëm të shëndetësisë, gjendja e sistemit tonë shëndetësor sot përshkruhet gati-gati si një parajsë shëndetësore, “me reforma të gjithanshme, të vrullshme, super të suksesshme, që po zhvillohen gjithandej” me “suksese të jashtëzakonshme në të gjithë sektorët e shëndetësisë”, që e kanë shndërruar sistemin tonë shëndetësor lider në rajon e bile të krahasueshëm edhe me vendet e zhvilluara të BE, etj., etj., marrëzira të këtilla. I kapluar nga një gjendje e tillë emocionale, ministri ynë i Shëndetësisë z.Petrit Vasili doli pak ditë më parë në ekranet e shqiptarëve e me tonin e tij kategorik, të prerë e që nuk pranon kundërshtimin më të vogël, deklaroi thagmat e radhës si: “vdekshmëria foshnjore në vitin 2011 sipas statistikave shënon 8.7 vdekje për 1000 lindje të gjalla, duke e radhitur vendin tonë në listën e vendeve të zhvilluara si Austria, Danimarka, Belgjika, Norvegjia, Anglia dhe SHBA-të”. Më tej, sa i takon kujdesit shëndetësor ndaj gruas, sipas Vasilit, “vendi ynë renditet ndër tri vendet e para në botë.” Dhe e treta e vërteta, “Tashmë ne kemi një mbulesë vaksinale në masën 98 për qind të popullatës.” Për t’i bërë të besueshme këto “arritje” të sistemit tonë shëndetësor, z. ministër iu referua “raporteve të burimeve ndërkombëtare, si Organizata Botërore e Shëndetësisë, Banka Botërore, UNICEF dhe NFPA.” Dhe qershia mbi tortë, referimi “më bindës” është ai i prestigjiozes “The Guardian”, e cila nga ana e saj i referohet revistës mjekësore “The Lancet”, që e referon Shqipërinë në 22 vendet e para në botë sa i takon kujdesit ndaj gruas dhe vdekshmërisë amtare (të dhënat i referohen 2008-ës), duke lënë pas vende të tilla si Britania e Madhe.” I frymëzuar nga ministri i tij e në të njëjtën gjatësi vale me të, por nga poltroni i Kryeministrit të vendit, zoti Berisha përsëriti të njëjtin avaz, se “për herë të parë vendi ynë arrin këta tregues themelorë të jetës, duke u renditur në grupin e vendeve të zhvilluara, me mortalitet infantil njëshifror”. Por sidoqoftë, deklarimi i tij se “Shqipëria renditet e treta për sa i përket aksesit në shërbimin shëndetësor, më të lehtë se të gjitha vendet e tjera”, lë “pa mend” jo vetëm ekspertët e politikave shëndetësore vendas e të huaj, por mbi të gjitha, miliona qytetarët anekënd këtij vendi, ata dhjetëra mijëra të sëmurë që provojnë mbi kurrizin e tyre këtë “parajsë” shëndetësore të sistemit tonë shëndetësor. Janë vetë qytetarët shqiptarë ata që sot më shumë se kurrë provojnë mbi lëkurën e tyre këtë dështim, duke marrë një shërbim jo cilësor, me mungesa të theksuara edhe në ato më elementaret si barnat, reagjentët e kushtet higjieno–sanitare, e duke e ndjerë thellë në shpirtin e kuletën e tyre zhvatjen me lloj-lloj pagesash e korrupsioni ekstrem. Aksesi i mangët dhe/ose i munguar i popullatës për shërbim shëndetësor të të gjitha niveleve: shëndet publik, kujdes shëndetësor parësor, kujdes spitalor, kujdes dentar, shërbim farmaceutik e me radhë, është një nga problemet më të mëdha e një nga pikat më të dobëta të sistemit aktual shëndetësor. Është më se evidente që prej shumë vitesh zona te tëra gjeografike, sidomos ato veriore dhe verilindore por jo vetëm, kanë mangësi të theksuara ose i mungon fare shërbimi shëndetësor bazë, qendrat shëndetësore e ambulancat, mjekët, infermieret, laboratorët, spitalet. Ndërsa për shërbime si ai stomatologjik dhe farmaceutik, situata është gati mesjetare; është e zakonshme që një banori të zonave rurale i duhet të bëjë edhe 6–12 orë rrugë për të blerë një pako paracetamol në farmaci ose për të mjekuar dhëmbin e sëmurë te dentisti në qytetin më të afërt. Për t’i bërë më të besueshme “arritjet” e sistemit shëndetësor nën qeverisjen e tij, z. ministër iu referua, e përsëris, “raporteve të burimeve ndërkombëtare, si Organizata Botërore e Shëndetësisë, Banka Botërore, UNICEF dhe UNFPA.” Në mbështetje të kësaj “pale të tretë” e cila është e saktë, e ftohtë, e paanshme, shkencore, e pagabueshme, këta janë treguesit statistikorë, unë do të sjell më poshtë treguesit bazë të sistemit shëndetësor shqiptar krahasuar me pikërisht ato vende të cilave u referohet z. ministër në deklarimin e tij. Këta tregues janë marrë nga database e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe përfaqësojnë të dhënat më të fundit të saj në bazë edhe të vlerësimit të ekspertëve më të zotë të sistemeve shëndetësore.
Përfundime teknike:
a. Shqiptarët sot jetojnë së paku rreth 6 vite më pak se qytetarët e BE
b. Në Shqipëri, nga 1000 foshnja të lindura gjallë, vdesin brenda vitit të parë të jetës 3 herë më shumë se në BE
c. Shqiptarët kanë sot rreth 2 herë më pak spitale dhe shtretër spitalorë, 2.5 herë më pak mjekë se qytetarët e BE
d. Shqiptarët kontaktojnë sot 4 herë më pak se homologët e tyre evropianë me shërbimin shëndetësor parësor. Kjo vjen si rezultat i kushteve të këqija dhe pengesave të tjera subjektive të sistemit tonë shëndetësor
e. Shqiptarët paguajnë nga xhepat e tyre sot, 60% të shpenzimeve për shëndetin e tyre krahasuar me 25% që paguajnë qytetarët e BE
Në vend të mbylljes:
Si mjeke, si grua e si qytetare unë do të dëshiroja me gjithë shpirt e do të isha më se e lumtur që sistemi ynë shëndetësor të ishte bashkëkohor, pranë qytetarëve në ruajtje të shëndetit të tyre, cilësor e efiçent, që modelet e treguesve themelorë të këtij sistemi si aksesi i popullatës për shërbim shëndetësor, vdekshmëria foshnjore, vdekshmëria amtare, jeta mesatare, etj. të ishin si ato të vendeve të zhvilluara. Mirëpo, fatkeqësisht, si rezultat i politikave qeveritare, pa vizion, korruptive e militante, kanë bërë që të shfryhet tullumbacja boshe e sukseseve të qeverisjes dhe e rendisin sistemin tonë shëndetësor në bisht të Evropës, pra jo të krahasohemi me vendet e zhvilluara të BE, por edhe ato të rajonit.
Partia Socialiste e Shqipërisë, si forca më e madhe, më vitale e më sociale në vend do të sjellë rilindjen e madhe të sistemit tonë shëndetësor. Për këtë ne po hartojmë programin e rilindjes, të mbështetur në Sistemin Shëndetësor Kombëtar, si modelin më të suksesshëm të sistemeve shëndetësore aktuale, i cili do të sigurojë:
1. Akses universal e të plotë për të gjithë shtetasit
2. Shërbim shëndetësor me cilësi të lartë, pa pagesë dhe në përgjigje të nevojave të pacientëve
3. Kujdes shëndetësor cilësor e efektiv për rezultate më të mira
4. Përdorim efiçent të burimeve financiare e njerëzore.
Duke u mbështetur në parimet bazë të organizimit dhe funksionimit të sistemit shëndetësor si: Mbrojtja e dinjitetit njerëzor, barazia në dhënien e shërbimit shëndetësor, mbrojtja dhe promocioni i shëndetit, solidariteti me njerëzit më vulnerabël, efiçenca dhe kosto– efektiviteti në sistemin shëndetësor.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›