Përshpejtohen ritmet e punimeve për ndërtimin e aksit rrugorKrumë-Kukës
I nxehti dhe temperaturat e larta nuk kanë ndikuar në ritmet e punës së firmës “Geci” për rikonstruksionin tërësor të aksit rrugor Krumë-Kukës, 31 kilometra i gjatë. “Gjatë këtyre dy muajve ritmet e punës janë përshpejtuar jo vetëm në zgjerimin e trasesë së rrugës, por edhe në ngritjen e veprave të artit”, thotë nënprefekti i Hasit, Ismet Jaku. Punimet për rikonstruksionin tërësor të këtij aksi rrugor nisën në verën e vitit 2009 nga 3 firma ndërtuese, por, pas përfundimit të rikonstruksionit të lotit të parë, me një gjatësi prej rreth 6 km, punimet u ndërprenë për të filluar vetëm në muajin maj nga firma “Geci”.
Rikonstruksioni tërësor i këtij aksi rrugor përfshin zgjerimin e shtratit të rrugës në të gjithë gjatësinë e tij, rikonstruksionin dhe ndërtimin e mjaft prej veprave të artit dhe asfaltimin në të gjithë gjatësinë e rrugës.
Ky aks lidh Kosovën veriore dhe zonën krommbajtëse të Hasit me autostradën Morin – Kukës – Durrës.
Për rikonstruksionin e plotë të të gjithë aksit rrugor nga Qeveria shqiptare është akorduar një fond prej rreth 15 milion eurosh. Ndërsa afati i përfundimit të punimeve është fundi i vitit të ardhshëm.