E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tefta Tashko Koço, humbja e pianos - enigma e madhe!

Nëse një krijues në imagjinatën e zhdërvjellët e perceptoi Tefta Tashko Koçon baltërave të Myzeqesë, të tjerët, bazuar mbi këtë vizion personal, e hipën atë mbi një qerre. Në këtë mënyrë erdhi glorifikimi i sopranos së madhe shqiptare. Një hamall nga pas dhe dy zonja të bukura që vinin nga Parisi, të shoqëruar me një piano të madhe. Kjo e fundit ishte e vetmja gjë që nuk është folur kurrë deri tani. Piano që merrte me vete këngëtarja, nuk ekziston tani. Dirigjenti Eno Koço ka treguar se nuk ka asnjë relikte të nënës së tij. Asgjë nuk ka mbetur nga shtëpia e Tefta Tashko Koços. Kjo është ndër ato histori që lidhen me fatkeqësitë e artistëve të mëdhenj. Pasi sopranoja ka vdekur, çdo gjë që ishte në shtëpinë e familjes Koço, është shitur. Bashkë me shtëpinë, ka rrëfyer dirigjenti Koço, është shitur dhe pianoja e saj e mrekullueshme. Për Enon, e gjithë kjo histori ka mbetur një enigmë, megjithëse tregon se është rrekur mjaft të zbulojë fijet se kush e ka shitur dhe kush mund ta ketë blerë. Dirigjenti, i biri i sopranos, thotë se asokohe dhe në vitet e mëvonshme nuk e ka kuptuar arsyen e këtij ankandi. Sot e kësaj dite vazhdon të tërhiqet pas misterit të shitjes së pianos së veçantë.
Në këtë rendje duket se është lodhur dirigjenti, pasi është dorëzuar më në fund, duke u shprehur se më parë e ka pasur shumë të gjallë idenë për të kërkuar reliktet e nënës së tij e në këtë mes dhe pianon e humbur...
Por, këtë amanet të lindur së brendshmi mendon se do ta realizojnë fëmijët e tij.
“Ndoshta do të mendojnë fëmijët e mi për të mbledhur çdo gjë ka lidhje me gjyshen e tyre”, - është shprehur dirigjenti. Ndërsa vetë ai, tashmë ka realizuar diçka nga ai detyrim, duke nxjerrë në dritë, afro dy vite më parë, një botim të posaçëm me dëshmi gojore, shënime kritike, letërkëmbime, biografi, diskografi, fotografi etj. Kaq është kujtesa e dirigjentit për nënën e tij, sopranoja me dëshmitë e saj në 245 faqe libër. Kjo është gjithçka zotëron nga pasuria e nënës së tij. Hidhërimi më i madh për dirigjentin ka qenë pikërisht mospasja e asnjë sendi, relikte të trashëguar, të mbetur nga koha kur vdiq sopranoja. Kjo, për arsyen se Eno ishte mjaft i vogël, kur nuk bëhet fjalë as për mirazhin e fytyrës së nënës për t’u mbajtur mend.
Në vitet ’30 shënimet kritike dhe refleksionet për recitimin muzikor të Teftës do të pushtonin shtypin. Ishte vetëm 17 vjeç, kur falë opinionit favorizues të këtyre shënimeve kritike do t’i akordohej një bursë për të studiuar në Francë. Dirigjenti Eno Koço ka treguar se për periudhën e studimeve në Francë ka mbetur pak informacion i dokumentuar, pasi pjesa më me vlerë e atij që e shoqëronte, një artikull i Mustafa Krantjes për revistën “Shqiptarja e re” u dërgua në Moskë më 1960, ku ajo do të shtypej për t’u mos u kthyer më në Shqipëri. Ndërsa për të tjera dorëshkrime, të shumta në numër, këtyre shënimeve dirigjenti Koço është kujdesur dhe i ka përmbledhur, pak vite më parë në një libër, duke menduar se kjo do të jetë baza e gjithë trashëgimisë së nënës së tij. Ndërsa viti ’35 do të linte të shkruar këto radhë: “Zëri i saj me timbër aq të ëmbël, i kadifenjtë, i freskët dhe i përdorur me aq lehtësi dhe teknikë prej një regjistri në tjetrin, sidomos notat super të larta, na dha të kuptojmë se sopranoja jonë zotëron një shkollë të belkantos me të vërtetë të mbaruar dhe është e denjë për një konservator si ai i Parisit”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›