E Diel, 1 Nëntor 2026

Feim Ibrahimi: Do të kalojnë mbi trupin tim dhe pianon nuk e marrin!

Nëse për kitarën e Vaçe Zelës jeta në kamp, pas telave me gjemba, rrëfente realitetin më të egër shqiptar, për Feim Ibrahimin është ana tjetër e medaljes në “liri”, si muzikantët prisnin vendime nga lart për të pasur një instrument, në kushtet e një izolimi total, kur nuk bëhej fjalë të blihej as brenda dhe jashtë vendit. Bashkëshortja e Feim Ibrahimit, Vera, për herë të parë na sjell modelin se si është ruajtur studioja e kompozitorit me gjithë reliktet e tij, sendet, partiturat ashtu dhe pianoja siç ai i la në gjallje. Por Vera e kthen këtë ndjeshmëri për legjendën e muzikës si thirrje për të gjithë kompozitorët që krijuan në diktaturë si Pjetër Gaci, Tish Daija, Çesk Zadeja etj., që studiot e tyre, pianot të vihen nën vëmendjen e shtetit për t’i ruajtur nga shkatërrimi i kohës. “Duke qenë se janë instrumente që i përkasin punës së madhe që kanë bërë këta njerëz që kanë shkruar gjithë këto vepra, atëherë shteti është i detyruar të paktën moralisht që të caktojë njerëz që dijë të merren me ruajtjen e tyre, sepse familjarët nuk munden. Atëherë shteti nxjerr një lloj fondi për pesë-gjashtë figura të muzikës dhe që i kanë këto instrumente nëpër shtëpi”. Por, Vera kujton dhe vendimin fatlum që i shpëtoi pianon Feim Ibrahimit. Ndërkohë që ishte lëshuar një urdhër i brendshëm që të mblidheshin të gjitha instrumentet muzikore që u dhanë kompozitorëve në kohën e diktaturës, Kryeministri aktual, President atëherë, nxjerr një vendim që t’u falen të gjitha instrumentet kompozitorëve, kjo, pas një kërkese që bëri kompozitori Feim Ibrahimi.

Ju ruani ende të paprekur studion që la kompozitori Feim Ibrahimi. Por mund të na tregoni ndër to se ku është blerë pianoja, cila është historia e saj?

Pianohja ka një histori të tillë: Feimi mbaroi studimet në vitin ’66-n, konservatorin, dhe ne nuk kishim një piano, nuk kishte një piano të trashëguar nga shtëpia ose që të kishte piano që të shiteshin siç është tani. Kështu që në vitin ’67 duke qenë pedagog në Institutin e Arteve, doli një vendim nga Ministria e Arsimit e atëhershme që dy kompozitorëve, Feim Ibrahimit dhe Shpëtim Kushtës, t’u jepeshin dy piano. Në atë kohë vinin pianoforte “Petrof” me porosi nga Ministria e Arsimit për llogari të Institutit të Arteve dhe këto dy piano do t’u jepeshin këtyre dy kompozitorëve. Praktikisht, pianot erdhën dhe në vitin ’67 pianoja ka hyrë në bodrumet e Shallvareve, ku jetonim. Aty ka ardhur për herë të parë pianoja me vendim të ministrisë, sepse më vonë për të gjithë kompozitorët apo dhe instrumentistët që kanë marrë piano ndryshoi ligji dhe i kaloi ky rregull Lidhjes së Shkrimtarëve, kjo caktonte se kush duhej të merrte piano. Kështu, pianoja që na erdhi në atë kohë, ka qenë nga Ministria e Arsimit dhe Instituti i Arteve, me emër, se kush duhet t’i merrte. Më vonë ligji ndryshoi dhe kjo kompetencë i kalonte Lidhjes së Shkrimtarëve. Feimi duke qenë edhe sekretar i Lidhjes nuk e di sa e sa vetë mund t’i ketë pajisur më pianoforte. Sigurisht këto jepeshin sipas aftësisë së njerëzve dhe di që me rregull këto instrumente jepeshin me përdorim të përjetshëm. Kjo do të thotë se pas vdekjes kompozitorit ose instrumentistit i merrej pianoja dhe i kalonte dikujt tjetër.

Po mbas ’91-shit, çfarë ndodhi me pianon, kur rregullat për instrumentistët nuk i bënte më as Ministria e Arsimit dhe as Lidhja e Shkrimtarëve?

Në vitin 1991 me ndryshimet që u bënë, filluan të bëheshin abuzime të llahtarshme nga drejtues të ndryshëm që kërkuan t’u merrnin pianot këtyre kompozitorëve edhe duke qenë gjallë. Një nga këta ishte dhe Feim Ibrahimi. Një ish-nëndrejtor i Institutit të Arteve, mbaj mend emrin por jo mbiemrin, Fisnik quhej, iu qep aq keq sa thoshte se ka nevojë konservatori për piano dhe duhet t’ia kthesh atë Institutit.
Atëherë nuk ishte fjala vetëm për Feimin, por dhe të tjerë. Në atë kohë Feimi ishte i pari, madje ishte dhe i papunë, dhe formuloi një letër drejtuar Berishës. Në këtë periudhë doli një vendim fantastik, ku Berisha u fali studiot të gjithë piktorëve dhe skulptorëve dhe kështu duke marrë pikënisje nga kjo gjë, që t’u faleshin pianot edhe kompozitorëve. Ai formuloi një letër drejtuar Berishës, ku firmosën të gjithë dhe e vërteta ishte se doli vendimi dhe u falën pianot.

Para se Berisha të lëshonte vendimin, që e shpëtoi pianon të ikte nga “shtëpia”, kërkesa e mëparshme për ta dorëzuar atë në Institut, si u përjetua nga kompozitori?

Vetëm vendimi i Berishës që u fali studiot piktorëve dhe në këtë pikënisje t’u faleshin pianot edhe kompozitorëve, e shpëtoi pianon që nuk iku në Institutit të Arteve, sepse ne sot e kësaj dite do të ishim pa piano. Unë kam qenë shumë e shqetësuar në atë zallamahi që ishte se vërtet do na merrnin pianon. Gjithçka mund të ndodhte, por Feimi më thoshte: “Mbaje mend se do të kalojnë mbi trupin tim dhe pianon nuk e marrin”. Kisha frikë se mos vinte policia për ta marrë, por ai më thoshte se akoma nuk ka vdekur. Sipas ligjit, pianoja ishte me përdorim të përjetshëm. Si përfundim pianoja mbeti, që është sot e kësaj dite. Nuk është më pianoja “Petrof”, por “Augustfirst” - këtë të fundit donin të merrnin. Kur ishte Feimi sekretar i Lidhjes donte t’i jepte pianon një pianisteje të quajtur Irena Pllumi, nga Shkodra. Mirëpo atëherë ka qenë orientimi që t’u jepeshin piano jo vetëm atyre që ishin në Tiranë, por edhe atyre në rrethe. Dhe duke qenë se “Augustfirst” që kemi aktualisht në shtëpi, ishte në Lidhjen e Shkrimtarëve, ishte piano muri dhe nuk shërbente për ndonjë gjë aty, atëherë Feimi vendosi që pianon “Petrof” që kishim në shtëpi, t’ia kalonin Irena Pllumit dhe Feimi të merrte “Augustfirst” në shtëpi.

Për çfarë vitesh bëhej fjalë kur e ndërroi pianon Feimi?
Ka qenë herët, në mos gaboj në vitin 1979, kur mori në shtëpi “Augustfirst”-in, por mund të themi si pronë i figuronte e marrë nga Akademia e Arteve, sepse ashtu kishte qenë vendimi pasi Irena Pllumit nuk mund t’ia merrnin pianon, sepse ishte me vendim të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe u bë një këmbim brenda për brenda.

Në çfarë kushtesh është pianoja tani? Ku vazhdoni ta mbani, në bodrum?

Pianoja është në studio, vazhdon të qëndrojë në vend, ashtu siç nuk ka lëvizur asnjë gjë nga sendet e Feimit. Mundohem vetë të kem një lloj kujdesi për pianon, megjithëse nuk jam specialiste. Vjen vajza e kontrollon dhe ajo më vë në dijeni për çfarë ka nevojë pianoja. Atëherë privatisht marr dikë që e vendos në parametra të duhur. Megjithatë, ajo ka shumë nevojë për pjesë të këmbimit apo druri të cilit i ka hyrë krimbi dhe këtë e kam injektuar vetë me helm antikrimb. Janë të gjitha gjërat që i bëj vetë. Kështu si unë bëjnë të gjithë, nuk jam e vetmja, që të bëj heroin.

Ju thatë që e mbani në studio. Çfarë sendesh të tjera ka ajo nga Feimi, kemi të bëjmë kështu me ndonjë muze të vogël?

Ajo studio praktikisht është ashtu siç e ka lënë Feimi. Një dhomë që ka qenë gjithmonë e Feimit, ku nuk kam këmbyer asnjë gjë, as bibliotekën, pavarësisht se u përket viteve të shkuara dhe sot mund të duket tepër e kaluar nga koha. Megjithatë, unë nuk e kam ndërruar, sepse për mua ka vlerë ashtu siç është.
Aty ka aparatura, magnetofon, radio deri tek një makinë shkrimi që përdorte ai dhe aty janë të gjitha të arkivuara, ato partitura që unë disponoj.
Jam munduar që t’i vendos në disa parametra minimalë për ruajtjen e partiturave. Dhe ky është një problem tjetër që del bashkë me pianon, mendoni që janë mijëra faqe partitura të shkruara me laps. Kështu orkestrohej atëherë, me laps. Vetëm një faqe partiturë ai bënte një orë për të orkestruar katër masa muzikë. Vetë Feimi më thoshte: ‘Gjithmonë kompozitori ka pasur me vete vizore, laps, letër’. Kjo ishte puna më e mundimshme për një kompozitor, sipas meje. Vetëm baleti “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” ka një mijë faqe partiturë. Janë të gjitha të shkruara në laps, koha do të bëjë punën e saj, letra do të dëmtohet pavarësisht se i ruaj, por nuk janë në parametrat e ruajtjes së një arkivi. Ka shumë probleme aty brenda, në studio.
Dhe absolutisht deri më sot nuk më ka trokitur njeri në derë ose nuk më ka telefonuar dikush të më thotë se në ç’gjendje janë partiturat. I kam inventarizuar të gjitha, por sot jam unë, mirë është dhe vajza, por këto nëse nuk kanë kujdes shtetëror do të marrin fund. Nuk është fjala vetëm për Feim Ibrahimin, ky është një problem kombëtar.

Po drejtoresha e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika, është shprehur se si për shkrimtarët është e hapur për të pritur këto pasuri...
Po, jam e sigurt se nëse i them që të m’i ruajë në Arkiv, do të m’i pranojë, por problemi është që unë këto vepra origjinale nuk dua t’i largoj nga studioja e Feimit.
E kam pasur gjithmonë si pikësimin tim, nuk them vetëm për studion e Feimit, por të disa kompozitorëve të rëndësishëm të vendit tonë, të kthehen në një muze, për të cilin familjarët nuk mund të bëjnë asgjë. Me gjithë dëshirën për t’i ruajtur, ata janë të pafuqishëm.

Është afruar ndonjë për ta blerë pianon? A mendoni se mund të shitet ndonjëherë?
Jo, jo, as nuk mendohet për ta shitur. Nuk kam ruajtur vetëm partiturat apo pianon, por dhe disa relikte, si syzet apo lapsat kanë mbetur ashtu siç i ka lënë ai, mbi pianoforte, bashkë me gomën apo thikën e vogël që i mprehte ose diçka nga veshjet e tij.
Por është e njëjta gjendje për të gjithë. Ka disa të rëndësishëm që ia vlen; është Çesk Zadeja, Tish Daija, Nikolla Zoraqi, Pjetër Gaci është edhe Tonin Harapi, të gjithë i kanë instrumentet nëpër shtëpi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›