Kryebashkiaku Lulzim Basha shtron iftar në nderim të muajit të Ramazanit
Kryetari i Bashkisë së Tiranës z Lulzim Basha, shtroi dje një Iftar për besimtarët myslimanë të kryeqytetit. Në fjalën e tij kryebashkiaku Basha theksoi se Muaji i Ramazanit është një vlerë ku kultivohet gjithë përfshirja. “Nesër është Bajram, mishërimi i kurorëzimit me sukses të këtij muaji të rëndësishëm, i shpërblimit të sakrificës dhe i fillimit të ri”, tha Basha i cili shtoi se “dua të shpreh sot para jush përkushtimin tim dhe të Bashkisë së Tiranës që në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman dhe xhamin e Tiranës të përgatisim projektin dhe të nisim pa vonesë punën për ndërtimin e këtij institucioni të rëndësishëm besimi në qytetin tonë”. Kryebashkiaku Basha iu drejtua me një fjalimin falënderues të pranishmëve, në këtë ditë të shënuar për besimtarët myslimanë. “Jemi mbledhur së bashku për të ndarë një ditë të shenjtë, një ditë që na bashkon të gjithëve si shumë të tilla në besimet e ndryshme që bashkojnë qytetin tonë, shoqërinë tonë dhe kombin tonë dhe e bëjnë atë unik në gjithë kombet e tjera. Edhe sot jemi përsëri së bashku për të nderuar njeri-tjetrin, pavarësisht nga mënyra se si i drejtohemi Zotit, duke afirmuar besimin dhe përulësinë tonë ndaj krijuesit dhe duke u lutur të gjithë së bashku. Ditët e gushtit kanë qenë të nxehta dhe të gjata ndaj në fund të një dite të tillë është me vend që fjala ime përshëndetëse të jetë e shkurtër.
Dua të përshëndes dhe tu uroj mirëseardhjen përfaqësuesve të trupit diplomatik.
Për besimtarët myslimanë në Tiranë, Shqipëri e anembanë botës koha e Ramazanit është kohë reflektimi, përkushtimi dhe angazhimi pozitiv në dobi të vetvetes, familjes, komunitetit dhe vendit. Është një mundësi për tu bashkuar me miq të afërm për pranimin e këtij adhurimi, i cili, nivelin e lartë të sakrificës e gërsheton me solidaritetin, modestinë, mirë kuptimin, tolerancën, bashkëpunimin. Këto vlera si dhe përkushtimi ndaj dinjitetit njerëzor, paqes sociale dhe drejtësie janë themelore për besimin islam. Prandaj më lejoni tu uroj besimtarëve dhe familjarët e tyre për sakrificat e këtij muaji të shenjtë që përmbyllët sot. Gjithë përfshirja është një vlerë e cila kultivohet veçanërisht gjatë këtij muaji. Dashamirësia, respekti për njerëzit pa dallim krahine, përkatësie fetare, pikëpamjesh, statusi social apo ekonomik, kultivohet me kujdes e durim dhe përcillet tek brezat e ardhshëm. Nesër është Bajram, mishërimi i kurorëzimit me sukses të këtij muaji të rëndësishëm, i shpërblimit të sakrificës dhe i fillimit të ri. Mijëra besimtarë myslimanë do ti drejtohen nesër Zotit në faljen tradicionale të mëngjesit. Për fat të keq edhe këtë vit si shumë të tjerë, ky do të jetë një ushtrim kompleks pasi Tiranës ende i mungon Xhamia e Madhe. Por unë dua të shpreh sot para jush përkushtimin tim dhe të Bashkisë së Tiranës që në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman dhe xhaminë e Tiranës të përgatisim projektin dhe të nisim pa vonesë punën për ndërtimin e këtij institucioni të rëndësishëm besimi në qytetin tonë. Gëzuar Bajramin e Madh! Qoftë një rifillim i mbarë dhe i begatë për të gjithë tiranësit dhe shqiptarët anembanë”- tha në mesazhin e tij, kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha. Në këtë darkë morën pjesë krerët e komuniteteve fetare në vend si Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Selim Muça, Kryetari i Komunitetit Bektashi, Kryegjyshi Haxhi Baba Edmond Brahimaj, Arkipeshkvi i Durrësit dhe i Tiranës, Monsijor Rrok Mirdita, përfaqësues nga Kisha Ortodokse, Ambasadori i SHBA në Tiranë z. Aleksandër Arvizu, përfaqësues të trupit diplomatik, besimtarë të shumtë myslimanë, përfaqësues nga shoqëria civile si dhe përfaqësues nga mazhoranca dhe opozita.