E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyq mësueses greke, ndihmonte fëmijët shqiptarë

Reagime të forta në shtetin fqinj, ku nuk mungon solidariteti nga shoqëria civile dhe media

Një gjyq, që për mendimin e shumicës konsiderohej i pavlefshëm, madje i palogjikshëm. Një drejtoreshë shkolle në bankën e të akuzuarve, sepse hapte klasat e shkollës, në orët e pasdites, që nxënësit e saj, shumica fëmijë emigrantësh shqiptarë, të mësonin gjuhën amtare, ndërsa prindërit e tyre gjuhën greke, në mënyrë që të integroheshin sa më shpejt në bashkësinë shkollore. Një solidaritet i paparë nga shumica e arsimtarëve grekë. Një vendim i drejtë i gjykatës së Athinës. Janë këto copat e një pazlli, që pasqyron një ngjarje që shkaktoi reagim të madh në vend, pikërisht në momentet kur opinioni publik grek, vazhdon të reagojë me skepticizëm në se duhet t’u jepet kombësia greke fëmijëve të emigrantëve të huaj që jetojnë në Greqi.
çdo gjë e ka zanafillën në fillim të vitit 1999. Në shkollën e 132  fillore të Gravës në Athinë Stela Protonotariu është drejtoreshë. 72% e nxënësve të saj janë shqiptarë dhe disa afrikanë. Për shkak të gjuhës, shumë prej tyre nuk mund të ecin me ritmin e nxënësve grekë, disa nuk vijnë në mësim, prindërit nuk mund të ndihmojnë. është momenti kur BE jep udhëzime për vendet anëtare të tij dhe disa programe të quajtura Edukimi Olimpik, në mënyrë që të lehtësojnë pikërisht këtë masë të madhe fëmijësh. Mësuesja greke hap klasat e shkollës së saj në disa pasdite të javës. Ndërsa fëmijët mësonin gjuhën shqipe, prindërit mësonin gjuhën greke falas. Qëllimi më se i qartë. çdo gjë bëhet për të ardhmen e fëmijëve. Madje, duke parë se shumica e nxënësve u përkasin feve të ndryshme, drejtoresha urdhëron që në vend të lutjes fetare të mëngjesit, nxënësit të recitonin disa vargje të poetit të shquar grek Janis Ricos nga poezia “Ylli i mëngjesit”. Fjalët e kësaj poezie janë më shumë se një bekim për të gjithë. Prindërit nuk kanë asnjë kundërshtim.
Dhjetëra organizata joqeveritare përgëzojnë veprën e saj, i japin çmime, vlerësojnë punën dhe iniciativën e saj, që fillon të bëhet e njohur edhe në Europë. Si rezultat nxënësit e kësaj shkolle fillojnë të kenë një ecuri shumë të mirë në mësime, askush nuk mungon më. Fenomenet raciste tashmë janë zhdukur.
Por, një koleg i mësueses në fjalë, nuk pranon atë çka ndodh në këtë shkollë. Akuzon drejtoreshën dhe e denoncon atë se jep në mënyrë të paligjshme ambientet e shkollës për mësimin e gjuhës shqipe. Ka përkrah edhe ultranacionalistët grekë, të cilët e bëjnë objekt bisede çështjen e mësueses edhe në një seancë pune të parlamentit grek, duke i dhënë asaj edhe shumë epitete.
Në fund të vitit 2007 mësuese Stela transferohet. çdo gjë që ajo ka krijuar për tetë vjet rrjesht shkatërrohet. Mësuesi denoncues emërohet drejtor i kësaj shkolle dhe shumë shpejt “vendos nderin në vend”. Qysh ditën e parë e bën të detyrueshme lutjen fetare të mëngjesit, ndërsa ndalon mësimdhënien në orët e pasdites në shkollë.
Për të dytën herë mësuesja greke ndodhet përballë gjykatës. çështja e saj shkakton reagime të shumta të forcave përparimtare të shoqërisë greke. Shtypi vlon nga reportazhet që përkrahin veprën e saj. Solidaritet të plotë me të shprehin këshilli i prindërve të kësaj shkolle, mësuesit, Konfederata e Arsimtarëve të Athinës.
Në mëngjesin e së premtes, denoncuesi hyn në sallën e gjyqit i rrethuar me forca të shumta policore. Por, krejt papritur ndërron krejtësisht akt-akuzën dhe deklaron përballë trupit gjykues se kishte marrë urdhër nga një sekretar i Ministrisë së Arsimit.
“Bëra gabim. Duhet të jepja dorëheqjen. Ndalova programin e mësimdhënies dhe qysh atëhere më quajnë fashist dhe ultranacionalist. Mësuese Stela është e pafajshme. është e padrejtë t’i japim asaj përgjegjësi të kota”.
është për t’u përmendur një prej deklaratave të mësuese Stelës në një prej gazetave greke, disa ditë para gjyqit, kur është pyetur se çfarë ëndërron për të ardhmen e arsimit grek: ”Një shkollë të tolerancës, të gëzimit dhe të krijimtarisë që ofron vlera, dije, aftësi. Një shkollë që ka vend për të gjithë fëmijët, pavarësisht fesë, ngjyrës, prejardhjes dhe që lufton mentalitetet, margjinalizimin, izolimin social. Prandaj u jap këshillë nxënësve të mi, të duan njerëzit, veten e tyre dhe jetën, të bëjnë atë çka është më e mira dhe gjithnjë të vendosin veten e tyre në vendin e tjetrit”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›