Cërrik, 300 familje në protestë për problemin e ujit
Përfaqësuesit e familjeve kanë protestuar dje në Elbasan në lidhje me mungesën e ujit për të mbjellat e tyre
ELBASAN- Kryefamiljarët e 300 familjeve në lagjen nr. 3 në Cërrik kanë zhvilluar ditën e djeshme një protestë përpara dyerve të Drejtorisë së Bujqësisë në Elbasan për të kërkuar ndryshimin e drejtuesit të shoqatës së përdorimit të ujit për vaditje dhe shfrytëzimin e rezervuarit të ujit vetëm për zonën e Fermës së Cërrikut pasi i përket këtij territori. Ata kanë tentuar madje të hyjnë brenda godinës për të kërkuar një të drejtë të tyre mbi vaditjen. Konflikti midis fermerëve dhe kryetarit të shoqatës Allkja ka bërë që këta të fundit të grumbullohen dhe me nga një përfaqësues të zhvillojnë protestë. Ndërsa kanë kërkuar zgjidhje nga drejtuesit e Drejtorisë së bujqësisë, fermerët kanë deklaruar se mbjelljet e tyre janë në rrezik pasi ujin nuk mund ta shfrytëzojnë ato por fshati tjetër fqinj Shalsi, fshat nga i cili është edhe kryetari i shoqatës së vaditjes. "Ne duam gjolin tonë, pasi ai nuk është i Shalsit por ka qenë historikisht i fermës edhe në kohën e komunizmit. Gjoli i ndërtuar është i fermës dhe i përket vetëm fushës që të vaditet. Ne kemi mbjellë dhe nuk po korrim. Ndaj jemi ngritur dhekemi ardhur këtu nga një person për familje. Kemi ardhur këtu për të bërë thirrje që kjo protestë tëbjerë në veshin e Ministrisë së Bujqësisë. Ku është ministri Gjana që e sheh vendin vetëm nga parlamenti dhe nuk di se çfarë kërkon populli. Po thahet toka dhe nuk ka ujë për të vaditur sepse ndiqet interesi i njërit apo i tjetrit",- kanë pohuar protestuesit. Nisur nga kjo protestë, koordinatori i PMU, Eqerem Banushi, ka pohuar se është bërë një njoftim Komunës Shalës dhe Bashkisë Cërrik pasi rezervuari është i komunës Shalës dhe për këtë arsye është dashur një marrëveshje midis palëve. "Ka një vendim dhe një ankesë të disa banorëve që të hiqet kryetari i shoqatës. Kjo marrëveshje është katërpalëshe, është shkresore por ne nuk kemi asnjë kompetencë ligjore për t'i thirrur këto drejtues të njësive vendore për të marrë një vendim se çfarë do të bëhet me shoqatën. Këtë kompetencë e ka vetëm prefekti i qarkut të Elbasanit. Ky i fundit duhet të mbledhë drejtuesit dhe të kontrollojë anën ligjore sesi është vepruar për të evituar përplasjet mes banorëve dhe shoqatës së ujit",- pohoi Banushi.