E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse Kosova nuk mund të jetë Kolumbia e Evropës!

Koli Bele* 

Në verën e nxehtë të vitit 2005, kur disa përfaqësues të njohur të shoqërisë civile u paraqitën para Kongresit Amerikan dhe midis  të tjerash deklaruan se Shqipëria është Kolumbia e Evropës, përgatita një shkrim duke u përpjekur të argumentoja pse Shqipëria nuk është Kolumbia e Evropës! Për fat të keq debati mediatik mbi këtë problem u politizua shumë dhe ky shkrim që analizonte me shifra pamundësinë e kësaj teze, ngeli pa u botuar në atë kohë dhe i harruar në kompjuter. Në fakt, gjatë 3 viteve historitë me trafikantë e mafiozë shqiptarë që konkurrojnë mafien italiane apo dominojnë kriminalitetin evropian sikur ishin harruar, e të tjera probleme kanë dominuar vëmendjen e mediave.
Por intervista e para disa ditëve me një shkrimtar italian në emisionin “Shqip”, solli përsëri në vëmendjen e publikut dhe mediave temën e njohur “të mafies shqiptare”. Në intervistën e tij të gjatë, autori 29-vjeçar nga Napoli i bestsellerit “Gomora” bëri një sërë deklaratash të forta që nuk mund të mos tërheqin vëmendjen. Po i citoj disa:
(Mafia shqiptare) Ekziston shumë fuqishëm dhe për mendimin tim është një nga mafiet e panjohura më mizore në botë…. E shoh me kureshtje të madhe mafien shqiptare, sepse ka një ëndërr të madhe te mafiozët e mëdhenj shqiptarë. Ta bëjnë Kosovën Kolumbinë e re të Evropës. Të mbjellin kokainë transgjenike, që të rritet në temperatura të ndryshme nga ato të Amerikës së Jugut. Të mbjellin kokainën transgjenike në Kosovë dhe të lejojnë mafien shqiptare të ketë monopolin e kokainës. Sot nuk mund të bëhet, sepse kokaina transgjenike, që tashmë ekziston në Kosovë, është shumë e kushtueshme. Prandaj nuk ka leverdi. Është më e leverdishme ta importosh nga Amerika e Jugut se ta prodhosh. Por pas njëzet vjetësh, Kosova do të jetë padyshim Kolumbia e re.
Në vijim të pyetjes së gazetares së njohur shqiptare “a do jetë  vërtet Kosova Kolumbia e Re?”, shkrimtari Saviano iu përgjigj po me shumë siguri: (citoj) Të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë mendojnë se do të ndodhë kështu.
Duket disi i dyshimtë që “të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë” të kenë rënë në një mendje se ç’do ndodhë me Kosovën pas 20 vitesh. Çdokush që lexon sadopak mediat ndërkombëtare, konstaton me lehtësi se sa shumë të panjohura e hipoteza ka për çështjen e Kosovës për 2 apo 3 vitet e ardhshme. Eshtë e drejta e shkrimtarit të rritur në qytetin e Napolit të hedhë hipotezat e tij për të ardhmen e mafies botërore pas 20 vitesh, por kur profetizohet për “gomorizimin apo kolumbizimin e Shqipërisë apo trojeve shqiptare në përgjithësi”, është e drejta jonë gjithashtu të dyshojmë mbi saktësinë e këtyre ‘hipotezave’. Bile, më shumë se e drejtë është detyrim, pasi është tronditëse të mendosh të ardhmen e fëmijëve në një vend, apo qoftë edhe rajon i banuar nga shqiptarët që do të ketë të njëjtat probleme si Kolumbia e sotme.
Duke u nisur nga paralelja e krahasimeve të Shqipërisë dhe Kosovës me Kolumbinë gjatë këtyre viteve, po paraqes disa shifra dhe statistika të mbledhura para 3 vitesh lidhur me rolin dhe peshën e Shqipërisë në trafikun ndërkombëtar të drogës, duke iu drejtuar burimit kryesor të informacionit mbi trafikun global të drogës, Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Trafikun e Drogës  dhe Krimin (UNDOC).
Në faqen 30-të të raportit të UNDOC, “Trafiku Global dhe Tendencat, 2003”, Shqipëria llogaritet si prodhuese e rreth 5%  të kanabisit për vitin 2001 në shkallë botërore. Natyrisht që kjo është një shifër relativisht e madhe, por duhet theksuar, se sipas raportit, këto përqindje janë nxjerrë nga numri i bimëve të konfiskuara dhe asgjësuara në 61 vendet raportuese. Kjo është e vetmja mënyrë për të monitoruar prodhimin e kanabisit, për të cilin nuk ka aq informacion e interes sa për drogat e tjera. Në këtë mënyrë, shifra 5%, në qoftë se nuk është e pasaktë dhe e fryrë si pasojë e protanizmit të tepruar policor, mund të interpretohet edhe si sukses i policisë shqiptare në asgjësimin e bimëve të kanabisit.
Në raportin e UNDOC të majit 2004, “Droga dhe Krimi, Tendencat në Evropë dhe më gjerë”, trafiku i bimës së kanabisit përbën vetëm 1.4% të drogës së sekuestruar në Evropën Perëndimore, kundrejt 77% të heroinës. Shqipëria në këtë raport përmendet vetëm si pjesë e rrugës Ballkanike të drogës, duke pohuar faktin e një përmirësimi të moderuar në sekuestrimin e heroinës. Në të njëjtën kohë, Shqipëria është nga të paktat vende të Evropës Lindore që nuk ka të dhëna të përfshihet në prodhimin e drogave sintetike të tipit ATS (Anfetaminë). Gjithashtu vlen të theksohet se në ditët e sotme, kanabisi është liberalizuar në disa vende evropiane dhe është klasifikuar si drogë e lehtë në pjesën tjetër të tyre!
Duke parë më tej këto dy raporte, por edhe dokumente të tjera të UNDOC, është e lehtë të konstatosh se kultivimi i kanabisit si dhe tranzitimi i heroinës nëpërmjet Shqipërisë si pjesë e “rrugës Ballkanike të trafikut heroinës”, nuk ka asnjë bazë krahasuese me peshën e Kolumbisë në prodhimin e kokainës në botë, e llogaritur në rreth 80% apo me rolin gjithashtu të madh të Kolumbisë në prodhimin e farës së opiumit si lëndë e parë për përgatitjen e heroinës. Vetëm për vitin 2000, Kolumbia përllogaritet të ketë të kultivuara rreth 166 mijë e 300 hektarë bimë koka, nga të cilët mund të prodhohet 695 tonë kokainë. Nuk duhet të jesh ekspert në çështjet e trafikut ndërkombëtar të drogës që të dish se Kolumbia përfaqëson një rast unik, të krahasueshëm ndoshta vetëm me Afganistanin.
Natyrisht në raportet e institucioneve prestigjoze ndërkombëtare nuk mund të gjesh krahasime “emocionale” të tipit Shqipëria apo Kosova “Kolumbia e Evropës”, apo të themi Nepali “Kolumbia e Azisë”, por në publikimet e ndryshme në gazeta apo periodikët ndërkombëtare, krahasimet Shqipëri-Kosovë me Kolumbinë kanë një origjinë shumë më të hershme.
Në artikullin e 21 qershorit 2001: “UÇK dhe Droga: Kolumbia e re e Evropës rritet në Ballkan”, nga Umberto Paskali në Executive Intelligence Review, fillohet me fjalinë: “Një njollë e zezë e madhe, si boja në një copë letër thithëse, po përhapet nëpër hartën e Evropës…”. Më tej autori përpiqet të provojë se pjesa kryesore e kësaj njolle janë trojet shqipfolëse. Midis të tjerash një nga burimet kryesore në artikull është z.Marko Nikovic, në atë kohë zv.presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare të Oficerëve të Antidrogës (INEOA). 
Në vitin 2000, një vit mbas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, në një intervistë para BBC, z.Nikolic e ka cilësuar Kosovën si “Kolumbia” apo “Kanceri i Evropës”, duke treguar se kur forcat serbe në kërkim të “terroristëve kosovarë” digjnin e shkatërronin shtëpi, gjenin sasi heroine nëpër çatitë e tyre. Më tej në artikull hidhen hipoteza mbi lidhjen Taliban-UÇK, rolin e Enver Hoxhës në krijimin e UÇK-së apo përputhjen e interesave të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Mafies Ndërkombëtare në Shqipëri, dhe fantazi të tjera të ngjashme.
Një tjetër titull që të tërheq vëmendjen vjen rreth 4 vjet më vonë në komentin e BCC-së, “Kosovë, Shqipëri: Kolumbia në zemër të Evropës”, lidhur me konferencën mbajtur më 26 qershor të këtij viti në Podgoricë me temë “Qytetet e Ballkanit kundër drogës”. Edhe këtë herë, i njëjti Nikolic, tashmë President i Shoqatës Ndërkombëtare të Oficerëve të Antidrogës dhe njëkohësisht Shef i Policisë së Beogradit, deklaron: “Ne si rajon jemi nën kërcënimin më të madh, sepse jemi në kontakt me ‘Kolumbinë në zemër të Evropës’, hapësirën e formuar nga Kosova, Maqedonia Perëndimore dhe Shqipëria, e cila kontrollohet nga mafia shqiptare…”.
Ndoshta krahasimi apo etiketimi i Shqipërisë apo hapësirës shqiptar-folëse si Kolumbia e Evropës mund të gjendet edhe në artikuj të tjerë në morinë e publikimeve nëpër botë, ashtu sikurse në ndonjë artikull apo raport, ku shqiptarëve i faturohet 60% e trafikut të heroinës në Evropë, 90% e tregut të drogës në Zvicër, apo 70% e tregut në vendet skandinave e kështu me radhë.
Një nga shembujt më ilustrues në këtë drejtim, është publikimi  “Lidhjet midis Krimit të Organizuar dhe Grupeve Tradicionale Terroriste”, i dhjetorit 2000, me autor z.Ralf Mushke, Asistent/Drejtor në Drejtorinë e Inteligjencës Kriminale të INTERPOL-it. Raporti, në fakt, trajton ekskluzivisht Krimin e Organizuar Shqiptar, i cili sipas Mushke kontrollon 70-90% të trafikut të heroinës në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore dhe është mjaft aktiv në Amerikë e Kanada. Sipas tij, paratë e drogës kanë financuar kryesisht UÇK-në, por kanë lidhje edhe me terrorizmin ndërkombëtar. Ndërsa përmendet fakti se para viteve 90-të, 60% e “Rrugës Ballkanike të Drogës” kalonte nga Jugosllavia, me fillimin e luftës në vitin 1991 ky trafik kaloi i gjithë në dorë të shqiptarëve. Po kështu në Amerikë mbas goditjes së mafies italiane në vitin 1986, në operacionin e famshëm “Pizza Connection”, pjesën e mafies italiane në Amerikë e morën shqiptarët që punonin më parë për llogari të italianëve. Ky  argument merret nga një artikull i vitit 1996 nga Gus Xhudo, me titull “Njerëz të vendosur: Rritja e Aktivitetit Kriminal të Shqiptarëve”, i cili më shumë se një artikull shkencor ngjan më shumë me një film hollivudian.  
Artikuj të tillë nga “njohës të shkëlqyer” të Shqipërisë e shqiptarëve përpiqen të provojnë se në pak vite mafia shqiptare  ka nxjerrë në pension të gjitha organizatat e tjera kriminale të Evropës e më gjerë. Pra, mafia e “famshme” italiane, apo ato ruse, kineze e turke janë tërhequr para shqiptarëve të “egër e shumë të organizuar”, ose në mjaft raste punojnë për llogari të tyre!
Mjafton të përmendësh faktin, se popullsia e Shqipërisë është vetëm 3.5 milionë dhe ajo e Kosovës nuk kalon 2 milionët, për të kuptuar se sa e pamundur është që “Mafia Shqiptare” të pushtojë Evropën mbi gjysmë miliardësh. Po kështu, megjithëse na del që shqiptarët zotërojnë 70-90% të trafikut shumë miliardësh të drogës në Evropë e më gjerë, akoma nuk dihet të ketë ndonjë shqiptar “miliarder në dollar”, që të mund të krahasohet me miliarderët kolumbianë të drogës apo miliarderët e dyshimtë rusë që shtohen përditë, e për më tepër investojnë bujshëm në Evropën Perëndimore.
Problemi është se këto teori “dashakeqëse” dhe shifra fantastike shpesh ngelen të pakontestuara, si dhe të dhënat zyrtare nga institucionet shqiptare lënë shumë për të dëshiruar. Për rrjedhojë, mjaft nga raportet ndërkombëtare apo publikimet informative për Shqipërinë i referohen si burime artikujve të mësipërm apo të ngjashmëve me ta. Por kjo është vetëm gjysma e të keqes! Nxitimi për t’i bërë jehonë të tepruar nga politika, përfaqësuesit e shoqërisë civile apo analistët shqiptarë i çdo lloj epiteti negativ bombastik që na vihet, nuk bën gjë tjetër veçse i jep këtyre të fundit statusin e së vërtetës.
Dhe në një lloj rrethi vicioz këto shifra “raportesh imagjinare” shfrytëzohen nga të tjerë artikullshkrues apo specialistë ndërkombëtarë që e kanë të lehtë të identifikojnë Shqipërinë dhe Kosovën si “Kolumbia apo Kanceri i Evropës”. Është më e besueshme që shkrimtari Saviano të ketë lexuar këto raporte që citohen më sipër apo shkrime të ngjashme me to, sesa të ketë intervistuar personalisht mafiozët shqiptarë që ai vetë i cilëson si më të “panjohurit dhe më të rrezikshmit e botës”.
Por nuk është vetëm problemi i trafikut të drogës. Para 4 vitesh u bë zhurmë e madhe për të ashtuquajturin “Raport i ambasadës greke rreth trafikut të fëmijëve për transplant organesh”, e cila kaloi e u harrua si pa ndonjë gjë të keqe. Megjithëse asnjë rast konkret nuk u zbulua, askush nuk i përgënjeshtroi apo të paktën të bënte një tërheqje të butë nga akuzat për “monstruozitet” ndaj qindra fëmijëve shqiptarë. Ndoshta Komisioneri Evropian, mik i Shqipërisë, zoti Kris Paten, akoma beson se ka një “klinikë organesh” në Fier apo thjesht e ka harruar ekzistencën e këtij qyteti provincial të Shqipërisë. Por në ndryshim nga ky rast, dy vitet e fundit në shumë media botërore është marrë me seriozisht “përralla e Karla del Pontes” me trafikun e organeve të 300 serbëve në një fshat të humbur të Matit. Ne që jetojmë në këtë vend dhe jemi të detyruar të shkojmë shpesh jashtë shtetit për operacione nga më të thjeshtat, e dimë mirë se sa e pamundur është historia e Del Pontes me “klinika të specializuara organesh” në një fshat të humbur të Shqipërisë, ku “ha edhe pula gurë”. Ky trillim u hetua edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës  e natyrisht që doli fisko, por “hija e zezë” e tij vazhdon të vërtitet mediatikisht dhe të përdoret politikisht nga ata që më së pakti nuk janë miqtë e këtij vendi e sidomos të Kosovës!
Publicistët e huaj si Saviano apo Del Ponte natyrshëm që në librat e tyre do trajtojnë histori me mafiozë, trafikantë droge, prostitutash apo organesh, sepse këto janë subjekti i preferuar i “bestsellerave” kudo në botë. Natyrisht që nuk jemi në gjendje të ndalojmë publicitetin “nxirës” ndaj vendit tonë apo shqiptarëve kudo ndodhen, por të paktën mos t’i trajtojmë “trillerat” letrar apo gazetaresk si të vërteta të padiskutueshme, pa u ndalur  sadopak në analizimin e tyre.
Kjo, jo thjesht për arsye patriotizmi apo atdhedashurie! Prej vitesh politikanët e lartë evropianë përsërisin pa u lodhur se  korrupsioni, trafiqet dhe krimi i organizuar përbëjnë pengesat kryesore për integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane. Të njëjtat dilema shtrohen edhe për të ardhmen e Kosovës. Këto fenomene negative për fat të keq nuk janë matematikisht të matshme dhe mbështeten para së gjithash mbi imazhin dhe perceptimin që krijohet në opinionin publik dhe kancelaritë e vendeve evropiane. Në fund të fundit, imazhi që të huajt kanë për ne, s’mund të jetë më pozitiv sesa ai që shqiptaret kanë dhe reklamojnë për vetveten!

*Prokuror në Prokurorinë e Tiranës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›