E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza 5 vjeç bie nga zetori, e shtyp i ati

 

Mallakastër, ngjarja tragjike ka ndodhur dje paradite. Desarta Yzeiri shoqëronte të atin në plugimin e tokës

MALLAKASTËR- Një vajzë pesëvjeçare ka humbur jetën dje në një ngjarje tepër tragjike në fshatin Aranitas të Mallakastrës. Desarta Yzeiri ndodhej në zetorin e të atit por në një moment ajo është rrëzuar prej aty e më pas makina e rëndë e drejtuar nga i ati ka shtypur pa dashje. Të afërmit e familjes shpjeguan se vajza e vogël ka shkuar në arë bashkë me të atin e saj Pajtim Yzeiri, pasi ai do të frezonte tokën. Pajtimi kamarrë me vete gjithçka që i duhej dhe është nisur për të punuar që në mëngjes. Pak pasi kishte filluar puna, vogëlushja ishte ngjitur në zetorin që drejtohej nga i ati ndërkohë që po plugonin arën. Por ajo është rrëzuar dhe menjëherë mbi të kanë kaluar thikat e zetorit duke e lënë të pajetë. Pajtimi ka vënë re që vajza nuk ishte ulur pranë tij dhe menjëherë ka fikur mjetin që drejtonte. Por pasi ka parë trupin e shtrirë në tokë të së bijës 5- vjeçare ka shkuar për t'i dhënë ndihmë. Por plagët e marra nga tehu prerës i frezës nuk i kanë dhënë asnjë mundësi Pajtimit që të shoqërojë të bijën për në ambulancën e fshatit. Mes lotëve dhe britmave ai ka arritur të lajmërojë familjarët e tjerë, të cilët kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë marrë trupin e pajetë të 5- vjeçares. Të afërm dhe fqinjë të familjes pohuan dje se ky aksident tragjik do të lërë me pasoja të forta mendore Pajtimin, që deri orët e vona të pasdites nuk arrinte dot të mblidhte veten dhe shpesh herë kishte gjendje të fikëti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›