E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ettore Sequi: Ngërçi politik pengoi marrjen e statusit. Shqipëria i ka potencialet të bëjë detyrat dhe në dhjetor të marrë statusin e "vendit kandidat"

12-10-2011 / Gazeta 55

Progres - raporti i Bashkimit Evropian për Shqipërinë

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi u shpreh sot se progresi dhe ecuria e integrimit të Shqipërisë në BE, u pengua nga ngërçi politik i tej zgjatur. Pasi i dorëzoi dokumentin e progres – raportit kryeministrit Sali Berisha, presidentit Bamir Topi dhe kreut të opozitës, Edi Rama, ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi gjatë një konference për shtyp ka prezantuar pjesë nga raporti, që janë edhe arsyet pse Shqipëria nuk mori një vlerësim pozitiv për këtë vit, por nuk përjashtohet mundësia që Shqipërisë t’i akordohet statusi i vendit kandidat në dhjetor të këtij viti. “Viti 2010 ka parë hapa të rëndësishëm në rrugën drejt BE-së. Qytetarët e Shqipërisë patën mundësinë që të udhëtonin pa viza, dhe komisioni rekomandoi se do të hapeshin bisedimet për anëtarësim nëse do të plotësoheshin 12 rekomandimet e vendosura nga BE-ja. Në vitin 2011 Shqipëria ka filluar punën për përmbushjen e prioriteteve. Qeveria shqiptare ka përgatitur një plan veprimi për këto prioritete. Disa përparime janë bërë, në fusha si lufta kundër krimit të organizuar, të drejtat e fëmijëve, përmirësimi i trajtimit të të burgosurve, reforma në gjyqësorë. Por progresi është penguar nga vazhdimi i ngërçit politik, dhe burime të tjera konfliktuale që kanë shtuar klimën e mosbesimit. Reforma të rëndësishme që kanë të bëjmë me Bashkimin Evropian, ende nuk janë miratuar, sidomos ata që kanë të bëjnë me 3/5, apo procedurat e emërimit për disa institucione të pavarura. Për të përmbushur kriteret Shqipërisë do t’i duhet për të përmirësuar punën e Kuvendit, të garantojë zgjedhjet, të reformojë administratën, të zbatojë strategjinë e reformës në gjyqësor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, apo çështjen e pronave. Pavarësisht një procesi relativisht të qetë dhe transparent ditën e votimit, zgjedhjet vendore shënuan mangësi për të cilat kërkohet reformë e shumë anshme zgjedhore”- u shpreh Sequi, duke ndarë detyrat për klasën politike. Ambasadori i BE solli në vëmendje se “Shqipëria ka bërë hapa të konsiderueshëm në përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian”. “Ka nevojë që të bëhen hapa shumë thelbësore përpara në fusha, si lëvizja e lirë, e punonjësve, energjia, mjedisi, transporti ajror etj. Ka patur një përparim të kufizuar për përmbushjen e kritereve politike dhe kritereve të dhëna nga Bashkimi Evropian. Ka patur disa sinjale pozitive që partitë të fillojnë dialogun, i cili kërkohet në mënyrë urgjente, që do të bëje që progresi të vazhdojë në fushën e integrimit evropian. Përpara se të rekomandohet çelja e negociatave Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa për miratimin dhe zbatimin e reformave”- theksoi Sequi.
Ai tha më tej se Shqipëria ka bërë përparime porsa i takon zhvillimit ekonomik, teksa ekonomia shqiptare vazhdon të ketë rritje. “Shqipëria ka bërë disa përparime, por ekzekutimi i kontratave dhe zbatimi i shtetit të së drejtës vazhdojnë të pengojnë zhvillimin e mëtejshëm ekonomik”- tha ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›