E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vraga e verbër që la nga pas diktatura

Lexova me vëmendje të madhe dy shkrime të profesor Arben Putos, botuar në shtypin shqiptar, me shënimin se ishin pjesë të marra nga vëllimi i tij i ri me studime historike që pritet të dalë nga shtypi. Nisur nga fakti se autori i tyre ka qenë një personalitet me emër mes plejadës së historianëve që lavdinë e tyre shkencore e patën përgjatë diktaturës komuniste, doemos jo pa kërshërí nxitova të lexoja se si do të pozicionohej prof. Puto sot, kur në mes të menduarit dhe të paraqitjes së mendimit nuk ka përse të ketë mospërputhje. E theksoj këtë moment, sepse përgjatë diktaturës, mbase edhe profesori në fjalë e dyzonte personalitetin e tij mes të menduarit dhe të shkruarit e kësisoj, duke mos i ditur rezervat e tij, studentët e tij, si edhe publiku i gjerë kanë pas marrë vesh vetëm ato që, sipas shkallës së karakterit dhe personalitetit të tij, profesor Puto i deklamonte ose publikonte. Për këtë, deri në njëfarë mase edhe mund të justifikohet. Mirëpo, për fat të keq, edhe në kushtet bashkëkohore, kur brezat e rinj të studiuesve e kanë lirinë t’i qëmtojnë faktet mes dokumentesh që përgjatë diktaturës mbaheshin të kyçura në fonde të ndaluara arkivash, ku lejohej vetëm profesor Puto me ndonjë tjetër besnik të partisë të kishte akses, vëmë re se profesori në fjalë vazhdon dhe ecën përgjatë brazdës së interpretimit të fakteve njëzëshëm me të dikurshmen vijë të partisë. Kjo na detyron të ndalemi, se kështu tërhiqen nga pas edhe studiuesit e rinj! Pikërisht ky moment më bën të dëshpërohem e doemos edhe ta ndjej me vend edhe ta analizoj.

Sa për një paralelizëm mes dy shkencave, asaj historike, si edhe asaj të drejtësisë, fusha këto të specialitetit të profesor Putos, të cilat, sa kohë që qëndrojnë në brazdat e tyre shkencore, janë shumë në sinkron, kurse, sapo fillon e trazohet politika me historinë, dalim te thënia madhore, por djallëzore e Andrey Vyshinsky-t, i cili, duke iu referuar një maksime të Mark Twain-it, e citonte dendur dhe me mburrje si sukses të politikës sovjetike: … Më së pari, duhen mbledhur faktet e këta pastaj i paraqesim dhe i shfytyrojmë si të duam! Dhe e ndjej kënaqësinë t’ia bëj të ditur lexuesit, i cili nuk e ka këtë informacion, (ndërsa profesor Puto e di shumë mirë), se Vyshinsky ka qenë Prokuror i Përgjithshëm i Bashkimit Sovjetik në vitet e krimeve të mëdha staliniane 1936-1938, e në vazhdim pastaj edhe ministër i Punëve të Jashtme të B. S.

E ndjej për detyrë ta theksoj që në krye se etika e analizës pa asnjë mllef, përkundrazi skajshëm objektive, më bën që me keqardhje të madhe të detyrohem të vë në dukje se shtysa e këtyre radhëve është keqardhja që ndjej se si studiuesve të rinj të fushës së historisë nuk po iu shërbehen metodat shkencore objektive dhe të mbështetura në drejtësi dhe pa asnjë ndikim pikëpamjesh politike, por profesorët si A. Puto me shokë po ndikojnë negativisht në këtë drejtim. Meqë sot mora vetëm shkas nga dy shkrimet e profesor Putos dhe nuk do të ndalem rreth tyre e t’i analizoj, gjë që mbase në të ardhmen do të kem rastin ta bëj, kur të kem në dorë veprën e tij të plotë të botuar, por thjesht nga këndvështrimi i etikës, si edhe drejtësisë rigorozisht shkencore, dua të vë në dukje se profesor A. Puto na fut sot, mbas thuajse dy dhjetëvjeçarësh shkundjeje nga metodologjía marksiste-leniniste, sërish në atë hullí, ku vetë guri i themelit ishte një tallje e trishtë me popullin! Sistemi i atëhershëm, nga vetë udhëheqja e vendit, qe emërtuar Diktatura e Proletariatit. Po profesorati ç’qëndrim mbante? Në veprat e tyre e konsideronin si kulmin e demokracisë! Dhe unë shtroj pyetjen legjitime: A ka nonsens më të madh se sa të vësh shenjën e barazimit mes termit Diktaturë edhe atij Demokraci? Veç dhuna e skajshme e sistemit komunist ishte në gjendje ta përligjte brenda kufijve gjeografikë të minuar e të rrethuar me tela me gjemba këtë barazim paradoksal. Megjithatë, pa as më të voglën shtirje, sinqerisht këtë pozicionim nuk ia marr për bazë profesorit dhe mundohem t’ia justifikoj me ... konformizmin e tij ndaj vijës së partisë për hir të mirëqenies dhe privilegjeve që i sillte ky konformizëm. Ndokush mund ta quajë dobësí karakteri. Unë nuk ia kam vënë vetes detyrë që analizën, së pakut hë për hë, ta shtrij në atë fushë. Jo, asfare. Problemin e kam te ndikimi i kësaj kategorie profesorësh ndaj studiuesve të rinj dhe shembulli që ata iu japin këtyre studiuesve.

Pikërisht në këtë çast, përpara se ta filloj analizën, dua që lexuesin ta informoj se bëj të pamundurën që të mos ndikohem e ta paragjykoj profesor Arben Puton nga si dhe çfarë kanë shkruar ish-shokët e tij, studentë të gjimnazit të Tiranës, rreth qëndrimeve të tij skajshmërisht komuniste dhe të egra ndaj tyre, veç të tregohej revolucionar i flaktë. Gjithashtu, nga ana tjetër, nuk ia lejoj vetes të ndikohem nga fryma se si i ka shkruar veprat e tij profesor Puto përgjatë diktaturës. Gjithashtu, mundohem as mos ta kujtoj dëshpërimin e tij madhor tek u shpreh në ekranet televizive me rastin e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha. I saktësova këto, që lexuesi të më kuptojë drejt e gjithashtu edhe vetë profesor Arben Puto: Të kaluarën e tij as që dua ta marr parasysh. Po ta merrja parasysh (e për këtë e kam plotësisht të drejtën), dua apo nuk dua unë, do të përdorja metoda të së kaluarës së turpshme komuniste. Unë dua që jo vetëm lexuesin, por edhe vetë profesorin ta bind se kriteret shkencore në analizat historike duhet të mbështeten në të vërtetat dhe vetëm të vërtetat. E këto të vërteta kurrë nuk mund të analizohen pa i njohur imtësisht e pastaj edhe të paraqiten rrethanat dhe situatat e kohës që merret në analizë.

Prandaj sot, në agun e shekullit të XXI, teksa profesori shprehet e zezë mbi të bardhë: “Mund të merren me mend pasojat fatale që do të kishte e ardhmja e vendit, sikur Shqipëria të kishte dalë nga lufta në krah të fuqive fashiste. Argumentimin për “gjendjen e luftës” me Shqipërinë ia dhanë Greqisë pikërisht “kuislingët” shqiptarë; ndjehem tejet i dëshpëruar dhe marr shkas të ndërhyj.”

E ftoj tashti lexuesin, si edhe vetë profesorin e nderuar, ta analizojmë së bashku këtë pohim dhe këtij pohimi t’i bëjmë analizën anatomike në përbërësit e tij.

a- Vetë Gjermania, humbësja e Luftës së Dytë Botërore, mos ishte nga krahu i fituesve të luftës? Si shpjegohet atëbotë që mbas viteve ‘60, vetëm 15 vite që nga përfundimi i Luftës së II Botërore (kur Gjermanisë, më 9 maj 1945 nuk i kishte ngelur gur mbi gur e kur popullata aktive për punë ishte e grup-moshave deri 15-vjeçarë, se 15 e lart ishin mobilizuar në frontet e betejave, si edhe 60-vjeçarë e lart, që nuk merreshin më nën armë), nuk merrej më vesh se cilët kishin qenë fituesit e cilët humbësit e asaj lufte, lidhur me mirëqenien, si edhe përparimin ekonomik të vendit? Mos qenë ekonomitë e Britanisë së Madhe apo të Francës ato që filluan të shkëlqejnë të krahasuara me atë gjermanen apo ndodhi e kundërta?

b- Logjika e thjeshtë na çon atëherë ta thellojmë pyetjen dhe pa as më të voglën insinuatë keqdashëse dhe shumë sinqerisht, të shtrojmë pyetjen tjetër se, cila Gjermani pati përparim ekonomik të madh, të pakrahasueshëm, ajo që ishte vetë e radhitur me fuqitë fashiste apo ajo që deshi s’deshi e lidhën pas lufte mbas qerres së kampit socialist? E me këtë rast nuk qëndroj dot pa ia kujtuar lexuesit se Gjermania (e ashtuquajtur) Lindore, ishte vendi, të cilit kampi socialist i krijonte përparësitë më të mëdha, doemos kjo për qëllime propagandistike.

c- E doemos pastaj, për koherencë mendimi, si edhe racionalitet gjykimi, natyrshëm na del përpara pyetja, së cilës kërshërisht do të donim t’ia dëgjonim sqarimin se, nga nxirret përfundimi, i mbështetur ky në kritere shkencore se, po të kishte dalë Shqipëria nga lufta në krah të fuqive fashiste, vendi ynë do të kishte patur pasoja fatale? Sa për t’ia kujtuar lexuesit, si edhe vetë profesor Arbenit një zhvillim historik, unë shtroj retorikisht pyetjen se, mbas shkërmoqjes së diktaturës, për nga u drejtuan qindra-mijëra të ikurit nga ish-parajsa socialiste? Mos vallë prirja qe drejtë Lindjes apo vendeve perëndimore?

d- E tani që kemi arritur deri në këtë pikë, nuk e kam të qartë edhe një zhvillim të fundit, i cili ka të bëjë me pjesën e parë të pohimit të profesor Putos e që ka lidhje se me kë duhej të ishte lidhur Shqipëria për të mirën e saj. Ata që u bënë kolaboracionistë (sipas cilësorit që u veshi Partia Komuniste), kjo e fundit nuk u mëdysh, por pjesën më të madhe i pushkatoi si tradhtarë, apo jo? Kjo për pasojat fatale që do të kishte pësuar Shqipëria, sipas drejtimit që iu kishin dhënë aleancave këta të ashtuquajturit kolaboracionistë. Dakord, e pranojmë për një çast se përzgjedhja e tyre ishte në dëmin e vendit e kësisoj që nga Fejzi Alizoti, Bahri Omari, Kol Tromara, gjeneral Aqif Përmeti, Beqir Valteri e Javer Hurshiti me shokë, e paguan përzgjedhjen e gabuar me kokat e tyre. E theksoj këtë moment, sepse jo vetëm atëherë, në vitet e para të marrjes pushtetit, por edhe sot profesor Puto ata vazhdon dhe i quan kolaboracionistë me kuptimin e keq të fjalës. Dhe unë shtoj, po për palën tjetër, meqë konsiderohet fatlume përzgjedhja e aleancës kundër fuqive fashiste, ata që u bënë kokë e këmbë me idetë antifashiste, duke filluar që nga ideologët e atij pozicionimi, Zai Fundo me gjithë Zef Malën, Sejfulla Malëshovën e Koço Tashkon me shokë, e duke vazhduar pastaj me Mehmet Shehun, Beqir Ballukun, Dali Ndreun, Nexhip Vinçanin, Bedri Spahiun, Koçi Xoxen, Islam Radovickën, Kadri Hazbiun, Petrit Dumen, Riza Danin, Shefqet Bejën, Islam Radovickën, Sheh Karbunarën, profesor Gjergj Kokoshin e të gjithë vargun e pambarim të atyre që në vijim partia i quajti edhe ata tradhtarë, ata pra që na orientuan me mish e me shpirt në kampin kundërshtar të fuqive fashiste, e pyes profesor Arbenin, ishin nisur ata t’i bënin mirë apo keq Shqipërisë ? E meqë në fund ngeli vetëm diktatori Enver Hoxha i rrethuar ose nga më të papërfillshmit e kohës së luftës ose me kukulla – marioneta të reja, a kemi se ku ta gjejmë përgjigjen se cilët e kishin më të drejtë pozicionimin e tyre politik në të mirën e Atdheut? Po, këtu ka edhe një variant të tretë: po të mbrojë profesor Puto vijën politike të Enver Hoxhës e të pranojë se qe ajo që e shpëtoi Shqipërinë nga pasojat fatale!(?)

e- Vazhdojmë dhe e mbyllim analizën me pohimin tjetër që na hedh dritë rreth faktit historik se Greqia gjendjen e luftës me Shqipërinë e ka të mbështetur në argumentimin, shkakun e të cilit, sipas profesor Putos, ia dhanë kuislingët shqiptarë. Gjëja më e vogël që pritej normalisht nga profesor Puto sot, në kushtet e shfaqjes së mendimit të lirë, duhej të ishte që, në bazë të së drejtës ndërkombëtare, ai të hidhte dritë mbi të drejtën ose jo lidhur me qëndrimin e qeverisë greke në rastin konkret. Por profesori apriori e quan faj të kuislingëve shqiptarë pozicionimin grek! Ky fakt nënkupton se nga ana historiko-juridike, gjithmonë sipas profesor Putos, Greqia ka të drejtë ligjore të mbajë qëndrim lufte ndaj Shqipërisë e prandaj unë detyrohem të shtroj pyetjen: mbështetur në cilin kriter shkencor, një kategori politikanësh shqiptarë të cilësuar si kuislingë nga historiografia e periudhës diktaturës, vazhdon dhe cilësohet e tillë edhe sot, pa asnjë analizë të mbështetur në kritere shkencore? A nuk do të qe më bindëse, nëse profesori i nderuar të na e paraqiste pikëpamjen e tij se ku i gjen ai pikat e përbashkëta të takimit në mes vetë Quisling-ut edhe atyre që profesori i quan kuislingët shqiptarë, doemos duke i analizuar pozicionimet, bëmat, si edhe rezultatet e arritura në mënyrë të ndërsjellë, si nga Vidkun Quisling-u e doemos edhe nga shqiptarët e akuzuar njëlloj si norvegjezi! I gjen te krimet ndaj hebrenjve të bëra nga Quisling-u, të ballafaquara këto me shpëtimin që iu bë hebrenjve në Shqipëri nga drejtuesit e shtetit shqiptar? Apo i gjen te nënshtrimi i plotë i Quisling-ut ndaj udhëheqjes ushtarake gjermane, i krahasuar ky me personalitetin e plotë të ruajtur nga udhëheqësit shqiptarë, ku edhe marrëveshja shqiptaro-gjermane qe krejt specifike edhe gjithë dinjitet nga ana e palës shqiptare, ku Shqipëria u quajt vetëm rrugë kalimi e ushtrisë gjermane drejtë Greqisë me të gjitha përparësitë që sillte me vete kjo përzgjedhje1?

Përmbyllje - Meqë kemi të bëjmë me një personalitet të fushës së historisë, i cili të gjithë veprimtarinë e tij shkencore përgjatë periudhës kohore e ka zhvilluar në sintoni të plotë me vijën marksiste-leniniste të partisë, pa deviacione dhe besnikërisht konform saj, dhe sot vazhdon dhe na e paraqet lajtmotivin e kahershëm sërish si linjë shkencore për t’u ndjekur në vlerësimin e fakteve historike, dua të sjell para lexuesit disa paralelizma. Një shtetar i madh, i njohur në shkallë botërore për aforizmat e tija, ka pas pohuar: Aftësi politike është aftësía e parashikimit se ç’do të ngjasë nesër, javën e ardhshme, muajin e ardhshëm, si edhe vitin që vjen dhe të jesh kësisoj aq i aftë, më vonë, sa të shpjegosh, përse nuk ka ngjarë. Duke marrë shkas nga ky pohim madhor i Winston Churchill-it, si edhe nga pohimi që zura në gojë më lart i Andrei Vyshinsky-t, krejt natyrshëm më vjen në mëndje aforizma e Jule Henry Poincaré, sipas të cilit: Shkenca historike përbëhet nga të dhëna faktike sikundër përbërësit e një shtëpie janë gurët e gdhendur. Por, një grumbull i pasistemuar të dhënash e faktesh nuk është hiç shkencë, më shumë sesa një grumbull gurësh të latuar ... të jetë një shtëpi.

Duke iu rikthyer tashmë atyre që cituam, si e analizuam e doemos duke bërë edhe lidhjet e duhura, i mbyll këto radhë me shpresën që studiuesit e ardhshëm:

- Për aq sa u analizua, ta kenë si shembull që faktet të mundohen e t’i vjelin sa më të vërteta, duke hedhur dritë të plotë rreth tyre e mundësisht duke i marrë informatat nga sa më shumë burime drejtimesh nga më të ndryshmet.

- Analizën e tyre ta bëjnë duke e vendosur logjikën e gjykimit në rrethanat, si edhe kohën, kur u zhvilluan faktet.

- Dhe, së fundi, ta kuptojnë drejt se, po u prirën të ndikohen nga përfundime të nxjerra prej studiuesish pararendës që faktet i kanë këqyrur nëpërmjet lentesh deformuese politike, ata as janë marrë me shkencë e aq më pak pasardhësit e tyre do t’i gjykojnë me respekt.

Ndërsa profesor Arben Putos, përvojën e të cilit, të pandikuar nga vizioni politik komunist i këqyrjes dhe interpretimit të ngjarjeve dhe fenomeneve, do të doja që ai t’ua kalonte studiuesve të rinj, po i rikujtoj një maksimë të famshme, e cila thotë :

I ndershëm është ai që i ndryshon mendimet e tij për t’i njësuar me të vërtetat. Kurse i pandershëm është ai, i cili i transformon të vërtetat për t’i njësuar me mendimet e tij! (proverb arab, siç ma ka pas cituar Hirësía e Tij, Baba Rexheb).

Përzgjedhjen për t’u kujtuar në vite me respekt apo jo, profesor Arben Puto e ka në dorë vetë. Por, gjithashtu, sinqerisht i kujtoj profesorit ta ketë parasysh se kurrë nuk është vonë për t’i pranuar të vërtetat e për t’u konformuar me to.

1 Te vëllimi i të nënshkruarit, me titull “Hedhje drite rreth shtrembërimeve historike”, problemet ‘kolaboracionizëm’, si dhe ‘kompromis’ trajtohen në mënyrë mjaft të fundme në analizën e titulluar: Dekorimi i pesë personaliteteve me urdhrin e Skënderbeut, si dhe reagimet keqdashëse

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›