E Diel, 1 Nëntor 2026

Rënia ekonomike, të ardhurat bien me 45 milionë euro

Nga Fitim Zekthi

Rënia e ekonomisë në vend për shkak të mbërritjes së efekteve të krizës ekonomike botërore ka rënduar përpos të tjerash edhe rezultatet e të ardhurave të qeverisë shqiptare. Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave për të ardhurat buxhetore konfirmojnë realisht ngadalësimin e aktivitetit ekonomik, rënien e shitjeve të biznesit dhe në tërësi përkeqësimin e treguesve ekonomikë të vendit.

Sipas të dhënave në tre muajt e parë, të ardhurat tatimore janë rreth 45 milionë dollarë me pak se plani. Rënia më e madhe dhe me efekt më të ndjeshëm në buxhet vjen pikërisht nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, që është dhe taksa, e cila tregon ecurinë e konsumit në ekonomi. Për tre muajt e parë, të ardhurat nga TVSH rezultojnë rreth 22 milionë dollarë më pak se plani, ndërsa ato nga akciza rreth 18 milionë dollarë më pak. Fakti që të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar kanë pësuar këtë rënie në lidhje me parashikimet e qeverisë, do të thotë se veç rënies së çmimeve të disa artikujve të rëndësishëm si karburantet etj., ka patur edhe rënie të konsumit e për pasojë edhe rënie të shitjeve. I vetmi zë i të ardhurave buxhetore me tejkalim mbi 10 milionë dollarë është ai i tatimit mbi të ardhurat personale, i cili u mbahet individëve nga pagat. Por edhe pse në kahun e të ardhurave buxheti po bëhet më i vështirë për t’u financuar për shkak të mosrealizimeve të mësipërme, kjo nuk e ka penguar qeverinë të jetë e ashpër me shpenzimet duke i mbajtur ato në nivele të larta. Sipas pasqyrës, për disa zëra, shpenzimet në tremujorin e parë janë ndjeshëm me të larta nga plani. Tejkalimet më të mëdha janë te zëri i investimeve publike. Për periudhën janar-mars, qeveria ka investuar rreth 20 milionë dollarë me shumë nga sa ishte planifikuar në buxhet. Ndaj, kjo situatë, ku nga njëra anë të ardhurat janë me tendencë të qartë rënëse dhe nga ana tjetër shpenzimet mbeten të larta, ngre një tjetër pikëpyetje, atë që ka të bëjë me stabilitetin e financave publike. Ky është sot edhe shqetësimi me i madh i Fondit Monetar, por edhe Bankës së Shqipërisë, që në me shumë se një rast i kanë kërkuar qeverisë rishikimin e shpenzimeve me tendencë uljen e tyre për të mos rrezikuar stabilitetin financiar të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›