E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesat eunuke të PS çudisin Kolegjin Zgjedhor

28-05-2011 / Gazeta 55

Regjistrohet dështimi i dytë i juristëve socialistë, të cilët s’dinë më si t’i artikulojnë marrëzitë e Edvinit. Tani do të pritet deri me 3 qershor për verdiktin e radhës, atë për legjitimimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara

Kolegji Zgjedhor ishte dje pranë rrëzimit të kërkesës së radhës të Partisë Socialiste, falë një gafe në artikulimin e ankimimit për fletët e kontestuara, i cili lidhej direkt me kërkesën tjetër, atë për vendimmarrjen e KQZ-së, më 23 maj, kur edhe shpalli Lulzim Bashën fitues të zgjedhjeve vendore. PS tregoi edhe njëherë se është e paaftë të menaxhojë një proces ankimi në rrugë ligjore pa ndërthurjen e saj me absurditetin politik që bashkëshoqëron kreun e selisë rozë Edi Rama.
Tendenca e kacafytëse për mbrojtjen me çdo kusht të karriges së pushtetit, edhe atëherë kur sovrani foli, vendosi dhe kërkon atë që ka dhënë në 8 maj, ndryshimin e madh për Tiranën, Edi Rama po turpëron në mënyrë spektakolare juristët e selisë rozë, teksa edhe pse ata duan që gjithçka të depozitohet në përputhje me kuadrin ligjor si dhe për të shmangur me çdo kusht keq hartimin e kërkesës, është Rama ai që po i çon drejt skarcitetit profesional.
Kësisoj, Partia Socialiste u tërhoq dje nga padia ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për pavlefshmëri absolute të vendimit të datës 18 maj për vlerësimin e fletëve të votimit për kryetar bashkie të cilat u gjenden në kutitë për funksione të tjera. Tashmë Kolegji do të shqyrtojë padinë për vendimin e datës 23 maj që KQZ mori si KZAZ për Bashkinë e Tiranës.
Tërheqja e socialistëve nga padia e parë u bë, pasi në seancën e djeshme të Kolegjit Zgjedhor, ku do të merrej vendimi, përfaqësuesit juridikë të PS paraqitën që në fillim një kërkese të re. Ata kërkuan bashkimin e çështjes, duke ankimuar krahas vendimit të datës 18 edhe atë që u votua në tërësi të datës 23, për votat e pavlerësuara e të pa-numëruara. Ky ishte vendimi që u miratua pas numërimit të votave të hedhura aksidentalisht në kutitë të tjera, vendim që u pasua dhe me shpalljen e tabelës përmbledhëse të rezultateve për Bashkinë e Tiranës, nga ku rezultoi fitues Lulzim Basha me 81 vota plus. Për demokratët si palë e interesuar nuk ka vend për bashkim, por pasi ata e konsideruan si in-ekzistente çështjen për vendimin e datës 18.
Trupi gjykues u tërhoq, për t’u kthyer pas pak minutash në sallë. Relatorja Sashenka Jonuzi komunikoi refuzimin e kërkesës së socialistëve për bashkimin e dy padive, pasi nuk kishin ndjekur procedurën ligjore. Në këtë moment për të cilin socialistët ishin përgatitur mesa duket, kërkuan tërheqjen nga padia e parë, për të cilën pritej vendimi i kësaj seance. Përfaqësuesi juridik i selisë rozë Eno Bushi pranoi se padia e parë ishte e paplotësuar, duke lënë të kuptohet druajtjen për rrëzimin e saj.
Tashmë Kolegji Zgjedhor hedh shortin për trupin gjykues që do të marrë në shqyrtim çështjen dhe relatorin përkatës, për t’u thirrur më pas seanca e cila do të vendosë mbi padinë e dytë të KQZ-së.

PD, kërkesë për votat e kontestuara, Kolegji shqyrton më 3 qershor rezultatin e Tiranës
Edhe për një javë të tërë bashkia e Tiranës s’do ketë drejtues. Rezultati i zgjedhjeve vendore të 11 majit mbetet i pa zyrtarizuar porsa kohë Kolegji Zgjedhor s’ka dhënë “mendimin” e vet mbi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. KQZ certifikoi kandidatin Lulzim Basha fitues të bashkisë e Tiranës, ndërsa siç edhe është mësuar Partia Socialiste ka kontestuar rezultatin, duke depozituar në Kolegjin Zgjedhor një kërkesë ankimore.
Në mbledhjen e zhvilluar dje, Kolegji Zgjedhor vendosi që ankimimi i Partisë Socialiste për shpalljen të pavlefshme të rezultatit të KQZ-së, i dalë nga numërimi i fletëve të hedhura në kutitë e gabuara në Tiranë, të bëhet në datën 3 qershor.
Vendimi i Kolegjit u bë publik nga anëtari i trupit gjykues Tom Ndreca.
Në mbledhjen e orës 10.00 të Kolegjit Zgjedhor, Partia Socialiste u tërhoq nga një prej ankesave të saj, e cila u konsiderua e pa plotë si dhe me gabime të theksuara procedurale, teksa në të dyja kërkesat relatimet ishin kopje të njëra-tjetrës. Partia Socialiste kërkon shpalljen të pavlefshme të vendimit të KQZ-së për numërimin e fletëve të votimit si dhe rezultatin e shpallur nga ky institucion për fituesin e zgjedhjeve në Tiranë.
Ndërkaq, nga ana tjetër Partia Demokratike ka paraqitur një kërkesë për verifikimin e të gjithë fletëve të votimit të kontestuara në kryeqytet. Kjo, me qëllimin e vetëm që të shqyrtohet dhe numërohet e barabartë çdo votë e qytetarëve.
Dy ditë më parë, Kolegji Zgjedhor vendosi pushimin e padisë së parë të PS, për mos shpalljen e rezultatit në KZAZ 49, njësia 5 dhe rinumërimin e votave të gabuara në kutitë e ardhura prej kësaj KZAZ-je. Dje, Kolegji mund të kishte rrëzuar padinë e radhës të PS, për votat e kontestuara, por tërheqja e kërkesës në minutën e fundit, bëri që ajo të shkrihej me kërkesë padinë ndaj vendimit të Komisionti Qendror të Zgjedhjeve, i cili shpalli kandidatin demokrat Lulzim Basha, fitues të zgjedhjeve në bashkinë e Tiranës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›