Qeveritë që bën Ilir Meta
Ilir Meta, menaxheri i një fraksioni të PS-së historike, po kërkon të hyjë dhe të bëjë historinë e të majtës shqiptare, duke imponuar rrugën dhe vijimësinë që duhet të marrë partia që përfaqëson shumicën dërrmuese të vullnetit politik të shqiptarëve. Brenda gati 3 viteve që e majta është në opozitë përballë pozitës së të pandreqshmit Sali Berisha, Ilir Meta ka bërë kamerdaren dhe i ka dhënë oksigjenin e munguar Partisë Demokratike, duke u bërë delfini zyrtar i kryetarit të PD-së.
Në ditët më të vështira të së majtës shqiptare, atëherë kur më shumë se kurrë opozita e majtë duhej të ishte e bashkuar dhe forca që do të nxirrte në pension veteranin e politikës së vjetër, Ilir Meta i ka dalë kundër rrymës së të majtës, duke vozitur për të nxjerrë në sipërfaqe shkatërruesin e Shqipërisë, atë që në çdo mandat, ka marrë teposhtë shqiptarët e skamur. Ndaj nuk është e rastësishme që në këto javët që pasuan krimin shtetëror të Gërdecit, Ilir Meta ishte në krah të autorit të katastrofës, duke devijuar me qëllim temën e ditës, nga zbulimi dhe ndëshkimi i fajtorëve të krimit, te përçarja e të majtës shqiptare.
Mllefi është ai i vjetri: ideja fikse për të qenë ai Kryeministri i Shqipërisë pas zgjedhjeve të 2009, ku e majta do të jetë fituesja dhe shpëtuesja e vendit nga thonjtë e papërgjegjshmërisë. Pas një viti, kur e majta do të marrë mandatin për të qeverisur sërish vendin, do të ketë një Shqipëri pak a shumë si ajo që la Berisha në 1997, sepse ndonëse nuk ka zyrtarisht piramida mashtruese, realisht ato janë ngritur në çdo sektor dhe në çdo cep të vendit, duke dalë zbuluar si në rastin famëkeq të Gërdecit, apo duke u kamufluar si në rastin e administratës piramidale që ka ngritur Berisha ngado.
Ilir Meta kryeministër premton se atë piramidë do të vijojë të ngrejë, sepse kështu bëri kur PS-ja, megjithëse në një moshë shumë të re, i besoi menaxhimin e votës së shqiptarëve.
Shumëkush ka qenë dëshmitari okular i qeverisjes së Metës, kur vendi ishte në duart e një klani që bënte ç'donte, pa pyetur për premtime elektorale dhe reforma që duheshin kryer prej atëherë. Një tip bande e vogël qeveritare që kishte futur nën kthetrat e saj çdo qelizë të ekonomisë së vendit, duke bërë privatizime dhe shpronësime sipas midesë së oligarkisë së re financiare që po lindte nën hijen e djaloshit kryeministër Meta, e cila sot është pronarja e shumë të mirave materiale të vendit, të cilat ishin ndërtuar me gjakun, mundin dhe djersën e shqiptarëve nën diktaturë. Ndaloi për pak orë edhe kryetarin e opozitës në 2000, duke nxjerrë në rrugë edhe komando ala-Pinoçet për të tromaksur e rrahur kalimtarët e vonë të rrugëve të kryeqytetit.
Kjo tip bande, shkoi deri aty sa pak muaj më vonë, kur pa se nuk kishte më me vete elektoratin e majtë, sajoi edhe Dushkun e vogël, për të rritur artificialisht shumicën parlamentare në Kuvend, ndërsa sot e konvertuar në LSI, pas shtatë viteve përbetohet se do të ketë si kauzë çrrënjosjen e Dushkut dhe të manipulimit të votës së shqiptarëve.
Kryeministri i atëhershëm është shumë i shqetësuar sot, pse falë kompromisit politik u arrit të përgatitej paketa e re kushtetuese, por një vit e gjysëm më parë bëri namin, vetëm e vetëm që të dhunohej Kushtetuta, sepse i duhej edhe LSI-së një anëtar në KQZ.
Se çfarë kryeministri mund të jetë Meta, e tregon fraksioni politik që ai ka themeluar në 2004, i cili vepron si një ndërmarrje ekonomike për të hedhur shashka tymuese në politikë. Piramida e lidershipit të kësaj partie janë ata ish-ministra dhe ish-drejtorë që i bënë gjëmën dikastereve që kishin për menaxhim, gjatë kohës së Metës kryeministër. Ishte ky menaxhim makabër që iu bë ndërmarrjeve shtetërore dhe financave publike, ai që krijoi bazën miliardere për ndërmarrjen e sotme, LSI, e cila nuk ngopet vetëm me ato që mori kur ishte vetë në pushtet, por po ha edhe nga çanaku i prishur i Berishës. Rasti i vëllazërimit PD-LSI në Fier dhe pakti amoral për të dorëzuar pushtetin vendor te PD-ja për një ndërmarrje të falimentuar Ujësjellësi, tregon se makutëria e Metës për pushtet politik, nuk njeh as parime dhe as vijë partiake, nuk njeh as qëndrime opozitare, por vetëm delfinizëm për të marrë llokmat e pushtetit, pavarësisht se në duart e kujt është ai, dhe se çfarë u ka bërë shqiptarëve ai.
Me këtë background aspak për t'u patur zili, por vetëm krupë, prej dëshmitarëve okularë të djeshëm dhe të sotëm, Kryeministri i atëhershëm ushqen veten dhe mundohet të helmojë edhe opinionin publik me madhështinë e aftësive qeverisëse që ka patur, dikur për të bërë piramidën qeverisëse dhe sot piramidën mashtruese, LSI.