Bora dhe shiu bllokojnë rrugët, 7 të plagosur nga rënia e furgonit në humnerë
Reshjet e shiut dhe të dëborës kanë shkaktuar bllokimin e dhjetëra zonave në të gjithë vendin, ndërsa 7 persona kanë mbetur të plagosur në një aksident automobilistik të ndodhur në mëngjesin e djeshëm. Në aksin Fushë-Arrës - Mirditë një furgon ka dalë nga rruga, duke rënë në humnerë, ku tre prej të plagosurve ndodhen në gjendjen të rëndë. Situata më e rëndë është në Veri të vendit, ku në rrugët kombëtare mjetet lëvizin vetëm me zinxhirë. Tre komuna në qarkun e Kukësit janë bllokuar për shkak të reshjeve të shumta të dëborës. Burimet zyrtare raportojnë për izolimin e disa fshatrave edhe në Gjirokastër dhe Korçë. Ministria e Transporteve njoftoi dje për problemet që ka në qarkullimin në të gjitha akset rrugore të vendit tonë.
Aksidenti
Një furgon udhëtarësh, teksa udhëtonte nga Fushë-Arrësi në Tiranë ka dalë nga rruga për shkak të dëborës, duke shkaktuar plagosjen e disa personave. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10:30 të ditës së djeshme në vendin e quajtur “Maja e Malthit”, në zonën e Mirditës. Furgoni tip “Fiat”, me targa TR 942 A, i drejtuar nga 54-vjeçari Nikoll Markolaj (Zogu), ka dalë nga rruga duke përfunduar 50 metra poshtë në humnerë. Trashësia e dëborës prej 20 cm ka krijuar një terren të rrëshqitshëm, gjë që ka bërë të pamundur mbajtjen nën kontroll të automjetit prej shoferit. Nga rënia e tij kanë mbetur të plagosur 7 persona. Kalimtarë të rastësishëm iu kanë ardhur në ndihmë pasagjerëve, duke i dërguar drejt Spitalit të Rrëshenit. Në gjendje më të rëndë shëndetësore janë anëtarët e familjes Voci. Sipas mjekëve, Lula Voci, 54 vjeçe, ka marrë fraktura të shumta në trup. Ndërkohë që rezulton të jenë mjaft rëndë edhe 19-vjeçarja Eriola Toma dhe Ervin Musaj, të cilëve u janë thyer gjymtyrët. Burimet policore bëjnë të ditur se drejtuesi i furgonit nuk ka përdorur zinxhirë teksa po udhëtonte në rrugën e mbuluar me borë.
Izolimi
Reshjet e dëborës që kanë përfshirë së fundi Verilindjen e vendit kanë bllokuar 3 komuna në rrethin e Kukësit dhe 12 fshatra në rrethin e Tropojës. Burime nga shtabi i emergjencës në prefekturën e Kukësit thanë dje se “në rrethin e Kukësit janë bllokuar nga dëbora komunat e Zapodit, Grykë Çajës e Arrnit, ndërsa qarkullimi i mjeteve paraqitet i vështirë dhe në mjaft komuna të tjera të këtij rrethi”. Në rrethin e Kukësit, në zonat mbi 700 metra mbi nivelin e detit dëbora arrin në një trashësi prej 30 - 40 centimetrash, ndërsa në rrethin e Tropojës në lartësinë mbi 500 metra mbi nivelin e detit, trashësia arrin në rreth 40 centimetra. Reshjet e dëborës kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve në komunën e Zagorisë (Gjirokastër) dhe të Frashërit (Përmet). Sipas të dhënave zyrtare, trashësia e tyre ka arritur mbi 30 centimetra në Komunën e Zagorisë dhe 60 centimetra në komunën e Frashërit. Për pasojë janë bllokuar rrugët rurale drejt këtyre dy komunave. Në fshatrat Deshnicë, Zhej dhe Dhjar është dëmtuar rrjeti elektrik për shkak të erërave të forta. E njëjta situatë është edhe në qarkun e Shkodrës ku akset që lidhin qytetet me zonat e thella malore janë bërë të pakalueshme. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së qarkut të Shkodrës, Fatbardha Çelepia, tha akset më problematike janë Theth-Bogë, Kir-Dukagjin, Tamarë-Vermosh në Malësinë e Madhe, ndërkohë që në Qafën e Bordolecit trashësia e dëborës ka mbërritur deri në 30 centimetra. Sipas saj, edhe në rrethin e Pukës ka probleme, ku më e rëndë situata mbetet në akset rrugore Qafë Mali-Kukës, Qafë Mali-Fierzë, ku si pasojë e dëborës automjetet qarkullojnë me shumë vështirësi. Burimet policore në Qarkun e Korçës bëjnë të ditur se "vështirësi për qarkullimin e mjeteve janë hasur në segmentin e Qafës së Qarrit dhe në rrugët që lidhen me fshatrat Vithkuq, Voskopojë dhe Dardhë". Sipas të dhënave, trashësia e dëborës në zonën e Qafës së Qarrit ku ndahet rrethi i Korçës me atë të Kolonjës, ka arritur gjatë natës në rreth 20 centimetra. Probleme janë regjistruar edhe në akset e tjera si Elbasan-Tiranë, Vlorë-Llogora, Berat-Skrapar etj. Zyrtarë të Ministrisë së Transportit raportuan dje në lidhje me situatën, pas reshjeve të rëna gjatë 48 orëve të fundit.
TË DHËNAT SIPAS QARQEVE
Tiranë-Elbasan, vështirësi në km 29
Korçë- Dardhë, e pakalueshme
Vlorë-Llogora, kalohet me vështirësi
Fushë Arrës-Fierzë, bllokim rruge
Lezhë-Mirditë, vështirësi në rrugë
Burrel-Dibër, lëvizet me zinxhirë
Kukës-Krumë, bllokim rruge
Bajram Curri-Fierzë, bllokim rruge
TË PLAGOSURIT
Bledar Voci 21 vjeç
Lula Voci 54 vjeçe
Ervin Musaj 17 vjeç
Adrian Voci 15 vjeç
Nikoll Markolaj 54 vjeç
Preng Toma 52 vjeç
Eriola Toma 19 vjece
Bllokohen tragetet në linjën Sarandë-Greqi
SARANDË – Bllokohet puna për të dytën ditë radhazi për lëvizjen e trageteve që lidhin Sarandën me Korfuzin. Sipas aparaturës së Kapitenerisë së Portit të Sarandës, dallgëzimi i detit, që dy ditë më parë arriti në 7 ballë, dje është regjistruar 8 ballë. Kapiten Kosta Dhima thotë se nuk është lejuar lundrimi i asnjërit prej trageteve të linjës, duke përfshirë edhe dy të tipit "Delfin". Gjatë dy ditëve të fundit me qindra udhëtarë të linjës së përditshme Korfuz-Sarandë dhe anasjellas kanë anuluar udhëtimin.
Ndërpritet puna në sheshin e trageteve
DURRËS - Reshjet e dendura dhe moti i keq që kanë përfshirë vendin tonë kanë bllokuar punën në portin më të madh të vendit. Burime zyrtare nga kapiteneria e portit, bënë të ditur përpunimi i anijeve tregtare në kalatat e portit është ndërprerë për shkak të reshjeve të herëpashershme, të cilat kanë penguar ngarkim-shkarkimin e mallrave. Motopeshkatoret vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara në pritje të përmirësimit të kushteve detare, thanë burimet. Ndërkohë që ka vazhduar normalisht udhëtimi i trageteve mes Shqipërisë dhe Italisë.
SHKURT
Bllokohen 35 biznese, përbëjnë rrezik për komunitetin
SARANDË – Të paktën 35 biznese tregtare dhe prodhuese në Sarandë nuk do të ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendet ku ndodhen aktualisht për shkak të rrezikshmërisë së lartë për zonat e banuara. Një pjesë e tyre nuk garantojnë sigurinë për jetën. Kryetari i Bashkisë, Edmond Gjoka, tha dje se aktivitete të tilla tregtare, si mbushja dhe tregtimi i bombolave të gazit, furrat e pjekjes dhe të bukës, ofiçina për riparimin e autoveturave, repartet e lyerjes më bojë të mjeteve etj., janë ngritur dhe funksionojnë në katet e para poshtë pallateve. Duke i parë veprimtaritë e këtyre bizneseve si mjaft të rrezikshme për jetën e punonjësve, por edhe të qytetarëve, kemi organizuar kontrolle në terren ku janë konstatuar shkelje serioze të ligjshmërisë për ngritjen e këtyre bizneseve. Për të shmangur incidentet me pasoja të rënda, bashkia, Policia Financiare dhe shërbimi zjarrfikës i qytetit, kanë pezulluar veprimtarinë e mbi 35 bizneseve të tilla.
Shitjet e 167 mjeteve të bllokuara, policia përgatit dosjet
BERAT – Të paktën 167 automjete të bllokuara dhe të sekuestruara nga policia do t’u nënshtrohen procedurave të shitjes nëpër institucione të ndryshme ose do të përdoren për skrap. Burime zyrtare nga sektori i Policisë Rrugore të Drejtorisë së Policisë të Qarkut të Beratit bëjnë të ditur se përmes një aksion prej 5-ditësh në të tre sektorët e qarkullimit rrugor të Komisariateve Berat, Kuçovë dhe Skrapar, janë plotësuar me dosjet përkatëse të gjitha makinat dhe motorët e bllokuar për mungesë dokumentacioni si dhe ato mjete që rezultojnë si dhe të vjedhura. Po të njëjtat burime që i referohen këtij lajmi, kanë pohuar për gazetën se grupi i punës i ngritur nga komisariatet përkatëse ka kaluar në sitë të gjitha mjetet që ndodheshìn në parkimet e jashtme të komisariateve, pasi ka mungesë vend-parkimesh.
E. P.
Bllokohet puna në Kapshticë, shkak Festa Kombëtare e Greqisë
KAPSHTICË - Festa Kombëtare e Greqisë është bërë shkas që autoritetet kufitare të vendit fqinj të ndërpresin punën në pikën doganore të Kapshticës, gjë që ka sjellë radhë të gjata në kufirin mes dy vendeve. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se shkak për këtë anomali të lëvizjes së njerëzve dhe mjeteve ka qenë festa kombëtare e vendit fqinj, si dhe kremtimi i festës fetare të “Shën Vangjelizmoit”. Të paktën 100 automjete në një gjatësi prej 1.5 km janë vënë në radhë në pritje të procedurave të kalimit. Qamil Zhgaba, komandant i policisë kufitare shqiptare në Kapshticë, tha se “ka marrë premtimin nga pala greke që ndonëse funksionon me 2 sportele për kryerjen e procedurave të kalimit të kufirit, të punohet për të lehtësuar qarkullimin e mjeteve dhe të njerëzve drejt Greqisë nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës”.
26 Mars 2008