E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse femrat tradhtojnë

Të dashur burra, kjo u dedikohet vetëm juve. Partnerja juaj nuk është besnike? Po vuani dhe nuk reshtni duke i bërë mijëra pyetje vetes? Ne po ua shpjegojmë se përse partnerja hidhet në krahët e dikujt tjetër Hakmarrje

“Hakmarrje, hakmarrje dhe vetëm hakmarrje”. “Hakmarrja është një pjatë që serviret e ftohtë”. “Hakmarrja është një lloj drejtësie e egër”. Këto janë disa fjalë të urta që lidhen me hakmarrjen. Femrat tradhtojnë për t’u hakmarrë. Ka nga ato femra që janë të bindura se kanë krijuar në kokë një strategji të përshtatshme për t’u hakmarrë ndaj partnerit dhe të tjera që jetojnë me dyshime, sepse nuk kanë guxim për t’u hakmarrë.

Ka diçka që nuk shkon

Keni gjithçka që ëndërroni: një shtëpi të bukur, fëmijë, nuk “notoni në ar”, por e rëndësishme është që nuk ju mungon asgjë, përmbushni çdo tekë, por harroni faktorin intimitet. Nëse në raportin tuaj ky element mungon, atëherë femra është e prirur të shkojë në shtratin e dikujt tjetër. Përpiquni të zbuloni se çfarë ka ndodhur, në ç’pikë keni gabuar: mos vallë pasioni është shuar me kalimin e kohës? Apo nuk ka ekzistuar kurrë pasioni nën çarçafë?

Marrëdhënie me pikatore

Shpejtësia me të cilin bëni dashuri është një sinjal i rëndësishëm se si shkon marrëdhënia juaj. Natyrisht që të gjithëve u ndodh të kalojnë periudha të forta stresi ose indiference, por nëse ditët e stresuara kthehen në muaj, atëherë do të thotë se gjërat nuk shkojnë aspak mirë.

Kriza ekzistenciale

Kriza e moshës së dytë prek si meshkujt ashtu edhe femrat, por është më shumë e pranishme te 40-vjeçaret, gjë që koincidon edhe me periudhën e menopauzës. Femrat mund të ndihen konfuze. Ashtu si në periudhën e adoleshencës, janë të terrorizuara prej kohës që kalon. U tremben ndryshimeve që mund të pësojë në mënyrë të pashmangshme trupi i tyre. Ju duket pak kjo gjë? Në fakt nuk është. Për shumë femra menopauza nuk është gjë tjetër veçse një adoleshencë më tragjike: një periudhë shkatërruese hormonale.

Ndryshime të pavëna re

E kemi fjalën për ndryshime pozitive. Mund të ndodhë që krejt papritur, partnerja juaj të vendosë të mbajë dietë, pasi është në mbipeshë. Pas pak kohësh ndryshimi është i dukshëm. Tani me disa kile më pak ajo duket mjaft tërheqëse. Vendimin për t’iu nënshtruar një diete e ka marrë pasi ka biseduar me mikeshat e saj. Por nuk heziton të heqë dorë edhe nga luku vetëm me ujë e sapun. Me pak truk në fytyrë, ajo zbulon se është më tërheqëse. Nëse partneri nuk e vëren këtë, të jeni të bindur se do ta bëjnë të tjerët.

Ndihet e lënë pas dore

Një grua dëshiron të ndihet e pranuar dhe e dëshiruar nga partneri i saj. Nëse ka një vetëvlerësim të vogël, nëse nuk beson mjaftueshëm te vetja, nuk ka gjë më të mirë se sa të ndihet e vlerësuar. Natyrisht që edhe seksi luan një rol shumë të rëndësishëm, sidomos kur është në krahët e njeriut që dashuron.

Ndihet e zhgënjyer

Kur një femër ndihet e zhgënjyer mund të dashurohet me një tjetër. Ndoshta mund të jetë thjesht një aventurë, ose ku i dihet, ka gjasa të jetë edhe historia e jetës së saj, ose të paktën ashtu beson. Mund të jetojë një marrëdhënie jashtëmartesore, por ka edhe nga ato që vendosin të hedhin gjithçka pas krahëve, të harrojnë fëmijët, për të ndërtuar një jetë të re. Dashuria nuk është një justifikim, por mund të ndodhë.

E njëjta mënyrë

“çdo gjë tjetër është e mërzitshme”, thotë një psikolog. Nuk ka më pasion, nuk ka më tërheqje. Femrat nuk kanë më flutura në stomak, kanë ngordhur. Elektrokardiograma është një vizë e drejtë. Edhe seksi është i mërzitshëm dhe kur e bën duket si një skenar, të cilin e kanë mësuar përmendësh. Prandaj femra shkon ta kërkojë lumturinë dhe adrenalinën diku tjetër.

Një grua fantazmë

Lidhjet në distancë, apo ato të atyre personave që janë gjithë ditën të angazhuar me punë dhe që qëndrojnë jashtë shtëpisë, janë thikë me dy presa. Nga njëra anë thyejnë rutinën, i bëjnë më të bukura momentet që kalojnë nën shoqërinë e njëri-tjetrit. Nga ana tjetër mund ta bëjnë personin që pret në shtëpi të kërkojë dikë tjetër me të cilin të kalojë kohën.

Kur ai e keqtrajton

Kur një femër është viktimë e abuzimeve, e ka të vështirë të mendojë me gjakftohtësi dhe në mendjen e saj nuk ekziston fjala ndarje. Një burrë, apo një shok që dhunon fizikisht, apo verbalisht gruan e tij, mund ta shtyjë këtë të fundit të gjejë te një tjetër atë që i mungon tek i dashuri ose burri i saj (dashuri ose respekt).

Vëmendje

A e dini se cilët janë miqtë më të mirë të femrave? Diamantet. Pjesa më e madhe e grave kënaqen me shumë më pak. Ka gjëra banale, të thjeshta, dhe që nuk bien në sy, për të cilat çdo femër do të dëshironte që partneri i saj të kujtohej t’i bënte. Këtu përfshihen gjestet e dashurisë dhe të pasionit, fjalë të ëmbla që e bëjnë më të bukur lidhjen. Një fundjavë e mirorganizuar, një darkë romantike, një buqetë me lule, apo thjesht një trëndafil, ju bën të ndiheni e vlerësuar. Nëse nuk jeni sadopak të kujdesshëm ndaj këtyre detajeve, atëherë të jeni të bindur se partnerja juaj do të gëzojë në krahët e një tjetri.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›