Përse komunizmi në pushtet dështoi në të gjithë botën
Probleme të mendësisë komuniste
Indro Montaneli e kishte parashikuar, qysh në ndërrimin e shekujve e më parë, rënien e komunizmit në pushtet në të gjithë botën. Ai kishte parashikuar se teoria e Marksit çalonte, së paku, në dy pika thelbësore: në ekonominë e centralizuar dhe në dogmën e diktaturës së proletariatit. Ekonomia e centralizuar, - sipas këtij publicisti të njohur në të gjithë Europën e më gjerë, - zhdukte kompeticionin, sidomos në bujqësi. Duke qenë pronar Shteti, fshatari ishte në mënyrë fiktive pronar i tokës dhe, realisht, i papronë. Klasa punëtore do të quhej hegjemone por, në fakt, hegjemone ishte vetëm partia moniste. Tragjedia më e madhe i takoi kolektivizimit të dhunshëm në Bashkimin Sovjetik të Stalinit, me rrënimin ekonomik që përfshiu kolkozet dhe sovkozet. Bashkimi Sovjetik u mbyt në zinë e bukës dhe në një uri vrastare që kaploi të gjithë vendin e sovjetëve, nga veriu në jugë dhe nga perëndimi gjer në lindjen e largët. Njëri ndër lëvruesit më të spikatur të reportazhit politik, polaku Rikard Kapuçinski, ka bërë një pasqyrim të mahnitshëm të katastrofës sovjetike, duke e vizituar Perandorinë e Kuqe, para e pas rënies së komunizmit. Ky autor u bë i famshëm me librin e tij „Imperium“ (Perandoria). Një vëzhgues i dëgjuar (Xhon Karré), ka shkruar: “Nëse Markezi është magjistar i realizmit kritik, Kapuçinski është, në të njëjtën shkallë, çudibërësi i reportazhit politik“.
Në të vërtetë ai ka thënë gjëra thuajse të pabesueshme: Në Ukrainë kanë vdekur nga uria 10 milion njerëz. Ai ka nxjerrë fotot e të vdekurve, të shtrirë nëpër trotuare. Por, më i tmerrshmi, është ky pasazh: “Nëna të luajtura mendsh nga uria, të pandërgjegjshme për veprimet e tyre, shkëmbenin fëmijët, për t’i…ngrënë!”. Kanibalizëm!
E pabesueshme! Por ja që edhe një historian i historiografisë moderne, i çmuar për objektivitetin e tij, Alen Bulok-u, e ka paraqitur këtë dukuri të lemerishme, në përshkrimin e thellë që i ka pas bërë Kinës së Mao Ce Dunit. Historiani i famshëm, Belfiore, bashkëpunëtor i shtëpisë botuese “55”, njëri ndër biografët më të mëdhenj të Stalinit, ka shkruar libra të shumtë për këto dukuri rrëqethëse. Montaneli, që kishte rrëzuar edhe mitet për librat që përshkruanin familjen “e përkorë” të Karl Marksit, i kishte dhënë një përgjigje interesante një të njohurit të tij, marksist. Ky miku i kishte thënë Indros: - Marksi është i madh, por është zbatuar keq. Duket se donte të mbronte sistemin në vendet komuniste, vende që ishin afër rrokullimës. - Por, duhet pasur parasysh se në të gjitha vendet që po sundojnë me doktrinën e Marksit, sa janë të suksesshme? Nga kjo mund të nxjerrësh probabilitetin e “pagabueshmërisë” së Marksit! 0/n= 0 (n =/= 0). Sa për Xheni Marksin, me këtë titull kemi pasur edhe né një libër të përkthyer në vendin tonë. Veçse e vërteta e rrëzon atë jetën idilike familjare, me faktin se atë punëtoren e shërbimit, Leiken, Karli e kishte përdhunuar dhe djalin e paligjshëm nuk e kishte njohur, ndonëse i biri, kur u rrit, kishte pasur merita në lëvizjen sindikaliste gjermane.
Të vijmë tek ai probabiliteti. Edhe vendet e pakta në rang botëror, si Koreja e Veriut, Kuba, apo vendi i Çavesit, janë sot në pikë të hallit nga gjendja ekonomike, ndonëse po e ruajnë doktrinën me shpirt nëpër dhëmbë, apo me dhunë e me kërcënime atomike, si Koreja e Veriut. Nuk e përmendim Kinën, sepse ajo iu largua dogmatizmit marksist pas vdekjes së Maos. Dhe nuk i doli keq. Për Shqipërinë mund të lexohet mjerimi ekonomik në librin “Ditari i një katundari”, të Nezir D. Isufit. Ai, konviktor në Tiranë, nuk vinte në kinema se nuk kishte lekë. Madje shpesh nuk vinte as në kasollen e tij, në fshat, se i mungonin paret për autobusin. Mos të japim edhe ngritjet pa gdhirë për qumështin e fëmijëve, si edhe kthimin duarthatë andej nga mëngjesi. Tallonat u bënë paraardhëse të listave për bukë, pas atij tetëvjeçari mjeran që e solli 1997-a e dhunshme. Duket se uzurpatori partiak E. Rama, është bërë pishman që e pikturoi me bojën e tij të zezë periudhën 1997-2005, se tani po na e nxjerr pa të korruptuar, të majtën e tij të skajshme, paçka se me ndihmën dhe me bashkëpunimin e kryeprokurorit “të depolitizuar”, Theodhori Sollakut, tanimë anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS-së!
***
Nëse bëhet pyetja se përse komunizmi në pushtet dështoi në të gjithë botën? Përgjigjja është se ai nuk i qëndroi dot garës me botën e lirë, të cilën e përballoi përkohësisht falë një propagande mashtruese marramendëse. Erdhi një kohë kur kalit jo të fismë, ndonëse të stolisur me shalë verbuese dhe me gajtanë të praruar, nuk e mbanin dot më gjunjët. Kompeticioni nuk bëhet me reklama të pabesueshme.
Por kemi edhe pyetjen tjetër: Përse ajo nostalgjia enveriste, shkaktare anakronike e kaq të këqijave, na mbeti gjer në ditët e sotme në derë, kur vendet homologe europiane, ish-komuniste, nuk e kanë ruajtur aspak atë mentalitet ogurzí për diktaturën? Përgjigjja qëndron te destalinizimi, që nuk u bë në vendin tonë, në vitet 1956 e më tej. E.H.-a jo më kot ishte sundimtari më terrorist i Europës. Ishte dhe mbeti stalinist. Përndryshe duhej të linte karrigen, siç ndodhi gjetiu. Kulti i E.H.-së mbeti i paprekur edhe pas vitit 1985, përmes besnikëve të tij të B. Politike, të spastruar nga “armiqtë” dhe të zëvendësuar me injorantë që nuk i bënin hije. R.Alia, qe ia zuri vendin diktatorit pas vdekjes, nën ndikimin vigjilues të Zonjës së Zezë, e prunë siluetën e E.H.-së, duke e ngritur në apoteozë figurën e tij, çdo 16 shtator, në Pezë dhe në datat përkujtimore, që të mos përmendim edhe fotot e tij në interierët e m. së Jashtme, në kohën e qeverisjes së majtë. Por a do të vazhdohet kështu kur të hyjmë në BE? Edhe vetë e kuptojnë se kjo do të jetë e pamundur. Ja, pra, përse E.Rama heziton dukshëm që të japë edhe opozita kontributin e saj për atë datë të shënuar, të hyrjes në Bashkimin Europian. Një byrek që s’është për mua, le të digjet në zjarr! Ai shtiret i zellshëm për këtë ngjarje fatlume, madje jep edhe sentenca, sikur të ishte Mesia: Fajin e ka Saliu! Ai s’i shmanget dot huqeve të tij të shumta!