E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përsërisin mbështetjen ndaj EULEX’it

Shefat e diplomacive të Bashkimit Evropian (BE) nesër në Luksemburg do të ritheksojnë mbështetjen e tyre për misionin EULEX në Kosovë, që të shtojë përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kanë thënë zyrtarë të BE-së në Bruksel.

Ndonëse nuk është paraparë diskutimi për Ballkanin Perëndimor, Këshilli i Ministrave të BE-së do të përshëndesë angazhimet për shtimin e pranisë dhe veprimin e EULEX-it në veri të Kosovës, së bashku me bashkëvepruesit e tjerë të BE-së, përfshirë edhe vendosjen e “Shtëpisë së BE-së" në Mitrovicë.

Siç theksohet në dokumentin përgatitor të takimit të ministrave, pritet që shefat e diplomacive të Bashkimit Evropian të nënvizojnë rolin e rëndësishëm të cilin misioni EULEX në Kosovë e luan në forcimin e stabilitetit rajonal.

Ministrat evropianë gjithashtu do të diskutojnë për misionin e policisë së BE-së, EUPM, në Bosnjë e Hercegovinë.

Tema kryesore të takimit do të jetë situata në Afganistan, zhvillimet në Mjan Mar dhe në Kirgizi.

Së bashku me ministrat e mbrojtjes së BE-së, shefat e diplomacive do të shqyrtojnë edhe pikëpamje të rëndësishme të politikës së jashtme të 27 vendeve anëtare të unionit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›