Trojka Evropiane: Koha për zbatimin e plotë të rekomandimeve të BE-së

Vonesat dhe alibia publike e kreut të PS-së kanë detyruar dje ambasadorët e SHBA, BE-së dhe OSBE-së të shkojnë në selinë e Edi Ramës dhe t’i përcjellin mendimin e prerë se s’duhet të ketë asnjë vonesë në miratimin e ligjeve me tre të pestat në Kuvendin e Shqipërisë
Kërcënimet e dy ditëve të fundit të kryesocialistit, Edi Rama se opozita mund t’i rikthehet bojkotit dhe kushtëzimit të raporteve me institucionet, ka sjellë shqetësimin e ndërkombëtarëve.
Trojka e ambasadorëve Aleksandër Arvizu, Ettore Sequi dhe Eugen Wollfarth, mbërritën dje pasdite në selinë rozë, për t’i kërkuar shpjegime kryesocialistit Rama, për deklaratat e tij dhe të deputetëve socialistë, në dy ditë të ndryshme, në kushtëzimin e reformave dhe 12 rekomandimeve të Brukselit, me ndryshimet Kushtetuese.
Tre ambasadorët kanë zhvilluar një takim me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama ndërsa mësohet se reforma zgjedhore, ajo parlamentare dhe ligjet që kërkojnë 3/5 e votave të deputetëve, ishin objekt i bisedës gjatë takimit.
Ambasadori i Komisionit Europian, Ettore Sequi në prononcimin e tij për mediat i bëri thirrje klasës politike shqiptare përshpejtimin e reformave, në funksion të integrimit europian të vendit.
“Diskutuam me kryetarin e Partisë Socialiste për perspektivën e integrimit europian të Shqipërisë. Ne vumë re se çfarë mund të bëjmë për të arritur progres në reformat e nevojshme. Siç e dini në nëntor kishte një marrëveshje për të arritur një progres në reformën elektorale dhe reformave në procedurat parlamentare rreth votimit të ligjeve me 3/5-at, tani është koha e duhur t’i përshpejtojmë këto procedura. Nëse ne jemi të gjithë të vendosur, që për të arritur rrugën e progresit drejt Bashkimit Europian, atëherë duhet të përshpejtohen reformat bazë”, u shpreh kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi.
Dy ditë më parë Edi Rama u shpreh se reforma zgjedhore po rrezikohet nga mazhoranca, në një kohë kur grupet e punës vazhdojnë diskutimet dhe po shqyrtojnë propozimet përkatëse. Kuptohet se shqetësimi nuk është te “zvarritja” e ligjit elektoral, pasi nuk ekziston një koncept i tillë, për arsyen e thjeshtë se është ngritur një komision parlamentar si dhe një tryezë e partive politike, për asistimin e Kodit Zgjedhor.
Në këtë drejtim, deklaratat e njëpasnjëshme të Edi Ramës dhe Gramoz Ruçit, për “gjëmën” që po i bëhet reformës zgjedhore, në një kohë kur është vetë opozita forca që ka ekskluzivitetin e propozimit të ligjit të ardhshëm elektoral dhe kuptueshëm, ka edhe të drejtën e vetos është alarm i rremë, me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes nga emergjenca e ligjeve me 3/5, në prag të shprehjes së një opinioni paraprak nga Bashkimi Evropian lidhur me kursin e integrimit evropian dhe statusin kandidat.