Serbia “lëshon pe” – dorëzon “kasapin” e Bosnjë-Hercegovinës, Ratko Mlladiç

Arrestimi ka ardhur pas 15 vitesh “gjueti” vetëm ndërkombëtare, nënvizoj ndërkombëtare, pasi “gjuetia” nga vetë Serbia filloi dhe mbaroi dje
Serbia ka njoftuar dje arrestimin e kryekriminelit të luftës në Jugosllavi, Ratko Mlladiç.
Ish-komandanti serb i Bosnjës, Ratko Mlladiç, 68-vjeçar, është i akuzuar për krime lufte dhe gjenocid gjatë luftërave ballkanike në vitet ‘90, përfshirë rrethimin 43-ditësh të Sarajevës, gjatë të cilit u vranë 12 mijë njerëz, “pastrimin etnik” në Bosnjë dhe orkestrimin e masakrës së afro 8 mijë burrave e djemve myslimanë, pas rënies së Srebrenicës, në korrik të vitit 1995. Arrestimi ka ardhur pas 15 vitesh “gjueti” vetëm ndërkombëtare, nënvizoj ndërkombëtare, pasi gjuetia nga vetë Serbia filloi dhe mbaroi dje. Para se të fshihej nga sytë e publikut në vitin 2001, ai jetonte haptazi në Beograd dhe shihej shpesh nëpër kafene dhe ndeshje futbolli. Ai madje e provokonte komunitetin ndërkombëtar duke bërë ski në Malin e Jahorinës, pranë Sarajevës, dhe duke lejuar që të fotografohej nga të tjerët. Kapja e ish komandantit serb të Bosnjës cilësohej si një “pasaportë” hyrëse e Serbisë në BE. Më herët, para se të njoftohej arrestimi i Mlladiçit, si për ironi të fatit, raportuesi i posaçëm i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, kritikoi Serbinë se nuk po merrej seriozisht me kapjen e Ratko Mlladiçit: "Ka ardhur koha që Mlladiç të dorëzohet. Vlerësimi im është që Serbia nuk është duke punuar sa duhet në këtë çështje dhe nuk e ka ende prioritet”, tha Kacin Ai ka nënvizuar gjithashtu se në BE nuk ka disponim që Serbia të fitojë kandidaturën për anëtarësim pa e dorëzuar Ratko Mlladiçin tek Tribunalii Hagës dhe se pa një bashkëpunim të plotë me këtë Tribunal, Serbia nuk mund të përparojë në integrimet evropiane. Deklarata e sipërcituar është e qartë dhe koncize, ku vlen të nënvizojmë një tog fjalësh, “Serbia nuk është duke punuar sa duhet për këtë çështje(kapjen e Mlladiçit). Pra që Serbia e mbronte dhe e strehonte Mlladiçin poshtë hundës së ndërkombëtareve, kjo s’do një inteligjencë mbi mesataren për t’u kuptuar. Viti 2011 po tregon se qenka viti i arrestimeve të mëdha, përmendim këtu arrestimin e njeriut më të kërkuar të botës, kolegun qe e shoqëronte Mlladiçin në “Listën e Zezë” të SHBA-ve, Osama Bin Laden, që mesa duket qenka koleg jo vetëm si “bashkëbanues” në këtë listë, por edhe në procesin e kamuflimit. Osama u gjend në një vilë në një qytet të qetë të Pakistanit, jo shumë larg kryeqytetit të kësaj të fundit, ndërsa Ratko Mlladiç u gjend në provincën e Vojvodinës, në një fshat të qetë jo shumë larg Beogradit. Pra siç shikojmë nga kjo analogji, kamuflimi i tyre përputhet në mënyrë rastësore, por padijenia e atyre që i ndihmuan në kamuflimin e tyre duhet theksuar se është jo rastësore. Lidhur me kapjen e Osama Bin Ladenit, SHBA-ja i bëri pyetje vetes por edhe Pakistanit, sesi ka mundësi që një njëri kaq i njohur dhe kaq i kërkuar të fshihej poshtë hundës së saj dhe Pakistanit pa u vënë re. Lidhur me kapjen e Ratko Mlladiçit, të njëjtën pyetje mund t’i bëjmë edhe ne vetës por edhe Serbisë. Nga një analizë e tillë, arrijmë në përfundimin se Bin Laden dhe Mlladiç, nuk mund të kamufloheshin në mënyrë të tillë pa një dorë të “brendshme”. Mirëpo, shumë mund të pyesin pse Serbia e dorëzoi tani Mlladiçin. Përgjigjen e kësaj pyetje e gjejmë të inkuadruar tek interesat e vetë Serbisë. Para 2008-s, pra para shpalljes së pavarësisë se Kosovës, Serbia e dinte që avancimi drejt BE-së, mund të bëhej vetëm me pasaportën “Arrestimi i Mlladiçit”. Mëqënëse një gjë të tillë Serbia e kishte vetë në dorë, pra avancimi drejt BE-se ishte një veprim qe mund ta bënte kur të donte, vendosi mos-dorëzimin e Mlladiçit, duke qetësuar kështu edhe qarqet nacionaliste. Por me pavarësinë e Kosovës dhe me kokëfortësinë e Serbisë për të mos e njohur atë, Serbisë iu shtua edhe një pasaportë tjetër për të avancuar drejt BE-së, “Njohja e Kosovës”. E gjendur përballë dy pengesave, Mlladiçin, dhe Kosovën, Serbia vërtetoi dje se hoqi atë qe e kishte më të lehtë, Ratko Mlladiçin. Me likuidimin e Mlladiçit, nuk do të shqetësoheshin as qarqet nacionaliste pasi impakti që ka pavarësia e Kosovës mbi ta, e ka likuiduar edhe shqetësim e tyre për arrestimin e Mlladiçit. Të mos harrojmë se në shtator, Serbia pret të marrë statusin e vendin kandidat për në BE, prandaj e parë në këtë prizëm mund të themi që për Serbinë, gjëra e mëdha mund të arrihen vetëm me sakrifica të mëdha.
Ratko Mlladiç, gjenerali arrogant- i pamëshirshëm/Gjenerali Ratko Mlladiç njihej për karakterin e tij të pamëshirshëm. “Digjuani trutë,” urdhëronte ai në një rast kur njerëzit e tij bombardonin Sarajevën me artileri. Edhe arroganca e Mlladiçit ishte legjendare. Ai e quante veten “Perëndi” dhe mbante një kope të vogël dhish, të cilave u kishte vënë emrat e udhëheqësve perëndimorë që urrente. Mlladiçi, ishte numri një në listën e personave të kërkuar nga Gjykata e krimeve të Luftës, së bashku me partnerin e tij të krimit, Radovan Karaxhiç. 69-vjeçari Mlladiç i kishte shpëtuar arrestimit që nga viti 1995, kur Gjykata e Hagës ngriti akuzat kundër tij. Menjëherë pas rrëzimit të Millosheviçit nga pushteti në vitin 2001, Mlladiçi nisi të fshihej. Por ditët e tij në fshehje ishin të numëruara pas kapjes së Karaxhiçit nga forcat serbe, më 21 korrik 2008 në Beograd. Më në fund, Presidenti serb Boris Tadiç njoftoi sot se Mlladiçi ishte arrestuar. Nëse nxirret para gjyqit dhe shpallet fajtor, Mlladiçi përballet me burgim të përjetshëm, dënimi maksimal që mund të japë Gjykata e Hagës. I lindur në vitin 1942 në fshatin Kalinovik të Bosnjës, Mlladiçi u edukua në Jugosllavinë e Titos dhe u bë oficer i rregullt në Ushtrinë Popullore Jugosllave. Në maj 1992, Kuvendi i Serbëve të Bosnjes, votoi për krijimin e një ushtrie dhe emëroi komandant të saj Gjeneralin Mlladiç. Ai shihet si një ndër ideatorët kryesorë të bllokadës së egër të Sarajevës. Luftën e Bosnjës, ku u vranë më shumë se 100 mijë njerëz dhe u zhvendosën 1,8 milion të tjerë, Mlladiçi e pa si një rast për t’u hakmarrë ndaj myslimanëve. Në korrik 1995, rreth 8 mijë myslimanë, kryesisht burra dhe djem, u masakruan kur enklava e Srebrenicës e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, ra në duart e serbëve të Bosnjes nën komandën e Gjeneralit Mlladiç. Ngjarja e Srebrenicës ka mbetur në histori si masakra më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Të mbijetuarit e masakrës tregojnë histori ekzekutimesh masive dhe bombardime pa dallim kundër civilëve. Forcat serbe e bombarduan Srebrenicën me artileri të rëndë për pesë ditë me radhë para se të hynin në qytet. Mlladiçi hyri në shtabin kryesor të paqeruajtësve të OKB-së dhe urdhëroi mijra refugjatë, kryesisht gra dhe fëmijë, të largoheshin me autobusë dhe me kamionë. Ai u dha edhe një goditje tjetër trupave të OKB-së, tashmë të poshtëruara dhe të mundura, kur në turmën e atyre njerëzve ndau gratë nga burrat ndërkohë që paqeruajtësit rrinin duarkryq dhe vështronin.
Do të mbahet mend biseda rrënqethëse që ai pati me refugjatët e tmerruar boshnjakë e që u fiksua nga kamerat televizive, ku Mlladiçi i siguronte ata se nuk do t’u ndodhte asgjë.
Vetëm pak orë para masakrës, Mlladiçi u shpërndau karamele fëmijëve yuslimanë që ishin sjellë nga ushtarët në sheshin e qytetit. Mlladiçi urdhëroi që të gjithë meshkujt 16 vjeç e lart të veçoheshin mënjanë për t’u kontrolluar se mos kishin bërë krime lufte.
U desh të kalonte kohë që ekspertët të binin në gjurmët e masakrës së Srebrenicës. Në fillim u gjetën disa kafka, këpucë dhe kocka. Pastaj u zbuluan shumë më tepër trupa.
Ndërkohë, megjithë thirrjet për arrestimin e tij, Mlladiçi vazhdoi të shëtisë i lirë.
Para se të fshihej nga sytë e publikut në vitin 2001, ai jetonte haptazi në Beograd dhe shihej shpesh nëpër kafene dhe ndeshje futbolli. Ai madje e provokonte komunitetin ndërkombëtar duke bërë ski në Malin e Jahorinës, pranë Sarajevës, dhe duke lejuar që të fotografohej nga të tjerët. Kur Millosheviçi u rrëzua nga pushteti në tetor të vitit 2000 dhe autoritetet e reja të Beogradit lanë të kuptohet se mund ta dorëzonin Mlladiçin, gazetat serbe njoftonin se ai ishte larguar për në Bosnje. Por Mlladiçi i kundërshtonte këta zëra si dhe të tjerët që thoshin se ai ishte i sëmurë rëndë në Beograd. Në korrik 2008, kapja e Karaxhiçit i shtoi shpresat se edhe Mlladiçi do të kishte së shpejti të njëjtin fat.
Në atë kohë, autoritetet serbe zbuluan për habinë e të gjithëve se e kishin kapur fare papritur Karaxhiçin, ndërkohë që kërkonin Mlladiçin, një figurë shumë më sfiduese se sa i pari.
Ban: Ditë historike për drejtësinë ndërkombëtare/Arrestimi i Ratko Mlladiqit është një ditë historike për drejtësinë ndërkombëtare, tha sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun. Komisionari evropian për zgjerim, Shtefan Fyle, tha se “Serbia ka dëshmuar se e ka kuptuar rëndësinë e pajtimit në rajon”. “Drejtësia është e ngadalshme, por e arritshme”, tha kryeministri slloven, Borut Pahor, duke uruar Serbinë për kapjen e njeriut, i cili “ka qenë simbol i gjenocidit në Srebrenicë”. Ministri i Jashtëm suedez, Karl Bild, tha se “perspektiva evropiane për Serbinë tani është më e ndritshme se kurrë”.
Bramerc: Serbia përmbushi obligimin ndaj drejtësisë/Kryeprokurori i Tribubnalit të Hagës për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, Serzh Bramerc, ka mirëpritur arrestimin e ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiç. “Ne presim marrëveshjen për transferimin e tij në Hagë, ku ai do të gjykohet. Falënderojmë autoritetet serbe për përmbushjen e detyrimeve të tyre ndaj gjykatës dhe drejtësisë”, ka thënë Bramerc.