E Shtunë, 31 Tetor 2026

Persekutorët, kërkohet dënim penal

16/12/2008  Kuvendi debaton ashpër për dosjet. Deputetë të PD-së propozojnë ashpërsimin e ligjit

Amendamentet e reja: Të verifikohen drejtuesit e medies dhe gazetarët

Kuvendi është përfshirë dje nga debate të ashpra për ligjin e dosjeve. Ndërsa Kryeministri Berisha dhe deputetë të mazhorancës mbrojtën ligjin e hartuar prej tyre, deputetë të opozitës dhe disa të partive të vogla nga mazhoranca e kanë cilësuar ligjin antikushtetues dhe mjet presioni të qeverisë ndaj gjyqësorit dhe Prokurorisë. Për këtë arsye PS-ja kërkoi tërheqjen e ligjit nga PD-ja dhe braktisi debatet rreth projektit. Ajo garantoi se do të përdorë të gjitha mjetet demokratike kundër tij, duke paralajmëruar ankimimin e tij në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë gjatë punimeve të djeshme parlamentare në sallën e Kuvendit janë depozituar nga deputetë të mazhorancës tri amendamente, nga të cilat dy kanë qenë për kontrollimin e drejtuesve të medies dhe të gazetarëve, si dhe një amendim për ndjekjen penale të persekutorëve.

Debatet

Kryeministri Sali Berisha u shpreh i hapur dhe ftoi grupin parlamentar të Partisë Socialiste që të paraqiste në Kuvend amendamentet e saj për ligjin, me qëllim që Kuvendi t’i diskutonte dhe miratonte ato. “Unë pranoj pa kushte të bëj të gjitha amendimet që ju thoni. I paraqitni ato këtu dhe t’i marrin me radhë”, - tha Berisha. Ai ofroi kompromisin e tij, sugjerim i cili mori si përgjigje kërkesën e opozitës për ta tërhequr draftin. Në çeljen e debatit për ligjin e dosjeve, për mbi 30 minuta, Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij në Kuvend, pasi ka bërë një historik të së kaluarës komuniste të vendit tonë, akuzoi të majtën se u ka dhënë pafajësi persekutorëve më të mëdhenj të kohës në kohën kur kanë qenë në pushtet. Kreu i PD-së përmendi Aranit Çelën, Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën. “Më ’97-n ata që erdhën në pushtet i dhanë pafajësi Aranit Çelës dhe i dhanë shpërblim. Iu dha pafajësia Ramiz Alisë, i cili një ditë para gjyqit firmosi ekzekutimin e 27 intelektualëve të Tiranës. A nuk dha dorëheqjen Manol Konomi dhe vuri shpirtin e tij në litar, pasi nuk pranoi të firmoste ekzekutimin e tyre? Alia ishte Sekretar i Komitetit Qendror të partisë kur iu vunë minat monumenteve, kishës së Shën Pjetrit në Vaun e Dejës. I dhatë pafajësi kur ai dekretoi ekzekutimin me varje të Havzi Nelës në Kukës dhe pushkatimin e fshatarëve të Krumës. Ju e zhbëtë lustracionin dhe i dhatë pafajësi Nexhmije Hoxhës, e cila drejtonte me dorë të zezë edhe pas vdekjes së të shoqit”, - tha Berisha.

Opozita

Deputetët e PS-së braktisën diskutimet e Kuvendit për ligjin e fjalë. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, në fjalën e saj renditi kundërshtitë e forcës politike që ajo përfaqëson për projektin e PD-së. “Kemi arsye të forta bëhemi pjesë e kësaj farse. Ai bie ndesh me Kushtetutën në të paktën 20 nene të saj, kryesisht kur flet për përfundimin e mandateve që funksionarët i kanë marrë me ligj. Gjithashtu bie në kundërshtim me ligjet për organizimin e gjyqësorit dhe të prokurorisë si dhe rezolutën dhe rregulloren e miratuar nga ky Kuvend. Juve ju duhet një ligj për ta përdorur, një ligj si presion ndaj prokurorisë dhe gjykatës, një ligj për të mbrojtur Lulin dhe të tjerë pas tij”, - tha Leskaj. Ajo deklaroi se PS-ja nuk tërhiqet nga përpjekjet e saj për të rrëzuar këtë ligj, duke deklaruar se do ta çojë atë në Gjykatë Kushtetuese.

Ligji për Prokurorinë

Kuvendi miratoi me 72 vota pro e 49 kundër diskutimin dhe miratimin brenda këtyre dy javëve të dhjetorit të ligjit “Për organizimin e Prokurorisë”. PS përmes kryetares së grupit parlamentar, Valentina Leskaj e cilësoi shumë të shkurtër kohën që mazhorana i ka lënë këtij ligji për t’u miratuar. “Keni përcaktuar 28 dhjetorin datën e miratimit të ligjit për prokurorinë, duke i lënë vetëm 13 ditëve diskutimit të tij. Është shumë kohë e shkurtër për një ligj kaq të rëndësishëm”, tha Leskaj.

Skënder Gjinushi (PSD)

Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, u shpreh kundër miratimit të draftit të mazhorancës për hapjen e dosjeve. Ai tha se projektligji nuk merret me dosje, por vetëm me disa funksionarë. Kreu i PSD-së ka akuzuar Kryeministrin Berisha se ka qeverisur me njerëzit me dosje dhe i ka përdorur dosjet vetëm për presionet. Ai tha se ligji është tërësisht antikushtetues, është hakmarrje ndaj atyre që po hetojnë abuzimet në rrugën Durrës–Kukës. “Ligji për pastrimin bëhet vetëm një herë. Çdo parim kushtetues nuk lejon ribërjen e një ligji”, - tha Gjinushi.

Spartak Ngjela votë pro për ligjin

“Nëse zbatohet, bie qeveria dhe Gjykata Kushtetuese”

Deputeti Spartak Ngjela, ndonëse deklaroi votën pro draftit të propozuar nga Partia Demokratike për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, tha se ky ligj nuk do të gjejë zbatim. “Nëse ligji gjen zbatim, atëherë kjo qeveri bie. Nëse ligji gjen zbatim, rrëzohet Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Atëherë unë po ngre një pyetje: cila gjykatë kushtetuese mund të lejojë zbatimin e një ligji që prek interesat e saj? Asnjë gjykatë në botë”, - tha Ngjela. Sipas tij, moraliteti në shoqërinë shqiptare duhet të ishte vendosur që në vitin 1991. “Të gjithë jemi koshientë për terrorin komunist, që zgjati për 50 vjet. Në Shqipëri nuk ka pasur asnjë ligj për policinë sekrete ose Sigurimin e Shtetit, çka do të thotë se e gjithë veprimtaria e kësaj strukture, që në vitin 1991 unë e kam quajtur ‘Ku-Kluks-Klan’, ka qenë e paligjshme”, - tha Ngjela. Duke iu referuar draftit të propozuar, ai theksoi se ligji nuk jep shpresa se do të mund të gjejë zbatim, pasi ai mbron dhe nuk akuzon askënd. “Ligji bëhet për qëllim fshehjeje, dhe një ligj që nuk gjen zbatim, nuk zgjat shumë”, - u shpreh ai. Më tej Ngjela theksoi se persekucioni e ka shkruar historinë e tij dhe nuk ka nevojë për t’u diskutuar në salla puniste parlamentesh. “Ata që shkruan këtë ligj, pse nuk pyetën vetëm njërin që ka vuajtur se si duhet bërë ky ligj? Nëse doni të bëni ligj që të dënojë dhe dëshmojë krimet kundër komunizmit, duhet të kompensoni në radhë të parë ata që janë dënuar. E dini ju se i gjithë tatimi i jashtëzakonshëm nuk ka vendime gjykate? Janë marrë me mijëra tonë flori pa vendime gjykate dhe askush nuk flet. Ja, pra, pse ky ligj nuk ka moralitet, nuk mund të pranohet normalisht”, - tha Ngjela. Sipas tij, ky ligj nuk vendos moralitetin, dhe për sa kohë nuk kthehet moraliteti paqja sociale në Shqipëri nuk do të vendoset.

Deputeti i PD-së kërkon që projekti të jetë i ashpër

Paloka: Persekutorët duhet të ndiqen penalisht

Deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka ka deklaruar në fjalën e tij në Kuvend për ligjin e pastërtisë së figurës se duhet të ishte më i ashpër. Sipas tij, persekutorët e periudhës së komunizmi jo vetëm të demaskohen si të tillë dhe të shkarkohen nga detyra që mbajtën, por edhe duhet të ndiqen penalisht. “Kam kritika ndaj projektligjit, pasi ai i dënon persekutorët vetëm moralisht. Ne sot duhet të miratonim një ligj që jep drejtësi. Ndonëse ne si grup të PD-së kemi shprehur qëndrimin tonë për një projekt, unë personalisht zonja Kryetare do ta mbështesja atë amendament që u përmend këtu dhe që parashikon ndjekje penale për kriminelët e ish-bashkëpunëtorëve të Shtetit”, - tha Paloka gjatë fjalës së tij. Ai përmendi edhe dekorimin e para pak muajve të prokurorit Skënder Breça nga Presidenti i Republikës, që sipas Palokës një ish-persekutor nuk duhet të nderohet në këtë mënyrë. Breça ka qenë prokurori që ka firmosur pushkatimin e Xhelal Koprenca, i shpallur martiri i demokracisë. Deputeti i PD-së shprehur bindjen se kreu i shtetit do të gjej mundësinë që të korrigojë këtë gabim sipas tij. “Nuk e di ç’rrethana i është afruar presidentit për dekorim emri i një persekutori që ka firmosur ekzekutimin e një të pafajshmi. Besoj se ka qenë një gabim i ndonjë këshilltari, por gjithashtu besoj se gabimet mund të rregullohen. Nuk mund të lejojmë që mazhoranca e djathtë të dekorojë persekutorët. Presidenti do të dijë ta rregullojë këtë gabim”, - nënvizoi ai. Ndërsa deputeti tjetër Pal Dajçi në fjalën e tij ka përkrahur ligjin dhe ka kërkuar nga opozita ta miratojë atë, duke theksuar se ai nuk është hakmarrës.

Ligji për dosjet

Ligji do të përcaktojë subjektet dhe funksionet e larta shtetërore që janë të papajtueshme me veprimtarinë politike të zyrtarit për shkak të qenies si drejtues, anëtar ose bashkëpunëtor në strukturat politikëbërësë dhe zbatuese të dhunës së diktaturës për periudhën 29 nëntor 1944–8 dhjetor 1990, rastet e papajtueshmërisë dhe procedurat e verifikimit.

Subjekt i verifikimit do të jenë funksionarët të lartë publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë funksione kryesore, deri te drejtorët e gjimnazeve dhe të mesmeve tekniko-profesionale.

Pastërtia e figurës morale e funksionarit publik është e papajtueshme me:

- anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të PSSH-së;

- kryetar i Gjykatës së Lartë, prokuror i përgjithshëm, kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme;

- ministër i Punëve të Brendshme, zv/ministër i Brendshëm dhe çdo punonjës i Sigurimit të Shtetit;

- i dënuar me vendim penal për krime kundër njerëzimit ose shpifje, kallëzim të rremë në procese politike;

- bashkëpunëtor i organeve të Sigurimit të Shtetit me veprimtari të karakterit politik, që lidhen me vepra penale politike të parashikuara nga ligji nr. 7514 datë 30.09.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë (të ndryshuar), apo bashkëpunëtor vullnetar për vepra të tilla;

- anëtar i Komisionit të Dëbim-Internimeve;

- hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike;

- denoncues apo dëshmitar i akuzës në procese gjyqësore politike.

Verifikimi i pastërtisë së figurave do të bëhet nga Autoriteti i Kontrollit të Figurave, anëtarët e të cilit miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë. Kandidati për anëtar i këtij autoriteti para emërimit duhet të bëjë deklaratë për pastërtinë e figurës së tij si dhe të verifikohet nëse ka ose jo konflikt interesi me subjektin në verifikim.

Autoriteti përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët propozohen si vijon: 2 përfaqësues të shumicës parlamentare; 2 përfaqësues të pakicës parlamentare; dhe kryetari me konsensus. Në rast të mungesës së konsensusit, zgjedhja e anëtarëve bëhet nga propozimet e shoqërisë civile.

Autoriteti fillon procedurën e verifikimit të pastërtisë morale të funksionarëve kryesisht për të gjitha subjektet e përcaktuara në ligj, pra që nga Presidenti i Republikës, deputetët, anëtarët e kabinetit qeveritar, funksionarët politikë sekretarë, drejtorë dhe të barazuarit me ta në çdo institucion të pavarur, anëtarët e KLD-së, prokurorët, gjyqtarët, punonjësit e administratës së institucioneve kryesore në vend, rektorët, anëtarë të Akademisë së Shkencave e deri te drejtorët e gjimnazeve; dhe me kërkesës me shkrim të titullarit të institucionit apo organit të emërtesës së tij për funksionarin publik.

Procedura e verifikimit për të gjithë funksionarët e mësipërm do të mbyllet brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Subjekti që verifikohet i papajtueshëm me funksionet e parashikuara në ligj, duhet të japë dorëheqjen nga detyra e tij, çështja arkivohet dhe materiali verifikues mbetet kofidencial.

Çdo shtetas shqiptar ka të drejtë të njihet me dosjen që përmban të dhënat e tij personale. Ai paraqet kërkesën dhe merr përgjigje nga Autoriteti brenda 30 ditëve. Nëse kjo kërkesë është pozitive, ai njihet me të dhënat personale, por jo me emrat e personave të tretë.

Dritan Prifti (LSI)

“Historia e ligjit të dosjeve duket si teatër këtu në Parlament. Duket sikur dy krahët e politikës nuk merren vesh me njëri-tjetrin, por në fakt te ligji i dosjeve ata njerëz që janë me dosje, tek ai krahu andej (drejtohet nga deputetët e PS-s) janë përjashtuar nga ligji, edhe ata që janë me dosje tek ai krahu andej (drejtohet nga deputetët e PD-së) janë përjashtuar nga ligji. Kështu që ky është një ligj qesharak, është një ligj që është një teatër para shqiptarëve, sepse veten e tyre ata që janë me dosje në këtë parlament e kanë përjashtuar nga ligji.”

Taulant Balla (PS)

“Jam dakord të bashkohem me të gjitha iniciativat që synojnë dënimin e krimeve të komunizmit, të atyre krimeve që lanë pa varre qindra shqiptare të pafajshëm. Por ne duhet të dënojmë edhe ata që kanë vrarë dhe lënë pa varr Remzi Hoxhën dhe jo t’i mbroni, sikurse bëni me Sefgjinin. Autorët e krimit në Gërdec, pasi nuk arritën dot të zhdukin dosjet dhe vendimet që provonin fajësinë e tyre, sonte do të mundohen të përdorin kartonët dhe mandatet e deputetëve për të uzurpuar prokurorinë dhe gjykatat.”

Nard Ndoka (PDK)

“Vetëm projekti i hartuar nga PDK-ja premtonte dhe siguronte hapjen e drejtë dhe të vërtetë të dosjeve, spastrimin moral të politikës dhe vendimmarrjes nga persekutorët. Për fat të keq, projektligji i hartuar nga PD-ja dhe ekspertët e saj krijon hapësira për hakmarrje politike, për përdorim të ligjit sipas nevojave të ditës. Aq më keq që ai merr në mbrojtje eksponentë të rëndësishëm të Partisë së Punës dhe spiunët e vërtetë të infiltruar në politikën e sotme, në të dy krahët e politikës, si dhe i hapë rrugën eliminimit të kundërshtarëve politikë.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›