E Diel, 1 Nëntor 2026

Persona të maskuar sulmojnë 15 nxënës shqiptarë në Shkup

Mbi 15 nxënës shqiptarë të fshatrave Çiflikë dhe Seta Petkë të Karshiakës janë rrahur mbrëmë brutalisht nga persona të maskuar në lagjen Kisella Vodë të Shkupit.
 

Incidenti ka ndodhur në lagjen Kisella Vodë, kur rreth 20 persona me maska dhe shufra druri dhe hekuri kanë ndaluar autobusin që po transportonte nxënësit shqiptarë dhe i kanë rrahur brutalisht.
 

Nxënësit menjëherë janë dërguar në Spitalin e Qytetit në Shkup, ku siç mësohet tre nga 15 nxënësit kanë pësuar dëmtime të rënda trupore, një prej të cilëve në gjendje kritike. Nxënësit janë shprehur të shqetësuar dhe traumatizuar lidhur me incidentin dhe dhunën e ushtruar ndaj tyre.
 

Dhjetra prindër në mbrëmje ishin mbledhur pranë Spitalit të Qytetit për tu njohur me gjendjen e fëmijëve të tyre. “Ne jemi tejmase të shqetësuar se çfarë po ndodhë në këtë vend. Si mund të sulmohen fëmijët në mënyrë aq mizore dhe brutale. Kërkojmë urgjentisht zbardhjen e këtij incidenti dhe kapjen e autorëve”, theksuan prindërit e revoltuar të nxënësve pranë Spitalit të Qytetit.

Forca policie kanë qëndruar pranë Spitalit të Qytetit, ndërsa për sot pritet edhe deklarata e Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me incidentin. Komuna Kisella Vodë është e banuar etnikisht me maqedonas në dalje të Shkupit në pjesën që kufizohet me rajonin e Karshiakës, që banohet nga popullësia shumicë shqiptare.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›