Librazhd, mushka vret 64-vjeçarin
LIBRAZHD- Një 64- vjeçar ka gjetur vdekjen si pasojë e dëmtimeve të marra pasi është tërhequr zvarrë nga mushka e tij. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kokrevë të komunës Hotolisht kur Faik Hysa, 64 vjeç, pasi kishte marrë pjesë në një varrim në fshat ka shkuar për të zgjidhur litarin e mushkës dhe kur kjo e fundit është trembur ai nuk ka mundur t'i shpëtojë litarit dhe për pasojë është tërhequr për disa metra. Për pasojë ai ka marrë dëmtime të rënda që më pas i kanë shkaktuar vdekjen. Menjëherë pas konstatimit, një grup hetimor është nisur drejt vendit ku është konstatuar ngjarja dhe është bërë këqyrja e kufomës si dhe pyetja e dëshmitarëve të pranishëm. Konkluzionet e dala për vdekjen e 64- vjeçarit kanë qenë se vdekja e tij është shkaktuar nga fraktura e kafkës së kokës me dëmtime të rënda trunore. Ndërkohë në të njëjtën kohë, një 28- vjeçar ka rrezikuar jetën e tij pasi është zënë nga dheu teksa punonte për ndërtimin e një shtëpie në Përrenjas. Servet Elezi, 28 vjeç, ka qenë duke punuar në shtëpinë e shtetasit Hekuran Faqolli duke gërmuar dheun kur ky është shembur dhe e ka zënë poshtë. Disa punëtorë të tjerë e kanë nxjerrë nga dheu dhe e kanë transportuar menjëherë në spitalin e Librazhdit.