E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përsëri në recesion

Eurozona ka hyrë përsëri në recesion, për herë të dytë brenda tri viteve. Kjo për shkak se në kuartalin e tretë të këtij viti është shënuar një rënie e aktivitetit ekonomik për 0.1 përqind, njoftoi të enjten zyra evropiane e statistikave, Eurostat.

Rënia ekonomike në 17 vendet e Eurozonës është shënuar për të dytën herë radhazi sivjet, duke shkaktuar hyrjen e saj zyrtare në recesion.

Edhe pse e goditur nga kriza e borxheve, Eurozona iu shmang për tri vite recesionit, kryesisht falë vendeve më të fuqishme ekonomike, si Gjermania. Mirëpo, tani edhe Gjermania po përballet me ulje të kërkesave nga vendet tjera anëtare të Eurozonës, të cilat janë goditur nga kriza, siç janë Greqia, Portugalia, Spanja dhe Italia.

Në kuartalin e tretë të këtij viti në Gjermani është shënuar një rritje ekonomike prej 0.2 përqind, gjë që është më pak se në gjashtëmujorin e parë – sepse në tremujorin e parë kjo rritje ishte 0.5, e në të dytin 0.3 përqind.

Pesë vendet anëtare në recesion – Greqia, Spanja, Italia, Portugalia dhe Qipro - tashmë po i aplikojnë masat e kursimit, përfshirë këtu uljen e rrogave dhe pensioneve, dhe rritjen e tatimeve.

Bashkimi Europian, pjesë e të cilit janë edhe disa shtete që nuk e përdorin euron si valutë të tyre, ka arritur t’i shmanget recesionit, ngase në tremujorin e tretë të këtij viti ka realizuar një rritje ekonomike prej 0.1 përqind.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›