E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet Projektligji për RTK'në, parashihet hapja e RTK 3 për pakicat

Me 42 vota për, 36 kundër dhe 3 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë Ligjin për Radio Televizionin e Kosovës.

Deputetët miratuan një nga një 21 amandamentet e propozuara, duke përfshirë edhe amendamentin 6, propozim ky i Grupit Parlamentar “6 plus”, i cili parasheh hapjen e kanalit të tretë për pakicat.

Ndonëse nuk e kishte përkrahjen e komisionit funksional, atij për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, amendamenti 6 i projektligjit për transmetuesin publik është votuar nga ligjvënësit. Por, kur deputetët e kuptuan se kishin votuar gabim, atëherë ishte shumë vonë, ngase kryeparlamentari Jakup Krasniqi nuk lejoi rivotim.

Madje, ai nuk ka lënë pa kritikuar deputetët, që sipas tij, nuk e dinë as se çka votojnë.

“Vërtetë votimi ka qenë i pamenduar. Duhet të mendohet të shkohet në lexim të tretë. Ju lutem, kini votuar diçka që deputetët nuk e dinë çka kanë votuar. Absolutisht nuk e dinë dhe nuk e kanë përgjegjësinë e votës që e kanë dhënë.... Sot nuk e vë në votim. Le të mësohen të votojnë, shkon në votim të tretë”, ka thënë Krasniqi.

I shqetësuar më së shumti me miratimin e këtij amandamenti ishte deputeti i LDK-së, Eqrem Kryeziu, duke thënë se televizioni publik nuk ka shanse të mbahet me donacione.

“Serbët jo, e di që ata kanë identitet shumë të fortë dhe s’ka shanse të bëhen as turq as romë. Nuk ka shanse me donacione televizioni publik të mbahet”, ka theksuar Kryeziu.

Deputetja e Grupit Parlamentar 6 Plus, Duda Balje, e arsyetoi kërkesën për kanal të tretë, duke thënë se pakicat tjera joserbe kanë shumë pak hapësirë në kanalin e parë, por po aq do të kenë edhe në kanalin e dytë.

“Kanali RTK 3 është shumë me rëndësi për ne, sepse ne jemi shumë pak prezent ne RTK 1 dhe po aq pak do të jemi edhe ne RTK 2, sigurisht në gjuhën serbe. Ne nuk kemi kërkuar asgjë që të jetë obliguese por vetëm kemi lënë të hapura mundësitë që kjo të ndodhë kur të krijohen kushtet”, ka thënë Balje.

Me propozimin e Komisionit parlamentar për buxhet dhe financa, në ligj është përcaktuar që buxheti i RTK-së të jetë 0.7 për qind e buxhetit të shtetit. Kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, tha se arsye ka qenë respektimi i ligjit të buxhetit.

“Në buxhetin e vitit 2012 është planifikuar që buxheti i RTK-së të jetë 0.7 për qind e të hyrave nga buxheti i Kosovës. Një gjë e tillë është e paraparë edhe me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve. Arsyeja ka qenë respektimi i Ligjit të Buxhetit”, tha Hadërgjonaj.

Por jo të gjithë e kanë kuptuar këtë pikë. Kryeparlamentari Krasniqi dha përgjigje për ata që nuk kuptuan.

“Kush ka kuptuar ka kuptuar, kush nuk ka kuptuar, le të shkojë në shtëpi”, tha Krasniqi.

Ndërkohë seanca do të vazhdoj punimet me miratimin e disa projektligjeve të tjera. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›