E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiti dhe vrau, kërkohet burg për jetë

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin maksimal për Petrit Lazaj dhe nëntë vjet burgim për Albana Zenelajn

TIRANË- Një i akuzuar për një skemë të grabitjes së klientëve të seksit duhet të kalojë pjesën tjetër të jetës së burg. Ky është konkluzioni përfundimtar i prokurorisë në ngarkim të të pandehurit Petrit Lazaj, i cili ka vrarë një prej personave që po grabiste. Ndërkohë për bashkëpunëtoren e tij, e cila ishte edhe karremi i klientëve, Albana Zenelaj, prokuroria kërkoi dënimin me nëntë vjet burg.

Sipas pretencës së prokurorit Adnan Xhelili, dy të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer vjedhjen me dhunë të shtetasit Gëzim Shullani dhe më pas e kanë goditur atë me sende të forta, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë, sipas akuzës, i pandehuri Lazaj ka konsumuar edhe veprën penale të shfrytëzimit për prostitucion të të pandehurës Zenelaj, e cila ka qenë për një kohë e dashura e tij. “Në përfundim të fazës hetimore është konstatuar dhe provuar se i pandehuri Petrit Lazaj ka konsumuar me dashje veprën penale të vjedhjes me pasojë vdekjen, vjedhje me dhunë në bashkëpunim dhe shfrytëzimit për prostitucion duke e detyruartë pandehurën në këtë proces të “shiste” trupin kundrejt pagesave të ndryshme. Për kryerjen e këtyre veprimeve kriminale, kërkojmë nga gjykata deklarimin e tij fajtor për të tre këto vepra penale dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Ndërsa, për të pandehurën Albana Zenelaj, e cila ka qenë bashkëpjesëmarrëse në vrasjen e shtetasit Gëzim Shullani, duke kryer veprën penale të vjedhjes me dhunë kërkojmë nga gjykata dënimin e tij me 9 vjet burg”,- tha dje prokurori i çështjes. Pas leximit të konkluzioneve përfundimtarë të akuzës, seanca gjyqësore u ndërpre për t’i lënë kohë avokatëve të përgatisinpretendimet përfundimtare të mbrojtjes së dy të pandehurve. Petrit Lazaj dhe Albana Zenelaj u arrestuan disa muaj më parë si autorë të vrasjes me sende të forta, për qëllime grabitjeje, të shtetasit Gëzim Shullani. Krimi ndodhi mëngjesin e datës tre mars të këtij viti, në godinën e ish-Ambasadës Jugosllave që ndodhet e braktisur në rrugën e “Durrësit” në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›