Përse i duhej 21 janari Edi Ramës?
Për mungesë provash gardistët e akuzuar për çështjen e 21 janarit po lihen të lirë, njëri pas tjetrit. Më 7 shkurt të këtij viti, u morën si të paditur një numër gardistësh, që iu nënshtruan masës së sigurisë në arrest, me afat 30-ditor. Më 2 mars gardistët u liruan nga qelitë. Plumbat ishin mbledhur për ekspertizë. Disa nga plumbat, për një ekspertizë më të cilësuar, u dërguan për shqyrtim në Turqi. Përfundimi: Ishin rikoshetë, domethënë ishin gjuajtur në tokë dhe pastaj kishin vazhduar trajektoren, qorrazi! Duket se ra akuza për marrje nishani përmes shënjestrës. Një gazetë e majtë kishte shkruar një kronikë të shkurtër, sipas së cilës kishte edhe goditje të afërta. Përmendej një fakt interesant. Se të gjithë plumbat në disponim të hetuesisë nuk korrespondonin me armët e sekuestruara, që përdornin gardistët. Emisionet televizive paraqisnin me rreth të kuq njërin ndër demonstruesit e vijës së prapme, që u palos në vend. Këtu jemi larg shënjestrimit të gardistëve. Lindën dyshime edhe për goditje “përbrenda”, në largësi sa pëllëmba e hapur e dorës.
Nga ç’kuptohet nga kronika e shpallur më 25 maj, u gjykua gardisti Gazmend Ahmetaj, veçse Gjykata e Apelit vendosi lirimin e tij. Prokuroria iu drejtua Gjykatës së Lartë, për ta rikthyer në qeli të pandehurin Ahmetaj. Por Gjykata e Lartë e çmoi si të drejtë gjykimin e Gazmendit në Gj. e Apelit, që kishte vendosur lirimin e tij.
Kjo është, shkurtimisht, kronika e kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme të 21 janarit, gjer në ditën e sotme. Do të thotë se u mbars mali e polli një mi!
***
Për ta zbërthyer këtë ngjarje në mënyrë intuitive, duhet të hidhemi një ditë para kësaj demonstrate, që ndryshonte kategorikisht nga të gjitha paraardhëset. Nëse këto të fundit, të gjitha, pa përjashtim, nuk kishin përleshje kundër policisë, rebelimi i 21 janarit ishte i një natyre krejt ndryshe. Kishte të gjitha tiparet e një kryengritjeje me stampë bolshevike, si mësymja kundër ish-kryeministrit social-revolucionar (SR) Kerenski, nga Lenini, 94 vite më parë. Duma e parë, - që mund të quhej si parlamenti pluralist fill pas rrëzimit të carizmit (1917) – kishte si forca politike: bolshevikë, eserë (SR) dhe disa formacione të tjera. Por Lenini donte pushtetin monist të sovjetëve, domethënë projektoi legjislativin monist. Dhe ia arriti kësaj me anë të një puçi të armatosur të brendshëm. Një ide interesante për të jetësuar një ngjarje të një shekulli më parë, në kushtet e një demokracie të brishtë 20-vjeçare shqiptare , të molepsur rëndë nga një mendësi enveriste. Kjo mendësi rrënimtare kishte ndihmuar si tepër në ngjarjet e 1997-s, që e kishin çuar në qiellin e shtatë të lumturisë dështakun Rexhep Qosja, të pavotuar nga elektorati kosovar. 1997-a e çoi Shqipërinë dhjetëra vite prapa, dhe solli pushtetin tetëvjeçar të atij majtizmi të cilin vetë Edvini e kishte përshkruar me ngjyrat më të zeza përpara këpëdarëve, apo “kongresmenëve” të tij të përzgjedhur. Tani Rexhep Q. është në krah të E. Ramës për të risjellë një ’97 të re. Por... harro mushkë valarenë!
***
Më 20.01.2011, Edi Rama, përgjegjësi i të gjitha zallamahive, bëri një deklaratë të çuditshme: Se situata mund të dilte jashtë kontrollit! Si pasojë, çdo analizë për këtë ngjarje tragjike të 21-shit duhet të fillojë më 20-n. Na duket se kjo është lënë paksa në heshtje, si e parëndësishme, ndonëse është e një rëndësie të jashtëzakonshme. Duhet pasur në qendër të vëmendjes edhe fakti i pakontestueshëm se të gjitha bllokimet, manifestimet, trazirat, demonstratat, parullat jodemokratike të përmbysjes së pushtetit me kërkesën “dua të shoh votën time”, - janë vepër ekskluzive e E. Ramës. Të tjerët, që ngrefosen me kapadaillëk anarkist, se do ta rrëzojnë qeverinë brenda 2 ditësh, janë vetëm pedina si ato të shahut, që mund të arrijnë, së shumti, gradën e kapterit apo të aspirantit, paçka se i gënjen mendja se do të bëhen ministra të drejtësisë, apo kryeprokurorë, kur janë jashtë njohjes së ligjeve më të thjeshta të një shteti demokratik. Pra, nuk pipëtin njeri në këtë opozitën tonë, përveç kryetarit.
Kësisoj, ajo deklarata e kryetarit se “situata mund t’i dilte nga dora”, është vetakuzuese. Një kërcëllitje dhëmbësh do të mjaftonte që tigrat të bëheshin dele! Në atë sulm njerëish të shpërfytyruarish e të egërsuar, kundër policisë dhe gardistëve, në 90-minutëshin e aktit të parë të kësaj tragjedie, forcat mbrojtëse të selisë kryeministrore ruanin kokat vetëm me skafandrat plastike. Gardhi njerëzor mbrojtëës, nuk bënte asnjë hap para, por as tërhiqej prapa. Ndërkaq vërshonin kundër mbrojtësve gurë, tulla shkëputur kalldrëmesh, goditje me hunj. Tym e flakë. Digjeshin makina, që ishin parkuar buzë trotuarit, gjer te ura e madhe e Lanës. Kabinës kryeministrorere për shërbimet dokumentare, jashtë kangjellave, iu bënë copa xhamat. Filluan goditjet e portës së hekurt të rrethojës së kangjellave të kryeministrisë, me parakolpe makinash.
Kjo panoramë e përzishme është e skalitur para kamerave televizive të shqiptarëve, që habiteshin me stoicizmin e një policie me një vetëflijim jashtë përmasave të një durimi njerëzor. Dhe ndodhemi para një fakti ekzemplar, unik, që s’ka bërë vaki në të gjitha përballjet, edhe në vendet më demokratike: Policët e plagosur ishin në masën e më tepër se dyfishit të të plagosurve nga ana e mësymësve, kur u vunë në veprim forcat emergjente të ndërhyrjes së shpejtë, kur gardhi njerëzor po epej dhe mësymësit e tërbuar po finalizomin synimin e tyre: të shpërthenin dyert e brendshme të kryeministrisë. Sipas Rexhep Q.-s, brenda zyrës së kryeministrit, ndodheshin Berisha dhe... Lulzim Basha! Praninë e këtij të dytit s’e ka thënë asnjëri ndër debatuesit e ngjarjes. Nga i di ky, mijëra kilometra larg, këto gjëra që nuk i dinë as tiranasit, madje as apologjetët e këtij krimi në Tiranë? Por “origjinaliteti” i këtij antishqiptari ka arritur gjer në krahasime me forcat policore të Gadafit të Tripolit të Libisë! Policia jonë është një forcë ushtarake në dobi të një vendi demokratik dhe i gjithë faktori ndërkombëtar ka folur me superlativa për atë gjakftohtësi të admirueshme për të mos lejuar populistët e Ramës që të hapnin gardhin ruajtës njerëzor që të hynin përdhunshëm në punimet e KQZ-së, njerëz të paautorizuar. Nga një premisë e tillë qesharake, nga krahasimi i policisë së Gadafit, për të mbrojtur diktaturën e vendit të tij, me policinë e një vendi demokratik, anëtare e NATO-s, Rexhep Q. synon të arrijë në konkluzione absurde. Se cilat janë këto përfundime të çmendura, le të lexohet shkrimi i tij në Revistë njëditore të E.R.-së për propagandë zgjedhore në ditën e ndaluar të propagandës, më 7 maj, me titull: “E vetmja rrugë”!
***
Rikthehemi te 20 janari: Si autokrat absolut në krye të PS-së, si autor ekskluziv i bërjes dhe i zhbërjes së gjullurdive, si paralajmërues i gjëmës në datën 20, ishte në dorën e Edvinit që, më 21 janar gjendja të mos përkeqësohej më tej, pas një kohe prej 90 minutash. Do të duhej vetëm një urdhër nga gratacieli i F. Yllit, përballë kryeministrisë: “Mjafton me kaq. Demonstrata mbyllet”. Dhe do të shmangeshin viktimat. A mund të thotë ndokush se s’do të zbatohej ky urdhër hipotetik i atij që bën kohën e vranët dhe kohën e kthjellët në PS? Kush do të guxonte të mos e zbatonte urdhrin e tij? Do të mbetej i vetëm. Palé që do të hante edhe shpullat e atij që i kishte paguar me euro në dorë ata të vijës së parë të sulmit banditesk.
Gjer këtu jemi në mendimin e pakundërshtueshëm se 21 janari u përgatit nga Rama, si i gjithë obstruksionizmi i tij, me kryefjalë “Dua të shoh votën time”, që zgjedhjet e 8 majit e nxorën blof (Tani zgjedhësi le ta humbasë votën e tij!). Së dyti: karakteri agresiv i 21 janarit u pohua nga Rama, një ditë më parë, më 20 janar. Së treti: Hetuesia i nxori nga burgu, njërin pas tjetrit, të prezumuarit fajtorë për këtë ngjarje të jashtëzakonshme. Së katërti: kush kishte interes nga 21 Janari? L. Basha? Në pikëpamje kompetencash, ministri i Brendshëm i kohës, sqaroi se me çështjen e sigurisë së rendit nëpër qytete, merrej jo ministria, por njëra nga drejtoritë përkatëse. Për më tepër, në pikëpamje të fushatës zgjedhore, Lulzim Basha do të merrte edhe disa mijëra vota më tepër, nëse papagajtë propagandistikë të Ramës, nuk do të thërrisnin, nga mëngjesi në darkë, “L. Basha, vrasës!”. Ky falsifikim stalinist, është i ngjashëm me vrasjen e Kirovit, me anë të një leve të thjeshtë të Stalinit, Nikolajevit. Pastaj despoti i Kremlinit vrau Nikolajevin, shoferin e Kirovit, dhe hapi fushatën e masakrës më të përgjakshme të tij, duke bërë të njëmendët synimin e tij demoniak. Në këtë hulli shkon edhe ajo thënia e përbindshme e Sanços liliput të Ramës, se “qeverinë do ta marrim jo vetëm me 3 viktima, por edhe me 130.000!”. “Bomba e Ambasadës”, kushtoi intelektualë të pafajshëm, që u vranë pa gjyq!
Sikur, në një hipotezë të pamundshme, një kryemagjistar do të kishte mundësinë ta fshinte si me gomë një shkarravinë lapsi në letër, atë ngjarjen e 21 janarit, më i dëshpëruari nga të gjithë do të ishte Edvin Rama! Dhe më i lumturi, Lulzim Basha! Sepse Edi nuk do të dilte as përkohësisht me një +10, por me një minoritet të thellë votash, që do ta nxirrnin nokaut, jashtë ringut, që në numërimet e para. Historia do ta zbardhë edhe këtë krim, duke u nisur nga: Kujt i interesonte?